Gjykata e Tiranës ka rikthyer për hetim në Prokurori denoncimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e CEZ, pasi hetimi ka qenë i përciptë, duke mos shfletuar dokumentet në dispozicion, dhe duke mos thirrur dëshmitarët kyç.
Bëhet fjalë për ndërmjetësin Nuel Kalaj, i cili ka qenë lidhje e afërt e Shkëlzen Berishës, dhe ka tërhequr 7 milionë euro cash me 16 qershor 2009, vetëm pak dite para zgjedhjeve te vitit 2009.
Në një email që u zbulua dhe u pranua zyrtarisht si provë, i drejtorit të CEZ për Shqipërinë, Hejsek, bëhej fjalë për një takim që u nevojitej me kryeministrin Berisha për një aferë që ka të bëjë me çmimin e energjisë elektrike, takim që duket se ishte lobuar nga i biri i Sali Berishës. Në email thuhet se pas takimit me Berishën, do të bëhej takimi me të birin.
Vendimi i qeverisë që u lobua nga ky takim, ka një impakt prej miliona dollarësh në dëm të ekonomisë sonë. Ky është i pari vendim inkurajues i një gjykate, që bazohet në një arsye logjike, duke kthyer për hetim çështjen.
Pikë së pari, prokurorja e çështjes, e cila duket se është një kamikaze që e ka marrë lehtë detyrën që i kanë dhënë, pretendon se ka lexuar 5 mijë faqe dokumente për dhjetë ditë. Aq ka qenë koha, që ajo ka harxhuar për të marrë vendimin e mbylljes së dosjes, ndërkohë që mbi tavolinë ka pasur 5 mijë faqe. I bie që kjo zonjë të ketë lexuar 500 faqe në ditë dhe t’i ketë kuptuar… Kjo është dukshëm një shkelje e detyrës nga ana e saj.
Së dyti, personi kyç në këtë histori është Nuel Kalaj. Veprimtaria e tij tregon më shumë se “pagesa cash” 7 milionë euro që ka marrë nga CASH. Veprimtaria e tij qysh në vitin 2006 për të shitur OSHE tek CEZ, tregon dhe abuzimin me detyrën e kryeministrit Berisha, i cili ka shitur OSHE pikërisht atje ku ka kërkuar ndërmjetësi i familjes së tij. Pra, është një deformim tregu dhe shpërdorim detyre, duke ndikuar në procesin e shitjes.
Nuel Kalaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe nuk ka asnjë gjurmë në pikat doganore shqiptare, nëse ai ka nxjerrë 7 milionë euro cash jashtë Shqipërisë, të cilat janë tërhequr cash në një ditë, dy javë para zgjedhjeve. Në këto kushte, ka dyshime të arsyeshme se ato janë përdorur, ose për blerje votash më 29 qershor 2009, ose për ryshfete të njerëzve të Berishës.
Së treti, por më i rëndësishëm, është roli i Shkëlzen Berishës. Ai ka pasur qëndrime të lëkundura në deklarimet e tij rreth kësaj çështje. Në fillim, kur u bë publik email-i që provonte se ai kishte lobuar tek Berisha një pazar të drejtuesve të CEZ për ulje borxhi, dhe më pas ata do të takoheshin me të, ai pretendoi se email-i mund të ishte fallco dhe i manipuluar. Provat dëshmuan se email-i ishte i vërtetë dhe legjitimohej dhe prej Prokurorisë. Pas kësaj, ai ndërroi stilin e mbrojtjes dhe tha që nuk mban përgjegjësi se çfarë shkruajnë të tjerë ne email për të. Po a nuk po kërkohet arrestimi i Saimir Tahirit, vetëm se dy banditë e kanë përfolur? Në këtë rast kemi një email zyrtar të drejtuesve zyrtarë të CEZ dhe që provojnë kryerjen e misionit të Shkëlzenit si ndërmjetës, pasi e kanë takuar kryeministrin dhe e kanë ulur borxhin në favor të tyre dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Shkëlzen Berisha duhet hetuar dhe për ndikimin që ka pasur tek mos paraqitja e Nuel Kalaj në Komision hetimor. Fillmisht Kalaj bëri deklaratë që do të paraqitej, por ishte shmangur për shkak të motit, por më pas u zhduk dhe nuk i gjendej adresa.
Për më tej duhet hetuar vendqëndrimi i Nuel Kalaj në Tiranë që prej vitit 2006, tek pallati tek “Zogu i Zi”, i cili ishte në pronën e badigardit dhe shoferit të familjes Berisha, vënë në dispozicion nga Garda për gruan dhe djalin e tij.
Biles nëse gjykata përdor kriteret që ka përdorur kundër Saimir Tahirit, edhe kundër Shkëlzenit, përfolja e tij në një email zyrtar (jo thashetheme banditësh) si ndërmjetës mes zyrtarëve të CEZ dhe babit të tij kryeministër, e më pas takimi me ta, ai duhet të arrestohet, pasi provohet që takimi mes Berishës e CEZ ka çuar në uljen e borxhit në përfitim të kompanisë dhe ka rënduar buxhetin e shtetit.
Sidoqoftë, kthimi i çështjes për hetim të thelluar dhe theksimi që tre persona kyç duhet të merren në pyetje, është një hap i mbarë, pasi është një dosje simbol e mënyrës se si ka qeverisur Berisha me familjen e tij, Shqipërinë. Është dhe një sinjal që asgjë nuk është harruar./Tema/