Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se ditën e nesërme, më 20 mars, 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës.
Udhëheqësi i kësaj federate, Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.
Ky vendim është thënë të jetë marrë pas takimit të zhvilluar në mes të delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit.
Komunikata e plotë:
Njoftojmë opinionin e gjerë e sidomos punëtorët shëndetësor se ashtu siç kemi paralajmëruar është arritur marrëveshja për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës në Kukës.
Nesër do të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë. Delegacioni i FSSHK-së i përbërë nga Kryetari Dr. Blerim Syla dhe Dr. Islam Krasniqi në prani të Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Zt. Nait Hasani sot kanë zhvilluar takim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe janë dakorduar për qështjet teknike të vaksinimit të punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
Në fund edhe njëherë FSSHK falenderon Kryeministrin Rama,stafin e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë si dhe Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Zt. Nait Hasani për angazhimin e pashoq. Për informatën tuaj në Kukës është duke u pregatitur një hapësirë e veçantë për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës edhe pse në këto orë të vona të natës.
Me respekt, Dr.Blerim Syla