Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se po zhvillon bisedime jo të lehta me homologun grek Kozias, por theksoi së është bërë progres. Bushati dha një prononcim të shkurtër për gazetarët në Korçë, pas ditës së dytë të takimeve intensive me Nikos Kotzias për çështjet e hapura dhe problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Bushati tha se nuk ka asgjë sekrete pasi temat janë të ditura por ai u shpreh optimist duke theksuar se është bërë progres.
“Faleminderit për durimin deri tani. Na mirëkuptoni që këto janë bisedime jo të lehta dhe tematika është e gjerë, e shtrirë në kohë. Janë rreth 70 vite histori.
Mund t’ju them vetëm që edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm. Nesër do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekrete sepse temat janë thënë publikisht nga të dyja palët. Thjesht jemi në procesin e shtjellimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj që edhe drejt zgjidhjeve konkrete”, deklaroi ministri Bushati.
Ky prononcim u bë pas vizitës së dy ministrave në Muzeun Mesjetar në Korçë.