Mbrëmjen e djeshme janë sekuestruar 4.5 ton drogë në një vilë në fshatin Babicë të Vlorës.
Operacioni është drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që po hetonte prej një viti në lidhje me trafikun e mundshëm të narkotikeve, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga prokurorët e Krimeve të Rënda, pa përfshirjen e policisë lokale.
Prokurorët që drejtonin hetimet kanë kërkuar që të nisen shërbimet e Policisë së Vlorës drejt adresës që ata kishin nën hetim, ku janë gjetur thasët me tonelata drogë, të cilët u përkasin vëllezërve Habilaj.
Fillimisht, sekuestrimi i sasisë së drogës u publikua nga Berisha, i cili publikoi një video të operacionit, që sipas tij ishte zhvilluar në shtëpinë e shtetasit Armand Koçerri, mik i Habilajve.
“Në Babicë kapen 10 tonë drogë të klanit Rama – Tahiri! Qytetari dixhital denoncon: ‘Mirëmbrëma doktor. Në Babicë e vogël sapo është kapur rreth 10 tonë drogë në shtëpinë e Armand Koçerrit, mik i Habilajve. Vila e personit e ruajtur me kamera dhe sistem sigurie’”, shkruante Berisha në Facebook.
Kryeprokurori Adriatik Llalla zhvilloi një takim me prokurorët e Krimeve të Rënda mbrëmjen e së martës lidhur me hetimin 1-vjeçar për trafikun e lëndëve narkotike nga Vlora në drejtim të Italisë.
Llalla ka kërkuar që të veprohej në finalizimin e këtyre hetimeve, nisur edhe nga arrestimet e fundit të kryera në Sicili të Moisi Habilajt e dy shqiptarëve të tjerë.
Policia e Shtetit konfirmoi arrestimin, duke deklaruar se hetimet dhe veprimet janë kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Paraprakisht dyshohet të jetë 10 ton, por ende nuk është përcaktuar pesha e saktë.