Europarlamentarja rumune, Monica Macovei, njëherazi kryetare e delegacionit të Komisionit Parlamentar të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, e cila ndodhet këto ditë në Tiranë dhe ku po drejton punimet e këtij Këshilli, gëzon një popullaritet të madh në Bruksel, për shkak të luftës së saj kundër korrupsionit të niveleve të larta në Rumani, duke futur në burg ish-kryeministra, ish-presidentë dhe ish-ministra.Një “fshesë e hekurt”, që i mundësoi vendit anëtarësimin në BE në vitin 2007. Edhe pse në fakt, vendi ballkanik rezulton sërish më problematiku së bashku me Bullgarinë në gjirin e unionit, sa i përket këtij fenomeni.
Qeveritë e njëpasnjëshme rumune, po rrisin presionin ndaj gjyqësorit, dhe zhvillojnë prirje të tjera autoritare.
Macovei, e diplomuar si juriste në vitin 1982 në Bukuresht, në Rumaninë komuniste të Çausheskut, ka qenë ashtu si shumë ish-kolegë të saj në Shqipëri prokurore në të dyja sistemet, midis viteve 1983-1997.
Më pas, angazhohet për disa vite si avokate e të drejtave të njeriut në disa OJQ, dhe kryesisht tek Fondacioni Soros, shkruan Tirana Today.
Macovei emërohet si ministre e Drejtësisë në dhjetor të vitit 2004, pas fitores së papritur të Partisë Demokratike të Traian Baseskut kundër socialdemokratëve të Adrian Nastases.
Të dy këta do të akuzohet më vonë për korrupsion, dhe Basesku do të përfundojë në burg për korrupsion, gjatë një hetimi të nisur që në epokën Macovei, shkruan Tirana Today. Por ambicia për t’u katapultuar në nivelet drejtuese të BE-së në prag të anëtarësimit të vendit në union, e shtoi zellin e zonjë Macovei në betejën e saj antikorrupsion, duke rrezikuar të dalë jashtë shinave kushtetuese, shkruan Tirana Today.
Uebsajti investigativ “Capital Research”, thotë se Macovei e zgjeroi gjerësisht konceptin e “shpërdorimit të detyrës”.
Kodi i ri Penal i Rumanisë, e dyfishoi dënimin për shpërdorim detyre, në 2 deri në 7 vjet. Agjencia Kombëtare e Integritetit (ANI) ishte një tjetër organ hetimor special i Macovei.
Kjo agjenci e re, i trajtoi në thelb të gjithë nëpunësit civilë dhe anëtarët e tyre të familjes si të dyshuar për korrupsion. ANI kërkoi që ata të deklaronin të gjitha pasuritë e tyre, dhe çdo gjë që kishin shitur brenda vitit të kaluar.
Asnjë ligj i tillë nuk ekzistonte askund në BE – gjë që për ironi, Macovei e trajtoi si një standard të artë të ligjit dhe drejtësisë.
Ajo madje mburrej se ANI, “kishte ndikuar mbi jetët e rreth 500.000 njerëzve”. “Kjo praktikë tingëllon e çuditshme në Gjermani apo në Francë, ku deklarata të tilla janë konfidenciale, dhe të depozituara vetëm në institucionin përkatës.
Në Rumani, kjo nuk funksionon”- theksoi Macovei në një intervistë televizive, duke nënvizuar sërish nevojën e metodave disi ekstraligjore për të hetuar korrupsionin në Rumani.
Metodat e Macovei zemëruan çdo nëpunës në sektorin shtetëror përveç kabinetit qeveritar që ishte ende miqësore ndaj saj. Ndërkohë, një udhëheqës i një fraksioni të pakicës në koalicionin qeverisës të Baseskut, i cilësoi taktikat e saj si “antikushtetuese” dhe “staliniste”.
Madje edhe vetë Fondacioni Soros, ku ajo kishte aderuar dikur, dhe që e mbështeste në prapaskenë, shprehu formalisht “shqetësimin se disa nga propozimet e saj mund të çonin drejt një shteti policor”.
Pavarësisht kritikave, Macovei arriti të anashkalojë parlamentin nëpërmjet Drejtorisë së re për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT).
Nëpërmjet një urdhërese emergjente, ajo autorizoi agjencinë të përgjonte bisedat telefonike dhe mbikëqyrte zyrtarët dhe familjarët e tyre. Më 13 shkurt 2007 Senati rumun kaloi me votim të fshehtë një mocion të thjeshtë që bënte thirrje për dorëheqjen e Macoveit.
Mocioni e akuzonte Macovein për vonimin e reformës në drejtësi (përfshirë zbatimin e Kodit Penal të vitit 2004), ndërhyrje në proceset gjyqësore, lehtësimin e lirimit të disa kriminelëve, dhë ndërhyrje në veprimtarinë e Parlamentit.
Mocioni bënte gjithashtu thirrje, për masa që garantonin pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndikimi politik. Mocioni u paraqit nga e djathta dhe u mbështet edhe nga e majta në opozitë.
Ndërkohë OJQ-të e lidhura me Fondacionin Soros, u organizuan për mbrojtjen e saj. Ato e dinin se mund të mbështeteshin tek BE, për të kundërshtuar çdo mosmarrëveshje të brendshme politike, pasi kontrollonin qasjen pothuajse ekskluzive në Bruksel.
Edhe pse Komisioni i Bashkimit Evropian nuk ndërhyri zyrtarisht, zëvendëskryetari i Bundestagut gjerman paralajmëroi se largimi Macovei mund të shkaktonte marrjen e masave ndëshkuese ndaj Rumanisë, për shkak të përpjekjeve për të braktisur reformat e kërkuara.
Edhe media ndërkombëtare përshkroi mocionin e mosbesimit si një përpjekje për të penguar reformat, duke përfshirë përpjekjet e Macovei për të krijuar Agjencinë Kombëtare të Integritetit, e cila do të kontrollonte llogaritë bankare të parlamentarëve rumunë.
Në vitin 2014, Macovei kandidoi si kandidate e pavarur në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, por mori vetëm 4.44 për qind të votave, duke mos kaluar dot në raundin e dytë, ku ajo do të mbështeste presidentin aktual Iohannis, kundër udhëheqësit socialdemokrat Victor Ponta. Në një moment gjatë fushatës, ky i fundit iu referua besimit katolik të Macoveit, në të cilin ajo ishte konvertuar së fundmi. Deklarata u interpretua gjerësisht si një nënkuptim se ajo nuk ishte plotësisht rumune, pasi shumica e madhe e qytetarëve rumunë janë ortodoksë.
Monica Macovei u akuzua disa herë për abuzim me pushtetin në pozicionin e saj si Ministre e Drejtësisë. Një incident i tillë përfshiu një koment që bëri në televizionin kombëtar se gazetarët nuk kishin të drejtë ta kritikonin atë dhe shërbimin e saj, dhe se duhet t’i kushtonin vëmendje “problemeve të tyre” me drejtësinë rumune.
Ndërkohë Aidan White, president i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, kritikoi komentin e Macovei, duke thënë se “çdo gazetari duhet t’i njihet e drejta e preumimit të pafajësisë sidomos nga Ministrja e Drejtësisë”.
Një dosje e publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2008, akuzonte Macovei për “neglizhencë të përsëritur në trajtimin e rasteve, dhe vonesave të përsëritura në zgjidhjen e disa rasteve”, kur ajo ishte prokurore deri në vitin 1997.
Macovei tha se nuk e kishte parë dosjen por s’kishte “asgjë për të fshehur” nga periudha e saj si prokurore. Ajo dha dorëheqjen më 1997-n pas një konflikti me Prokurorin e Përgjithshëm të atëhershëm Nicolae Cochinescu, i cili u shkarkua nga Presidenti Konstantinesku po atë vit për bllokimin e hetimeve politikisht të ndjeshme.
Në prillin e vitit 2006, Macovei sapo hyri në banesën e saj, kur nuhati erën e gazit që kishte mbushur shtëpinë e saj. Policia nuk gjeti ndonjë shpjegim të dukshëm për incidentin, megjithëse mbeti mundësia që hapja e gazit ngjante me një atentat të mundshëm ndaj saj.
Shtypi rumun, raportoi se qeveria nuk mori masa të veçanta sigurie për shtëpinë e saj. Ndër kushtet kryesore për çeljen e negociatave me BE është reforma në drejtësi. Dhe i takon pikërisht zonjës Macovei të bëjë vlerësimin mbi atë çka po ndodh dhe do të ndodhë në vazhdim.
Sipas parametrave të saj, vetëm kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku, është në lartësinë e detyrës. Ashtu si Macovei, edhe Marku është e sulmuar për lëvizjet e saj në vetëm njërin nga segmentet problematikë të drejtësisë, organin e akuzës.Ajo nuk ka ndonjë lidhje të dukshme me fondacionin Soros, por ata që e vendosën në atë detyrë po. Sfida kryesore është largimi i të korruptuarve. Ndërkohë, mbetet të shihet nëse do të ketë realisht gjueti shtrigash, procese apo amnisti politike.
Vetëm atëherë mund të kuptohet, nëse zelli i zonjës Marku ashtu si ai i zonjës Macovei, ka prapa ndonjë skenar tjetër nga ai i shpallur zyrtarisht.
TIRANA TODAY