Shkencëtarja e BionTech: Brenda 2 vitesh prodhojmë vaksinën kundër kancerit

Nga: Frank Jordans “Medicalxpress”

Shkencëtarja që fitoi garën për të zhvilluar vaksinën e parë të përdorur gjerësisht kundër  koronavirusit, thotë se njerëzit mund të rrinë të qetë se të vaksinat janë të sigurta, dhe se teknologjia që qëndron pas tyre, do të përdoret së shpejti për të luftuar një tjetër plagë globale:kancerin.

Ozlem Tureçi, që bashkë-themeloi kompaninë gjermane BioNTech me bashkëshortin e saj, ishte duke punuar mbi një mënyrë për të shfrytëzuar sistemin imunitar të trupit për luftimin e tumoreve, kur mësoi vitin e kaluar mbi një virus të panjohur që po infektonte njerëzit në Kinë.

Çifti vendosi që atë ditë të niste ta zbatonte teknologjinë që kishte hulumtuar për 2 dekada për të luftuar kërcënimin e ri, duke e pagëzuar përpjekjen me emrin “Project Lightspeed”. Brenda 11 muajsh, Britania e Madhe autorizoi përdorimin e vaksinës mARN BioNTech të zhvilluar në bashkëpunim me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer, e pasuar një javë më vonë nga Shtetet e Bashkuara. Që nga dhjetori i vitit të shkuar, dhjetëra miliona njerëz në të gjithë botën e kanë marrë vaksinë.

“Ia vlen të marrësh vendime të guximshme, dhe të besosh që nëse ke një ekip të mirë, do të jesh në gjendje të zgjidhësh në kohë reale çdo problem dhe pengesë që të del përpara”- deklaroi tha Tureçi në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve “The Associated Press”.

Ndër sfidat më të mëdha për kompaninë e vogël me seli në Mainc, që nuk kishte nxjerrë ende një produkt në treg, ishte si të kryente provat klinike në shkallë të gjerë nëpër rajone të ndryshme, dhe si të shtonte normën e prodhimit për të përmbushur kërkesat globale.

Së bashku me Pfizer, kompania kërkoi ndihmën e kompanisë “Fosun Pharma” në Kinë. Ndër leksionet që ajo dhe burri i saj, kreu ekzekutiv i BioNTech, Ugur Shahin, mësuan së bashku me kolegët e tyre nga kjo pandemi, ishte “rëndësia e madhe e bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Tureçi, që ka lindur në Gjermani nga emigrantë turq, tha se kompania, që ka anëtarë nga 60 vende të botës, iu drejtua që në fillim organeve të mbikëqyrjes mjekësore, për t’u siguruar që lloji i ri i vaksinës të kalonte kontrollin rigoroz të enteve rregullatore.

Në mesin e një paniku që përfshiu Evropën këtë javë, për shkak të pezullimit të përkohshëm të vaksinës së rivalit britaniko-suedez AstraZeneca, Tureçi hodhi poshtë akuzat për një luftë të ashpër tregtare në prapaskenë.

Ndërsa profili i kompanisë BioNTech është rritur shumë gjatë pandemisë, po kështu ka ndodhur edhe me vlerën e saj në treg, duke i siguruar shumë fonde, të cilat kompania mund t’i përdorë për të arritur qëllimin e saj origjinal:zhvillimin e një mjeti të ri në luftën kundër kancerit.

Vaksinat e prodhuara nga BioNTech-Pfizer dhe rivalja amerikane Moderna, përdor ARN-në lajmëtare, ose mARN që e udhëzon trupin e njeriut të prodhojë proteina për të sulmuar një virus specifik. I njëjti parim, mund të zbatohet edhe që sistemi imunitar të sulmojë tumoret e ndryshme që shfaqen në trup.

“Ne kemi zhvilluar disa vaksina të ndryshme kundër kancerit, bazuar tek mARN”-thotë Tureçi, që është zyrtarja kryesore mjekësore e BioNTech. E pyetur se kur mund të jetë i disponueshme një terapi e tillë, Tureçi tha “kjo është shumë e vështirë të parashikohet”.

“Por ne presim që brenda vetëm 2 viteve të kemi vaksinat tona kundër kancerit, dhe mund t’ua ofrojmë ato njerëzve”- theksoi ajo. Tani për tani, Tureçi dhe Shahin po përpiqen të sigurohen që vaksinat që kanë porositur qeveritë e vendeve të ndryshme, të dorëzohen sa më shpejt, dhe që ato t’i përgjigjen me efikasitet çdo mutacioni të ri të koronavirusit.

Burimi i lajmit: https://medicalxpress.com/news/2021-03-scientist-coronavirus-shot-cancer.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY