Sonte luhen ndeshjet e kthimit të raundit të parë paraeleminator në Champions. Teuta, Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina do të luajnë sonte megjithëse pak shance ka për të parë një nga të treja të kualifikuara për më tej. Teuta me 4 gola defiçit ndaj moldavëve dhe Prishtina 3 gola poshtë Ferencvaroshit duken pa shpresa. Shkëndija vjen nga humbja por 1-0 nuk është një rezultat i papërmbysshëm.
19:00 Sherif Tiraspol-Teuta (4-0)
Durrsakët zhgënjyen me 4 golat e pësuar më shumë se sa me humbjen javën e kaluar, kur të gjithë prisnin një performancë të mirë nga ekipi që triumfoi në Superligë. Teuta u përforcua me dy lojtarë të kombëtares për kupat e Evropës, por lëvizja nuk dha rezultat. Sonte do të futen në fushë për të ngritur moralin, por nëse mrekullia ndodh, mos u habisni, futboll është, mund të rekuperohen dhe 4 gola, sidomos tani që goli në fushë kundërshtare nuk ka efekt superior. Nëse nuk ia dalin, durrsakët takohen me skuadrën nga Andorra Inter D’Escalades në turin e dytë paraeliminator të Conference League. Skuadra modeste u eleminua nga Prishtina në turet para-kualifikuese të Championsit.
20:00 Prishtina-Ferencvarosh (0-3)
Pa spektatorë, në kryeqytet vijnë hungarezët e drejtuar nga Myrto Uzuni. Pavarësisht se nuk shënoi në ndeshjen e parë, beratasi është guruja i golave tek hungarezët duke dalë dhe golashënues sezonin e kaluar. Ferencvaroshi duket i kualifikuar, por Prishtina gjithashtu është e “kualifikuar” në një farë mënyre. Ata me skualifikimin nga Championsi do të kapin një vend në turin e dytë eliminator të Conference League ku do të gjejnë fituesin e çiftit Konah’s Kuai Nomads- Alashkert. Gjatë konferencës për shtyp trajneri Ramadani e ka konsideruar një mision tepër të vështirë kalimin e Ferencvaroshit.
20:00 Mura-Shkëndija (0-1)
Megjithëse Prishtina dhe Teuta humbën me shumë gola dhe e kanë mision të pamundur kthimin e rezultatit, Shkëndija ishte ndoshta ekipi shqiptar që “zhgënjeu” më shumë. Kjo sepse tetovarët na kanë mësuar çdo vit me performancat e tyre të shkëlqyera në Europë dhe kundër kundërshtarëve me emër. Me sa duket Mura sllovene qëlloi një surprizë e hidhur për skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka dhe fitorja në ndeshjen e parë sigurisht që i jep avantazhin në teori dhe për të arritur kualifikimin. Tetovarët humbën një penallti në ndeshjen e parë dhe shpërdoruan shumë, gjë që duhet përmirësuar nëse duan kalimin më tej sot, në stadiumin “Fazanerija City”. Nëse kualifikohen, tetovarët ndeshen me fituesin e Ludogorets-Shaktar Sligorosk, nëse nuk ia dalin të përmbysin humbjen në ndeshjen e parë ata i pret fituesi i përballjes Malmo-Riga. /Tirana Today