Ç’po më ndodh? Sapo kam lindur një foshnjë të bukur dhe të shëndetshme. Duhet të isha e lumtur dhe krenare, por në fakt ndihem kaq e dëshpëruar dhe në ankth, madje e inatosur. Mos ndoshta jam një nënë e keqe? Pse jam kaq e trishtuar?
Akademia Amerikane e Mjekëve të Familjes, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve dhe Zyra për Shëndetin e Grave i kanë kushtuar vëmendje të posaçme këtij fenomeni. Sipas një artikulli të kësaj akademie, është përllogaritur se 70 deri në 80 për qind e nënave të reja nganjëherë provojnë këto ndjenja. Por çfarë është depresioni i paslindjes dhe nga se shkaktohet ai? Si mund të përballohet depresioni i paslindjes? Çfarë ndihme mund të japin pjesëtarët e familjes dhe të tjerët?
Çrregullimet
Termi “depresion i paslindjes” ka të bëjë me gjendjet depresive që ndodhin në periudhën pas lindjes. Këto mund të ndodhin pas cilësdo lindje, jo vetëm pas së parës. Madje depresioni mund të shfaqet edhe pas një aborti spontan ose ndërprerjeje shtatzënie. Sipas Zyrës për Shëndetin e Grave në Seksionin e Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Sociale në Shtetet e Bashkuara, simptomat mund të ndryshojnë nga ato më të lehtat e deri tek ato më të rëndat. Shumë gra pas lindjes kalojnë periudha të rënies së humorit, të cilat karakterizohen nga një trishtim i lehtë, ankth, acarim, paqëndrueshmëri e gjendjes emocionale dhe rraskapitje. Kjo gjendje konsiderohet normale dhe zgjat për pak kohë. Ajo kalon vetë, brenda nja dhjetë ditësh pas lindjes së fëmijës, pa qenë e nevojshme ndihma mjekësore.
Megjithatë, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve tregon se afërsisht te 1 në 10 nëna të reja këto ndjenja bëhen gjithnjë e më të theksuara dhe zgjatin më shumë sesa disa ditë pas lindjes. Ato madje mund të shfaqen edhe disa muaj pas lindjes. Ky mund të jetë një depresion i paslindjes që ka përparuar mjaft. Në këtë rast, ndjenjat e trishtimit, ankthit ose të dëshpërimit janë kaq të forta, saqë nëna e re e ka të vështirë të kryejë punët e përditshme. Gjithashtu, nga 1 deri në 3 gra në çdo 1.000 nëna të reja vuajnë nga një formë edhe më e rëndë depresioni që quhet psikoza e paslindjes. Kur ndodh kjo, nëna ka iluzione ose halucinacione, të cilat shpesh përqendrohen në idenë për të dëmtuar veten ose foshnjën. Në këtë rast duhet kërkuar menjëherë ndihma mjekësore.
Shkaqet
Nuk ka një shkak të vetëm dhe të përcaktuar qartë për depresionin e paslindjes. Me sa duket ndikojnë si faktorët fizikë ashtu edhe ata emocionalë. Një nga faktorët fizikë mund të jetë se gjatë 24 deri 48 orëve të para pas lindjes, niveli i estrogjenit dhe i progresteronit bie shumë, dhe është më i ulët sesa para ngjizjes. Kjo gjë sjell një ndryshim të menjëhershëm në gjendjen fiziologjike të trupit. Ky ndryshim mund të shkaktojë depresion në një mënyrë që është shumë e ngjashme me mënyrën se si krijohen luhatjet e humorit dhe gjendja e acaruar para menstruacioneve. Edhe sasia e hormoneve që prodhon gjëndra tiroide mund të bjerë pas lindjes së fëmijës. Kjo mund të sjellë si pasojë simptoma që ngjajnë me depresionin. Për këto arsye kërkuesit e quajnë depresionin e paslindjes një “çrregullim biokimik dhe hormonal”.
Është interesante se sipas një buletini mjekësor, depresioni i paslindjes mund të shkaktohet nga një çekuilibër i lëndëve ushqyese, ndoshta nga mungesa e vitaminës B-kompleks. Gjithashtu mund të luajë rol edhe rraskapitja dhe mungesa e gjumit. Dr. Stiven I. Altshuler, psikiatër në klinikën Mejo në Minesota, SHBA, thotë: “Në periudhën pak pas lindjes së fëmijës, mungesa e energjive dhe paaftësia për të fjetur mund të bëjë që probleme të vogla të duken shumë më të mëdha. Disa gra ndoshta mërziten kur shohin se edhe pse nuk kanë rënie humori dhe kanë fjetur mirë natën, e kanë të vështirë të bëjnë ato gjëra që i bënin fare mirë para lindjes”. Gjithashtu faktorë emocionalë, siç mund të jetë një shtatzëni e padëshiruar, një lindje e parakohshme, humbja e lirisë, shqetësimi për paraqitjen e jashtme dhe mungesa e mbështetjes mund ta rëndojnë depresionin.
Përveç këtyre ka disa koncepte të gabuara e të përhapura rreth të qenët nënë që mund ta bëjnë një grua të ndihet e dëshpëruar dhe të ndihet sikur është një dështake. Në këto mendime futet ideja se aftësitë si nënë janë instiktive, se lidhja midis nënës dhe fëmijës duhet të jetë e menjëhershme, se foshnja do të jetë i përsosur, kurrë acarues, dhe se nëna e re duhet të jetë e përsosur. Në jetën reale nuk ndodh kështu. Aftësitë për të qenë nënë duhen mësuar. Shpesh duhet kohë që të krijohet lidhja midis nënës dhe fëmijës. Gjithashtu, të kujdesesh për disa foshnja është më e lehtë sesa të kujdesesh për foshnja të tjera, dhe asnjë nënë nuk është e përsosur ose nuk ka aftësi mbinjerëzore.
Njihet si sëmundje
Deri para pak kohësh, depresioni i paslindjes shpesh nuk merrej seriozisht. Dr. Lorens Krakman thekson: “Në të kaluarën nuk u është dhënë rëndësi problemeve të shëndetit mendor të gruas. Ato shiheshin si histeri dhe sikur s’ia vlente të merreshe me to. Manuali diagnostikues i Shoqërisë së Psikiatërve Amerikanë nuk e ka pranuar kurrë plotësisht se ekziston një sëmundje e paslindjes dhe si pasojë, mjekët nuk janë informuar rreth saj dhe as nuk janë siguruar të dhëna të sakta për të. . . . Dhe ndryshe nga 30 vjet përpara, shpesh nënat dalin nga spitali brenda 24 orëve. Shumica e psikozave, e ndryshimeve të humorit dhe disa herë edhe e depresionit të paslindjes ndodhin brenda tri deri në 14 ditët e para pas lindjes. Por nënat tashmë janë kthyer në shtëpi dhe nuk janë nën kontrollin e mjekëve profesionistë që i njohin simptomat”. Megjithatë, sipas dr. Karol E. Uotkins në Shoqërinë e Psikiatërve të Qarkut Verior në Baltimorë, Merilend, po të mos diagnostikohet ose të lihet pa mjekim, depresioni i paslindjes mund të çojë në një depresion të gjatë dhe ta bëjë të vështirë që nëna të lidhet me foshnjën. Nënat me depresion mund të ndihen të plogështa dhe prandaj i shpërfillin nevojat e foshnjës ose përkundrazi, humbin vetëkontrollin dhe e ndëshkojnë fizikisht foshnjën për ta disiplinuar. Kjo mund të ndikojë për keq në zhvillimin mendor dhe emocional të fëmijës.
Për shembull, një artikull në revistën mjekësore American Family Physician tregon se fëmijët e nënave me depresion dalin më dobët në testet e inteligjencës sesa fëmijët e nënave që nuk ishin me depresion. Përveç kësaj, depresioni i paslindjes mund të ndikojë për keq te fëmijët e tjerë dhe te bashkëshorti.
Kurimi
Ç’mund të bëhet? A duhet thjesht të bëhesh e fortë derisa të kalojë? Është lehtësuese të dish se është zbuluar që depresioni i paslindjes është i përkohshëm dhe mund të kurohet. Zyra për Shëndetin e Grave thotë se ndërkohë që pushimi dhe mbështetja nga ana e familjes mund të jenë gjithçka që nevojitet kur simptomat janë të lehta, shenja vendimtare që tregon se nevojitet ndihma mjekësore është kur depresioni të pengon të bësh gjërat e zakonshme.
Kurat më të zakonshme përfshijnë ilaçe kundër depresionit, biseda me një specialist në fushën e shëndetit mendor, mjekimin me hormone ose një kombinim i këtyre, në varësi të shkallës së sëmundjes. Edhe kujdesi si i nënës kangur, ku foshnja rri ngjitur me trupin e nënës, mund ta lehtësojë depresionin e nënës. Ka edhe kura të tjera të mundshme siç janë ato me bimë, akupunktura dhe kurat homeopatike.
Megjithatë, ka disa gjëra që mund të bësh edhe vetë për të përballuar sëmundjen. Ha gjëra me vlera ushqyese (ku futen frutat, perimet dhe drithërat); mundohu të mos përdorësh kafeinën, alkoolin dhe sheqerin; bëj ushtrime në masën e duhur; dhe dremit pak ndërkohë që foshnja fle.
Çfarë ndihme mund të japin të tjerët?
Meqë një faktor kryesor në depresionin e paslindjes është mungesa e pushimit të duhur, njerëz të tjerë mund të ndihmojnë, duke marrë përsipër të bëjnë disa nga punët e shtëpisë dhe ta ndihmojnë nënën për t’u kujdesur për fëmijën. Studimet tregojnë se depresioni i paslindjes ndodh shumë më rrallë në ato raste kur rrethi familjar i gjendet pranë nënës së re për ta ndihmuar dhe këshilluar. Shpesh një njeri mund të ndihmojë shumë edhe thjesht duke dëgjuar me empati, duke e qetësuar nënën e re dhe duke mos e kritikuar ose gjykuar. Mos harroni se depresioni i paslindjes është një çrregullim fizik dhe nuk është për faj të nënës. Siç nxjerr në pah organizata Edukimi i Paslindjes për Prindërit, “një grua nuk mund që thjesht ‘ta mbledhë veten dhe ta kalojë’ ashtu siç gjendja nuk varet nga ajo po të ketë grip, diabet ose sëmundje të zemrës”.
Nga ajo që thamë më sipër, është e qartë se ndonëse periudha e paslindjes mund të jetë një kohë e mrekullueshme për nënat, ajo mund të jetë edhe stresuese. Kur mundohemi ta kuptojmë këtë fakt, mund ta kemi më të lehtë që t’u japim nënave të reja mbështetjen për të cilën kanë nevojë.