Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mbështet studentët e ngujuar, që vijojnë protestën e tyre brenda ambienteve të fakulteteve. Po ashtu, në një deklaratë të lëshuar për mediat, ky dekanat dënon dhunën policore ndaj studentëve dhe kërkon të rishikohet Ligji i Arsimit të Lartë.
Njoftimi u lëshua pas një mbledhje të dekanatit dhe pedagogëve, të cilët u shprehën në mbështetje të plotë të studentëve duke i cilësuar kërkesat e tyre si të ligjshme.
Deklarata:
Pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet, Dekanati i FHF0së deklaron se pedagogët:
Rikonfirmojnë mbështetjen e protestës së studentëve dhe të kërkesave të tyre të ligjshme.
Denojnë ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare dhe dhunimin e studentëve prej tyre
Janë kundër çdolloj ndërhyrje dhe presioni që synon deformimin e vullnetit të lirë të studentëve
Kërkojnë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorët politikë dhe qeveritare, që synon intimidimin e mendimit të lirë
Propozojnë ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajtimin dhe adresimin e problematikave që po kalojnë IAL-të publike në RSH
Rikonfirmojnë kërkesën për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë në RSh
I sigurojnë studentët për gatishmërinë e tyre në angazhimin për realizimin e objektivave të vitit akademik në vijim.