Protesta e opozitës së bashkuar e cila u zhvillua për rreth 5 orë ditën e sotme pat tensione. Protestuesit sulmuan godinën e Kryeministrisë, duke tentuar të shkatërrojnë derën dhe për këtë arsye policia reagoi me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Nga tensionet që shoqëruan protestën pati të lënduar lehtë disa efektivë policie, disa protestues dhe përfaqësues të medias. Pas përfundimit të protestës prokurorët mbërritën në vendngjarje për të nisur hetimet dhe për të mbledhur prova
Gjatë protestës u përdorën mjete të forta si gurë, skela hekuri dhe një bombë molotov. Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat Florenc Hoxhën, ish-drejtorin e Policisë Bashkiake të Tiranës.
Nga burimet policore mësohet se Florenc Hoxha është shoqëruar si person i dyshuar për nxitje të dhunës gjatë protestës së sotme të opozitës përpara Kryeministrisë. Ai po merret në pyetje për të sqaruar këto dyshime.
Ndërkohë, bëhet me dije se janë shoqëruar edhe persona të tjerë për incidentet e së shtunës përpara godinës së Qeverisë.
Burime për tvklan.al thonë se po analizohen filmimet e policisë dhe pritet që orët në vijim të ketë arrestime dhe procedime penale ndaj protestuesve të përfshirë në akte dhune apo dhe ndaj nxitësve e organizatorëve të dhunës.