Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias së fundi ka zbuluar detajet nga bisedimet që po zhvillon me Shqipërinë për paktin detar. Edhe një herë ai është shprehur se Greqia është e interesuar për të zgjeruar detin e saj territorial në 12 milje. Në një intervistë radiofonike, Kotzias shpjegon se kufiri detar do të varet nga mënyra se si do të trajtohen ishujt pranë Korfuzit.
“Ne jemi të interesuar në ndikimin e ishujve të Korfuzit, veçanërisht ishullit Otonoi. Baza për përcaktimin e hapësirës territoriale detare do të jetë 12 milje dhe për herë të parë Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale”.
Ndërsa nga ana tjetër kryediplomati grek, i pyetur në lidhje me negociatat me Shqipërinë, përsëriti se nuk po diskutohej çështja çame, dhe se ai nuk do të pranonte të fliste për një diskutim të tillë.
“Ai sqaroi se fatet e pasurisë së sekuestruar të shtetit dhe individëve shqiptarë para të luftës, nuk janë të lidhur me fatet e çamëve, sepse lufta sapo kishte përfunduar në atë kohë. Pronat çame janë pronat që lidhen me luftën dhe për të cilat ka vendimet gjyqësore të formës së prerë. Është një gjë krejtësisht e ndryshme, sepse ka shumë gjëra konfuze, “tha ai.
Lidhur me ZEZ, Ministri i Jashtëm tha se jemi “në fund të këtij negocimi”. “Ne duam, të arrijmë një zgjidhje 100%, sidomos zonën që është mbi Korfuz, ose mbi të gjitha ishullin Othoni. E them këtë, sepse marrëveshja e bërë në vitin 2009, na dha ndikimin me 100%. Por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bëri një deklaratë:se marrëveshja e bërë në vitin 1977 ne jepte të drejtën e ndikimit në 70%. Kjo është thjeshtë çështje ligjore dhe ne do të marrim të gjithë atë çfarë na takon”.
Gjatë intervistës, Kotzias foli edhe për kërcënimet që ka marrë nga kundërshtarët e bisedimeve me Shqipërinë dhe të marrëveshjes me Maqedoninë për çështjen e emrit. Kotzias rrëfen se i kanë dërguar letra te ngjyrosura me gjak, kuti me plumba dhe mbi 800 mesazhe kërcënuese. Prokuroria, sipas tij, nuk ka reaguar ndaj denoncimeve. Ndërsa nuk le pa përmendur edhe faktin se opozita e ka akuzuar për tolerancë në bisedimet me Tiranën dhe Shkupin.
Burimi: Sigmalive.com
Përshtati: Tirana Today