Një aksident me pasojë 4 të plagosur ka ndodhur pasditen e sotme në Bulqizë, nga të cilët 3 janë fëmijë. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor midis qytetit të vjetër dhe qytetit të ri Bulqizë. Një mjet ka dalë nga rruga duke aksidentuar U.H, K.J, dhe E. B nga 11 vjeç (të treja vajza) si dhe shtetasin Sh. S, 31 vjeç.
Sipas policisë, Aurel H, 19 vjeç, duke drejtuar automjetin me targë AA 690 HY, sipas dëshmisë së tij, dyshohet se për të shmangur një fëmijë që i ka prerë rrugën, ka devijuar mjetin dhe për pasojë ka dalë nga rruga.
Të 4 të aksidentuarit janë dërguar menjëherë në spitalin e Bulqizës ku po marrin ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është dërguar në spital në Bulqizë për ndihmë mjekësore edhe drejtuesi i mjetit, edhe ky jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Drejtuesi i mjetit pas ndihmës mjekësore, do të shoqërohet në Komisariatin e Policisë Bulqizë, për veprime të mëtejshme.