Ditën e nesërme në orën 20:00 do të mbahet ceremonia ku do të shpallet fituesi i çmimit Artistët e së Nesërmes 2017-të, organizuar nga Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor.
Ceremonia zhvillohet në Klubin e Boksit në Prishtinë, ndërsa ekspozita është hapur më 3 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur deri nesër më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuale – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Juria përbëhet nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), Neë York.
Tre finalistët janë Meriton Maloku, i cili e ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë; Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuale e shprehur në formë të skeçeve dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si rezultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës dhe Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuale.