Bashkëpunimi 9 vjeçar mes Ronaldos dhe Real Madridit nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Ylli portugez u largua në mënyrë të papritur në fundin e sezonit që lamë pas për tu bashkuar me Juventusin në Itali. Por duket se rrugët mes tyre ishin ndarë shumë kohë më parë se krisja të bëhej publike, që në maj të viti 2017-.
Problemet e Ronaldos me evazionin fiskal në Spanjë sollën një serie diskutimesh dhe vendimesh, të cilat përfundimisht çuan në largimin e tij drejt Juventusit. E gjitha çfarë ndodhë është publikuar ditën e sotme nga gazeta spanjolle “El Mundo”.
E përditshmja spanjolle zbulon se Ronaldo mbajti një takim në shtëpinë e agjentit të tij, Jorge Mendes, në maj të vitit 2017, në të cilin morën pjesë edhe këshilltarët e tij. “Thashë se nuk dua të rrezikoj”, u kishte thënë Ronaldo këshilltarëve të tij, duke iu referuar telasheve ligjore, të shkaktuara nga mos pagimi i tatimeve.
“Nuk kam studiuar dhe gjëja e vetme që kam bërë në jetë është të luaj futboll, por nuk jam budalla dhe nuk i besoj askujt. Prandaj edhe gjithmonë paguaj 30 për qind më shumë se më kërkohet kur angazhoj ndonjë ekspert. Kjo sepse nuk dua telashe”, zbulohet të ketë thënë Ronaldo.
Avokati Carlos Osario, i cili ishte pjesë e takimit, shpjegoi se ai kishte qenë përgjegjës për zgjidhjen e atyre çështjeve, por i kishte bërë thirrje Ronaldos të mos brengosej. Disa muaj më vonë, kur Ronaldos iu desh të arrinte marrëveshje me autoritetet spanjolle, portugezi u tërbua.
“Kurrë nuk kam ju thënë të mos i paguani tatimet”, u kishte thënë këshilltarëve të tij. “Dua të di çfarë ka ndodhur. Nuk kuptoj asgjë, sepse tatimet duhet të paguhen nga sponsorët, pra pse më akuzojnë mua?”
Pasi i pagoi detyrimet tek autoritetet spanjolle Ronaldo kishte shpresuar se Real Madridi do t’i ofronte kontratë të përmirësuar në mënyrë që ta zbusë goditjen financiare që kishte marrë, sepse portugezi besonte se Barcelona e kishte bërë të njëjtën gjë me Lionel Messin, i cili po ashtu u përball me të njëjtin problem ligjor.
Gjithsesi Reali u distancua nga problemet ligjore të Ronaldos, gjë të cilën ai e vlerësoi si tradhti. Po ashtu, Ronaldo vlerësoi se Reali nuk kishte respekt për të, duke parë që Messi po fitonte dyfishin e pagës së tij dhe se edhe Neymar e kishte kaluar atë në listën e futbollistëve më të paguar në botë, pas kalimit të brazilianit në Paris Saint-Germain.
Mbi të gjitha, Ronaldo ishte zemëruar nga fakti se në Madrid gjithmonë diskutohej për Alfredo Di Stefano më shumë se për të, kur bëhej fjalë për lojtarin më të mirë në historinë e Realit. “Ata gjithmonë më vendosin pas Di Stefanos dhe nuk e di se çfarë të bëj më shumë”, besohet të ketë thënë Ronaldo. Të gjithë këto elemente kanë shtyrë Ronaldon që ta vazhdojë karrierën larg Madridit dhe larg Spanjës.