Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rikthyer për hetim të gjitha dojet e Leonard Dukës, i cili është shpallur në kërkim pas vrasjes së ish-policit, Santiago Malko.
Mësohet se Duka është pronari i lokalit ku dyshohet të jetë thurur plani për vrasjen e Santiago Malkos.
Një nga dosjet e tërhequra për verifikim nga Prokuroria, është edhe ajo e ‘prill 2019’, ku forcat e posaçme operacionale morën informacion se në katin e 12 të një pallati pranë Medreses, ndodhej një grup personash të armatosur. Nga ndërhyrja e policisë në atë kohë, u arrestua Leonard Duka, Oltian Loga, Elvis Gacaj dhe Dritan Agaj.
Në dosje është gjetur edhe deklarata e modeles Trejsi Sejdini, e cila rezulton të jetë e dashura e Leonarad Dukës dhe ditën e operacionit, më 8 prill 2019, është gjetur në banesën e tij.
Në dëshminë e siguruar nga ‘BalkanWeb’, Trejsi Sejdini ka rrëfyer për grupin hetimor të gjitha veprimet e saj atë ditë.
“Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Trejsi Sejdini, e cila është e dashura e shtetasit Leonard Duka, dhe u gjet në banesën e tij, në kohën që kanë shkuar punonjësit e policisë. Ajo ka shpjeguar veprimet e kryera prej saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Duken, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj. Kur ka shkuar në banesën e tij ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin.
Sa ka hyrë në banesë ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin pasi ishte e lodhur. Në mëngjes rreth orës 08:00 ka qenë në gjumë, nuk e ka ndjerë Leonardin kur është ngritur, po ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur policia për kontroll. Ajo nuk kishte dijeni në lidhje me fishekët e gjetur në banesën e Leonardit dhe armën e zjarrit të gjetur jashtë pallatit dhe sende të tjera”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.