Festat e mëdha të nëntorit, vazhdojnë që t’i mbajnë të përçarë shqiptarët. Bazuar në bindjet e tyre politike të majta dhe të djathta. Që prej vitit 1991, Partia Demokratike dhe forcat e tjera të së djathtës njohin 28 Nëntorin. Dhe jo 29 Nëntorin 1944, si datën e çlirimit të vendit nga pushtuesit gjermanë.
Madje disa prej tyre, kanë propozuar që si datë çlirimi kombëtar të kremtohet 17 Nëntori 1944, dita e çlirimit të kryeqytetit. Por edhe kjo ngjarje vazhdon të mbajë të ndarë të majtë dhe të djathtë. Të parët, kremtojnë këtë vit përvjetorin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit.
Ata anatemojnë çdo kritikë ndaj Luftës Nacional Çlirimtare. Që e renditi Shqipërinë në mesin e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore. Të djathtë, politikanë apo studiues, e vënë theksin tek spastrimet e mëdha që u kryen ato ditë në Tiranë. Ku u vranë pa gjyq dhjetëra intelektualë nacionalistë, apo pa asnjë angazhim politik.
Në këtë funksion përdoren edhe studimet dhe arkivat e huaja për të lartësuar, konfirmuar variantin zyrtar të Partisë Komuniste. Apo për të zvogëluar përmasat e betejës së Tiranës.
Në relacionin e tij, komandanti i operacionit partizan për çlirimin e Tiranës, Mehmet Shehu; që më vonë do ishte kryeministri më jetëgjatë i vendit. Shkruan se beteja për çlirimin e kryeqytetit zgjati 19 ditë, në datat 28 tetor-17 nëntor 1944.
“Lufta për çlirimin e Tiranës, i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë. Ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë. Mbi 100 mitraloz, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara. Municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si edhe 4 tanke”- shkruan Shehu.
Ai pranon se “në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë. Dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin”. Ndërsa humbjet në radhët e partizanëve, ishin 127 të vrarë dhe 290 të plagosur.
Ndërkohë majori britanik J.P.F Oliver, në atë kohë ndodhej me mision në Shqipëri pranë forcave partizane. Në një raport mbi luftimet e tyre në Tiranë, jep të dhëna të tjera. Sipas tij, në prag të çlirimit Tirana ruhej nga një garnizon me 300 ushtarë gjermanë gjithsej. Që kishin vetëm 2 tanke dhe disa autoblinda.
Sipas tij, komandanti i Divizionit të Parë, Mehmet Shehu, i gënjeu misionarët e huaj. Kur iu tha se në Tiranë kishte 3 mijë gjermanë. Ai e vë në dyshim efektivitetin e luftës së partizanëve. Kur thotë se në fund të tetorit 1944, ata kishin 3 mijë forca në dispozicion. Dhe deri në datën 11 nëntor, dështuan në sulmet e tyre kundrejt 300 gjermanëve.
Oliver pretendon se rreth 1800 ushtarë gjermanë u vranë rrugës nga Elbasani për në Tiranë. Por kjo nga një bombardim i fuqishëm i avionëve britanikë. Ndërkohë dokumente nga Arkivi Ushtarak i Frajburgut në Gjermani në lidhje me tërheqjen e Vehrmahtit nga Ballkani, japin një panoramë tjetër.
Sipas tyre, si pasojë e përparimit të pandalshëm të rusëve në frontin e lindjes dhe aleatëve në perëndim, Adolf Hitleri urdhëroi më 3 tetor 1944 tërheqjen nga e Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria. Në ditët e para, trupat gjermane të vendosura në Greqi kaluan kufirin greko-jugosllav. Ndërsa 4000 ushtarë, nën drejtimin e kolonelit Stejrer, u udhëzuan të marshonin në aksin Ohër-Strugë-Elbasan-Tiranë.
Ky grupim u urdhërua të ndihmonte gjatë tërheqjes forcat gjermane të dislokuara në Tiranë. Në datën 11 nëntor, këto trupa u nisën nga Elbasani për në Tiranë. Dhe në Qafë-Kërrabë, ranë në zjarrin e batalioneve partizane. Ushtari gjerman Martin Maler, e kujton kështu betejën për çlirimin e Tiranës:
“Të krijohej përshtypja, se Tirana përbëhej vetëm nga partizanë. Në sheshin Skënderbej kishim përgatitur llogore, dhe në to kishim vendosur mitralozë. Prej këtu mbanim nën zjarr lagjen e ciganëve, Rrugën e Durrësit dhe bulevardin kryesor. Nga malet zbrisnin partizanë që hidhnin granata për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre, që kishin mbushur qytetin. Ditë e natë qëndruam shtrirë në baltë, një dorë te arma, dhe me dorën tjetër hanim ose pinim ndonjë cigare”.
Po sipas dokumenteve gjermane, në Tiranë ndodhej në atë kohë komanda e Divizionit 297. Spitali ushtarak me rreth 1000 ushtarë të plagosur e sëmurë, si edhe autoreparte, të cilat ishin të plotësuara me efektiv. Dhe ruheshin nga reparte e nënreparte sinjalizueses. Këtyre forcave duhej t’u vinte në ndihmë grupi i kolonelit Stejrer, dhe së bashku do të vazhdonin tërheqjen në drejtim të Shkodrës.
Por pas sulmit partizan dhe sulmit ajror britanik, kolona hyri në Tiranë në orët e para të 16 nëntorit e gjymtuar. Sipas raportimeve të Grupit Luftarak të Forcave Tokësore E, në periudhën 10-20 nëntor 1944, raportohen “1600 burra të vrarë, të plagosur dhe të humbur”. 50 për qind e tyre i përkasin Grupit Luftarak Steyrer gjatë luftës në rajonin e Tiranës.
Ndërsa Mehmet Shehu merrej me luftën kundër gjermanëve, Enver Hoxha përgatitej për pushtetin e tij të nesërm. Ai u tha urdhër disa grupeve partizane, që të eliminonin dhjetëra personalitete të njohura kohës. Që akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me armikun, apo që edhe kishin qëndruar pasivë gjatë luftës.
Një pjesë e tyre, kishin qenë shokë të diktatorit në Liceun e Korçës, si vëllezërit Kokalari. Dhe dinin shumë gjëra mbi rininë e hershme të udhëheqësit komunist. Masakra dokumentohet nga shumë dëshmi. Kështu Sekretari i qarkorit të Partisë Komuniste të Tiranës, Gogo Nushi, në relacionet e tij drejtuar Hoxhës shprehej: “Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”.
Shumica e tyre u ekzekutuan pabesisht në mesnatë, duke u qëlluar pas shpine. Madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë dhe Sauk. Pa dhënë asnjë shpjegim dhe duke i lënë madje edhe pa varr. Vetëm në bodrumet e hotelit të famshëm “Bristol”, aty ku sot ndodhet Muzeu Kombëtar, u pushkatuan më 12 nëntor 1944, 14 persona.
Tuk Jakova, një nga komunistët më të njohur, raportonte se vrasja pa gjyq e shumë shqiptarëve të pafajshëm, ishte e nxitur nga jugosllavi Dushan Mugosha. Megjithatë Enver Hoxha nuk ndalej, “Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin!”- shkruante ai.
Kristo Themelko, komunisti me pseudonimin sllav “Shulja” dëshmonte: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë. Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani. Veçse me i pastrue gjatë luftës, në mënyrë që të mos merren vesh prej popullit. Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar. Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”. Themelko pohon se në një moment ishin vrarë pa gjyq mbi 60 persona./ TIRANA TODAY