Nga: Riccardo Cristiano “Formiche”
Bota po vuan nga patologji të reja. Dy viruse që duhet t’i kuptojmë dhe t’i njohim si të tillë, në mënyrë që të “vaksinohemi” kundër tyre. Ato janë terrorizmi dhe populizmi, trashëgimtarë të paligjshëm të nihilizmit.
Kjo tezë shumë e rëndësishme për mbrojtjen e demokracisë, është e ekspozuar në numrin e ri të “La Civiltà Cattolica” të Atë Alvaro Lobo Arranz. Është një tezë e fortë dhe thelbësore për mbrojtjen e demokracisë në këtë kohëra lokale dhe globale.
“Virusi i terrorizmit sulmoi fuqishëm Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Francën, duke shkaktuar që prej vitit 2014 44.490 viktima në total në të gjithë botën. Por megjithëse ndikimi në Evropë dhe Amerikë ka qenë i madh, sot rajonet më të prekura janë Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia Juglindore, ku terrorizmi është një realitet i tmerrshëm dhe numri i të vdekurve është dukshëm më i lartë”- shkruan ndër të tjera ai.
Arranz rikujton faktin se dikur terrorizmi kishte qëllime të qarta dhe ishte shumë rrallë transnacional. Sipas tij terrorizmi i sotëm shpreh qartë dëshirën për të imponuar vizionin e tij me dhunë, gjë që e lidh atë me totalitarizmat e së kaluarës.
Por Arranz thekson se aktualisht “terrorizmi ndërkombëtar me nuanca fetare dhe kulturore e ka imponuar vetveten, dhe pushton shpesh peizazhin e informacionit botëror përmes organizatave të tilla si Boko Haram dhe ISIS”.
“Njëherazi, në disa raste, mbulimi nga media ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe bashkë me të edhe rekrutimi i terroristëve të rinj dhe përhapja e frikës. Epoka jonë, e ndikuar shumë nga rrjetet sociale, e kushtëzuar nga vështirësia për të dalluar të vërtetën nga ajo që duket si e tillë – dhe rrjedhimisht të mirën nga e keqja – dhe nga shqetësimi ekzistencial i shumë të rinjve, shndërrohen në një terren pjellore për një dukuri, që mund të destabilizojë qeveritë dhe madje demokracitë, si dhe duke shkaktuar mijëra të vdekur.
Tek e fundit, ne nuk mund të harrojmë faktin se terrorizmi nuk është një mashtrim i dhunshëm dhe romantik, është një mendim që gjen logjikën e tij, identitetin dhe metodologjinë tek dhuna sistematike”- shkruan ai.
Terrorizmi është një formë dhune, që duket se e ka origjinën tek zemërimi. Nga ana tjetër, populizmi është “një fenomen politik që shfaqet në mënyra të ndryshme, manifestohet si në të djathtën ekstreme ashtu edhe në të majtën ekstreme, dhe e minon progresivisht sistemin tonë të demokracisë përfaqësuese”.
Gjithsesi sipas Arranz, populizmi nuk është një ideologji, por një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar realitetin dhe lojën politike, e cila për të zënë rrënjë në një realitet të caktuar kërkon një ideologji dhe një komunitet të pakënaqur, dhe që ofron gjithmonë zgjidhje të lehta për probleme komplekse.
Në rindërtimin e këtij thjeshtëzimi të kompleksit në emër të një pakënaqësie themelore, spikat citati i Hana Arend, që e përshkruante totalitarizmin si një ide të romantizuar, të dogmatizuar dhe të teologjizuar të asaj që duhet të jetë një vend, një kulturë ose një shoqëri:si një ide për të cilën ia vlen të vdesësh vetë ose të tjerët.
Ndoshta në këtë moment nuk gjendemi përballë të njëjtave sisteme totalitare që kanë lindur në Evropën e vjetër dhe që janë eksportuar në të gjithë botën; por nëse nuk jemi të kujdesshëm, i ekspozohemi përsëritjes së shumë dinamikave të ngjashme, pasojat e së cilës tashmë janë të njohura nga të gjithë.
Duke i ilustruar në këtë mënyrë tiparet themelore të terrorizmit dhe populizmit të sotëm, autori na nxit të kuptojmë marrëdhëniet e tij me nihilizmin duke filluar nga Dostojevski:Pse ekziston e keqja? Pse e lejon Zoti atë?
“Është logjike të mendosh se në indinjatën ndaj vuajtjeve, ne gjejmë gjenezën e nihilizmit, diçka që nga ana tjetër gjendet si tek populizmi po ashtu edhetek terrorizmi”-shkruan më tej Arranz. Dialektika shfaqet midis një autoriteti me peshë por që bashkon, dhe një lirie që nuk është në gjendje të ushtrojë ndikimin e vet dhe që çon domosdoshmërisht tek nënshtrimi. Zgjedhja e shkrimtarit të madh rus midis varësisë nga kriteret e jashtme të vullnetit të subjektit dhe autonomisë morale, ishte për këtë të dytën. Prandaj lind edhe diskutimi rreth asaj që do të lejohej në mungesë të Zotit. Çdo gjë?
Sigurisht që do të priremi të themi “jo”, por…kur e humbasim busullën e mirësisë dhe të vërtetës, jo vetëm që humbet kuptimi, por edhe kriteri objektiv për të dalluar atë që është e mirë nga ajo që është e keqe, ajo që duket të jetë nga ajo që është e vërtetë.
Në kohë krize, për dikë e vërteta dhe e mira pësojnë një zhvlerësim, ashtu si paratë, në mënyrë që realiteti si një i tërë e humbet vlerën. Dera që të çon drejt nihilizmit hapet me Fridrih Niçen. Nëse tek libri “Inkuizitori i madh” filli i përbashkët ishte liria e njeriut, tek Niçe ky rol i atribuohet vullnetit të dobët, dhe kjo nga ana tjetër shënon kalimin nga nevoja e faljes tek inati.
Ne ndodhemi në një udhëkryq që na shqetëson drejtpërsëdrejti, për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me ne dhe rreth nesh. Të zgjedhim asgjënë? Arranz shpjegon: “Nihilizmi i Niçes zgjedh vullnetin e fortë, duke hedhur pas krahëve shembjen e moralit të krishterë, për t’i hapur rrugën një skenari të ri për njeriun”.
Pra, jemi tek vullneti që shkon përtej arsyes, dhe këtu është e dukshme lidhja me atë lëvizje që çon në terrorizëm dhe populizëm. Ajo që tek“Vëllezërit Karamazov”, ku sfida e faljes shndërrohet në inat, është një element që nga ana tjetër shfaqet tek terrorizmi dhe populizimi. Historia vazhdon me zemërimin e Zhan Pol Sartrit:“Për filozofin francez, inati duhet të përkthehet në një dhunë të domosdoshme, si një lloj burimi terapeutik”.
Pra,historia e totalitarizmit modern mund të niste duke u bazuar tek disa nga themelet e nihilizmit të tyre, dhe këta të fundit nuk e kishin fare problem të shkelnin mbi arsyen, duke eleminuar miliona qenie njerëzore, për të imponuar botëkuptimin e tyre.
Eseja e Arranz bën shumë përshtypje me përshkrimin e mënyrës sesi zemërimi shndërrohet në akte dhune:Depresioni i Madh i viteve 1929-1933, shkaktoi totalitarizmat, mjerimi ekonomik shkaktoi lindjen e terrorizmit, kriza ekonomike e vitit 2008 populizmat.
“Kjo pakënaqësi gjeneron mosbesim, shqetësim ekzistencial dhe inat ndaj njerëzve dhe mbi të gjitha, ndaj institucioneve. Dhe nëse nuk njihet, denoncohet apo kanalizohet, kjo dukuri mund të çojë në një reagim të dhunshëm. Në rastin e terrorizmit kjo është shumë më e dukshme.
Megjithatë edhe populizmi tenton të përdorë gjuhën e drejtpërdrejtë, agresive dhe kërcënuese, shumë larg respektit dhe edukimit që karakterizojnë demokracitë më të konsoliduara. Në këtë mënyrë popolizimi përshkallëzohet në agresivitetin e vet dhe e përçan të gjithë shoqërinë.
Dhuna shihet si shansi i vetëm dhe i fundit për t’iu përgjigjur pakënaqësisë, siç e shpalli vetë Sartri në parathënien e libri të tij “Të mallkuarit e Tokës”. Duke vazhduar përgjatë kësaj linje, ne mund të shohim se si që të dyja fenomenet çojnë në luftë ndaj njëri-tjetrit brenda së njëjtës shoqëri, dhe shembujt e polarizimit janë të shumtë: e mira dhe e keqja; e jona dhe e të tjerëve.
Zakonisht ne mbështetemi në grupime identitare të vetë-përcaktuara, duke luftuar kundër të tjerëve që janë dukshëm të kundërt me ne dhe më pak të përcaktuar:patriotët autentikë kundër globalistëve, punëtorët kundër imperialistëve, të pasigurtët kundër oligarkëve, etj.
Zgjidhja? Thjeshtëzimi i një sinteze efektive, gjendet tek kjo:“Ne duhet të fillojmë nga një premisë themelore:Nuk ka paqe pa drejtësi. Një zhvillim integral dhe zvogëlimi i pabarazive sociale, është vaksina më e mirë për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve të ngjashme, si në shkallë kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare”.
Burimi i lajmit: https://formiche.net/2021/03/terrorismo-populismo-civilta-cattolica/
Përshtatur nga TIRANA TODAY