Në mediet kosovarë po qarkullon lajmi se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është refuzuar viza nga Ambasada Britanike.
Por, ky lajm është përgënjeshtruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi. Ky i fundit, në një prononcim për lajmi.net, tha se ky lajm është shpifje, pasi sipas tij, ambasada nuk i ka kthyer ende një përgjigje kryeministrit Haradinaj.
“Është shpifje. Ne kemi apliku për Britani të Madhe, por nuk kemi asnjë përgjigje pasi merr kohë deri sa të kthehet një përgjigje, kurrkush nuk jep përgjigje brenda ditës”, ka thënë Arifi.
Shefi i kabinetit të Haradinajt tha se është një procedurë që kalohet për të marrë vizë dhe se nuk ka asnjë arsye negative që kryeministrit Haradinaj t’i refuzohet viza.
“Pra, kemi apliku para disa ditësh dhe është një procedurë, andaj nuk kemi marrë ende përgjigje. Normal përgjigjen e presim pozitive, pasi nuk ka asnjë arsye negative mos me e marrë”, ka thënë Arifi.
Edhe para pak ditësh është raportuar se kryeministrit i është refuzuar viza për Amerikë, por një gjë e tillë është mohuar edhe vazhdon të mohohet nga zyra e kryeministrit të Kosovës.
Refuzimi i vizës nga Ambasada Britanike vë në pikëpyetje sipas tyre pjesëmarrjen e kreut të ekzekutivit në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që organizohet në fund të shkurtit në Londër.