Chelsea zhvilloi një ndeshje të madhe përballë Barcelonës në fazën e 1/8-ave të Champions Leagues, ku me pak fat mund të kishin arritur edhe ta fitonin. Ishte Willian kërcënimi konstant për katalanasit, ku fillimisht goditi dy herë shtyllën dhe më pas gjeti golin. Por Lionel Messi iu kundërpërgjigj mjaft mirë vetëm pak minuta më vonë, duke përfituar nga një gabim në mbrojtje.
Pikërisht për këtë episod vazhdon të “qajë” akoma trajneri i Chelsea, Antonio Conte. Ai në konferencën pas ndeshjes u shpreh se ishin superiorë dhe kishin shansin ta fitonin ndeshjen, por një gabim na hodhi poshtë mundin. Gabuan pikërisht përballë atyre që nuk duhej.
“Kur luan ndaj skuadrave të këtij niveli, duhet të bësh ndeshjen perfekte. Ne e bëmë, por një gabim na hodhi poshtë mundin. Për më tepër që gabimi ishte kundër Messit dhe Iniestës, që nuk të falin në raste të tilla. Lojtarët dhanë 100 % sot dhe merituan shumë më tepër. Mund të them se fati nuk ishte me ne, pasi goditëm 2 herë shtyllën dhe u ndëshkuam nga një episod. Gjithsesi, kjo ndeshje më jep besimin se mund të tentojmë kualifikimin në Barcelonë, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë”, u shpreh trajneri i Chelseat.
Kombëtarja Italiane e Futbollit është në kërkim të një trajneri dhe mediat raportojnë se Conte është një nga kandidatët, për t’u rikthyer në stolin e të kaltërve, por vetë tekniku i mohoi këto zëra.
“Nuk do të marr drejtimin e Italisë, pasi kam një kontratë me Chelsean, që përfundon në verën e 2019-ës dhe kam ndërmend ta respektoj. Për më tepër, kam qenë njëherë në atë pozicion dhe nuk besoj se është momenti që të rikthehem”, u shpreh Antonio Conte.