Udhëheqësja birmaneze, Aung San Suu Kyi, ishte konsideruar si një shenjtore laike. Udhëheqëse e partisë më të madhe demokratike në vend, ajo fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990 me një shumicë dërrmuese, por në vend se të merrte pushtetin, u vu nën arrest shtëpiak nga junta ushtarake e Myanmarit.
Ajo qëndroi e izoluar për rreth 15 vjet, duke u shndërruar në një nga heroinat e kohës sonë, dhe ashtu si një figurë tjetër e krahasueshme, Nelson Mandela, u bë anëtare e panteonit të fituesve të Çmimit Nobel për Paqe. Por sot, ndërsa ushtria e Myanmarit djeg dhe plaçkit fshatrat e komunitetit Rohinga, heshtja e Aung San Suu Kyi ka shkaktuar zemërim dhe denoncime të shumta në arenën ndërkombëtare.
Thuajse treçereku i një milionë Rohinga-ve, një pakicë myslimane në një vend kryesisht budist, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, rreth 3.000 prej tyre janë vrarë, ndërsa të mbijetuarit kërkojnë strehim në Bangladeshin fqinj me shumicë myslimane. Ushtria fajëson sulmet e militantëve Rohinga, për provokimin e këtij operacioni ndëshkimor.
Si sundimtarja de fakto dhe një autoriteti i madh moral në vend, Aung San Suu Kyi mund të kishte nxitur ndalimin e këtyre veprimeve gjenocidale, por në vend të kësaj ajo nuk pranoi të dënonte veprimet e ushtrisë, madje i ka bërë jehonë justifikimit të autoriteteve ushtarake se mizoritë e përshkruara në mediat botërore kundër këtij komuniteti, janë “lajme të rreme”.
Ky qëndrim ka hedhur një hije dyshimi mbi Çmimin Nobel të Paqes. Tashmë ka kërkesa të shumta që Kyi t’i hiqet çmimi që ka marrë. Por për të kuptuar kuptimin moral të çmimit, duhet shqyrtuar nëse ka pasur fitues të tjerë përgjatë historisë, sjellja e të cilëve ka hedhur dyshime mbi pozitën morale të çmimit?
Kontradiktat që rrethojnë Çmimin e Paqes, fillojnë në fakt me vetë themeluesin. Alfred Nobel (1833-1896) qe një kimist dhe biznesmen suedez, i cili në vitin 1867 shpiku dinamitin dhe 8 vjet më vonë patentoi një eksploziv, i cili u përdor gjerësisht si nga ushtritë e rregullta ashtu edhe terroristët. Ai kishte në pronësi kompaninë e armëve “Bofors”, dhe shumë ndërmarrje të ngjashme.
Nobeli u tërhoq nga kauza e pacifizmit nëpërmjet një lidhjeje intime. Për një kohë të shkurtër ai punësoi si sekretaren e tij konteshën austriake, Bertha Kinsky, përpara se ajo të martohej me Baronin Arthur von Suttner. Kinsky, u bë e famshme si autore e një traktati pacifist, shumë të lexuar “Ulni armët tuaja!” (1889). Ajo qëndroi në kontakt me Nobelin, dhe e bindi atë për të mbështetur kauzën e saj.
Çmimi i Paqes, siç u përcaktua testamentin e fundit të Nobelit të nënshkruar në vitin 1895, duhej t’i jepej çdo vit “personit që do të kishte bërë punën më të mirë për vëllazërimin mes kombeve, për zhdukjen apo reduktimin e ushtrive, si dhe për mbajtjen dhe promovimin e kongreseve të paqes”.
Në fillim, Nobeli për Paqe iu përmbajt devizës së suedezit, duke shkuar tek një sërë figurash të shquara dhe tashmë të harruara të lëvizjen ndërkombëtare të arbitrazhit; Bertha von Suttner, ndoshta në mënyrë të pashmangshme, e fitoi çmimin në vitin 1905. Një vit më pas, çmimi shkoi për Presidentin e SHBA Theodore Roosevelt, për rolin e tij në hartimin e traktatit të paqes që i dha fund Luftës Ruso-Japoneze në vitin 1905.
Lufta e Parë Botërore i dha fund çmimit për disa vjet, më përjashtim të 1917-ës, kur iu dha kolektivisht Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Në vitin 1919, krijimi i Lidhjes së Kombeve, paraardhësja e OKB-së sotme, filloi dhënien e një serie çmimesh për individët që kanë luajtur një rol në punën e saj, duke përfshirë vetë presidentin amerikan Woodrow Wilson.
Ndërsa kjo e bëri Nobelin për Paqe, ashtu si homologen e saj në letërsi, një shpërblim për “arritjet në jetë”, veçanërisht kur iu dha aktivistëve pacifistë, fokusi më i rëndë ishte tek negociatorët kryesorë të traktateve ndërkombëtare:diplomatëve dhe politikanëve profesionistë, që arrinin marrëveshje komplekse, të vështira, por edhe diskrete të paqes.
Kjo shkaktoi realisht polemikat e para të vërteta në historinë e këtij çmimi. Në vitin 1973, Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger u nderua me këtë çmim për pjesëmarrjen e tij në negociatat e Marrëveshjes së Paqes të Parisit, e cila i dha zyrtarisht fund Luftës së Vietnamit, së bashku me homologun e tij vietnamez Le Duc Tho.
Por Tho e refuzoi çmimin, duke vënë në dukje se marrëveshjet nuk kishin sjellë në të vërtetë1 fundin e vrasjeve në terren; dhe në fakt lufta vazhdoi edhe për dy vjet të tjera, deri në fitoren përfundimtare të Vietnamit të Veriut. Kur pa se luftimet qenë larg fundit, edhe Kissinger vendosi të mos merrte pjesë në ceremony, dhe e dhuroi çmimin për bamirësi.
Pavarësisht nga kjo dy anëtarë të Komitetit Nobel dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, duke e bërë çmimin më të diskutueshëm në historinë e Nobelit deri në atë moment. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, komiteti norvegjez prej 5 anëtarësh që vendos fituesin filloi të distancohet nga udhëzimet origjinale. Nga fundi i shekullit XX-të, çmimi ishte shndërruar tashmë në një çmim të përgjithshëm ndërkombëtar për kontributet në përparimin njerëzor dhe të drejtat e njeriut.
Por, edhe çmimet e këtij lloji u konsideruan si deklarata politike kontradiktore nga Komiteti Nobel. Kreu i palestinezëve, Jaser Arafat, u dënua nga shumë izraelitë si një promotor i papenduar i sulmeve terroriste në vendin e tyre, ndërsa kryeministri izraelit Shimon Perez fajësohej nga palestinezët për mospengimin e asaj që ata e shihnin si pastrimi etnik të Jerusalemit, nëpërmjet përhapjes së pakufizuar të vendbanimeve hebraike tek territoret ilegalisht të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967.
Çmimi i Paqes, paraqet shpesh si një reagim ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit. Karakteri i tij i menjëhershëm, e bën atë një peng të pasurisë. Pa transformimin e çmimit nga synimet e tij origjinale të paqebërjes ndërkombëtare, në një çmim të përgjithshëm për rezistencën apo fushatën për të drejtat e njeriut, Aung San Suu Kyi nuk do të fitonte dot kurrë Çmimin Nobel për Paqe, dhe s’do të lindte nevoja për të kërkuar heqjen e tij, pasi në fakt Komisionet e Çmimit Nobel nuk kanë asnjë mekanizëm për ta bërë këtë.
Organe të tjera çmim-dhënëse, kanë ngurruar t’iu heqin fituesve të kaluar çmimet e tyre, edhe nëse janë zbuluar qëllimet e tyre dashakeqe në një moment të caktuar të karrierës. Për shembull, Çmimi Pulitzer i dhënë në vitin 1932 gazetarit Walter Duranty për mbulimin e tij entuziast të jetesës në Bashkimin Sovjetik, qëndron ende në fuqi, pavarësisht mbulimit të tij tendencioz të zisë së bukës në Ukrainë.
Megjithatë, komitetet e çmimeve Nobel, mund të kërkojnë frymëzim diku tjetër. Në Mbretërinë e Bashkuar, ka pasur një numër rastesh gjatë viteve të ndryshme të “heqjes të çmimit kalorësiake”, siç është rasti i Sir Anthony Blunt, titulli i të cilit u hoq zyrtarisht në vitin 1979, kur u zbulua publikisht se kishte qenë spiun sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo vetë kryeministri norvegjez Vidkun Quisling, të cilit u hoq nga titulli i komandantit të urdhrit më të shkëlqyer të Perandorisë Britanike pas vitit 1940, për bashkëpunimin me pushtuesit nazistë, gjë që e bëri emrin e tij sinonim të fjalës tradhti.
Tërheqja e një çmimi, mund të duket nganjëherë si cinikisht oportune, ashtu si revokimi i dekoratave britanike dhe daneze që iu dhanë diktatorit rumun Nicolae Ceausescu, vetëm pak orë përpara se ky i fundit të pushkatohej- jo sepse çdo gjë kishte ndryshuar për historinë e diktatorit rumun, por për shkak se ai qartazi e kishte humbur pushtetin, dhe qeveria britanike dhe ajo daneze donin të favorizonin pasardhësit e tij të mundshëm.
Sigurisht që është koha që Komiteti Nobel të rishikojë rregullat dhe procedurat e tij, për të marrë parasysh natyrën në ndryshim të Çmimit të Paqes. Nëse institucioni i brumosur në traditën e gjatë monarkike britanike mund t’ua heqë çmimet të padenjëve, edhe norvegjezët mund ta përdorin me siguri të njëjtin marifet.
Shënim: Richard Evans, është një historian britanik mbi Evropën e shekullit XX, me një fokus të veçantë tek Gjermania dhe Lufta e Dytë Botërore. Libri i tij i fundit titullohet “Ndjekja e Fuqisë: Evropa 1815-1914”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce