Diego Costa ka bërë një debutim ëndrrash tek Atletico Madrid, pasi ka shënuar vetëm pesë minuta pasi ka zbritur në fushë. Costa vinte nga një pauzë e gjatë pa luajtur, që nga koha kur vendosi të largohej nga Chelsea dhe të mos punonte më me Antonio Conten. Dëshira që ky transferim të mbyllej ishte që në merkaton e verës, por nuk u realizua pasi Atletico ishte e dënuar dhe nuk mund të bënte transferime.
Costa u bashkua me “Los colchoneros” disa muaj më parë dhe është stërvitur rregullisht për të ruajtur formën dhe në afatin kalimtarë të janarit të bënte debutimin. Ky ishte një rikthim për sulmuesin spanjoll, pasi para 4 vitesh ai u largua nga aty për t’iu bashkuar Chelsea në Premier League. Debutimi i tij u bë në ndeshjen e kupës se Spanjës, ku edhe arriti të shënonte gol vetëm pas 5’ minutash që kishte zbritur në fushë përballë Lleidas.