Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje të martën për një ndalim në të gjithë vendin të armëve sulmuese, pas incidentit në Boulder të Kolorados, ku humbën jetën 10 persona, përfshirë një oficer policie.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se “Unë nuk kam nevojë të pres një minutë, e lëre më një orë, për të ndërmarrë hapa të arsyeshëm për të shpëtuar jetë”. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të vepruar.
“Ne mund të ndalojmë armët luftarake dhe karikatorët me kapacitet të lartë”, tha Presidenti Biden, duke theksuar se ai ka punuar në legjislacione të ngjashme kur ai vetë ishte senator dhe kryetar i Komisionit Juridik të Senatit. Ky ligj u miratua në vitin 1994, por u lejua të skadonte 10 vjet më vonë. Presidenti Biden gjithashtu i bëri thirrje Senatit që të miratojë masat tashmë të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve që do të mbyllnin boshllëqet në ligjet për kontrollin e biografisë për blerjet e armëve.
Komisioni Juridik i Senatit mbajti një seancë dëgjimore të martën me titull “Hapat Kushtetues dhe Logjikë për të Ulur Dhunën me Armë”, e para e një serie seancash dëgjimore të planifikuara për të diskutuar mënyrat e zvogëlimit të dhunës me armë.
Presidenti Biden tha se ai ndan dhimbjen me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të incidentit me armë në Boulder.
Policia tha të martën se ata kanë ndaluar një të dyshuar 21-vjeçar dhe ndaj tij janë ngritur dhjetë akuza për vrasje që lidhen me incidentin me armë në një dyqan ushqimesh në Boulder të hënën.
Midis viktimave, të moshave 20-65 vjeç, ishte edhe oficeri i policisë së qytetit të Boulderit, 51-vjeçari Eric Talley. Oficeri Talley ishte ndër të parët që arriti në vendngjarje dhe u përfshi në një shkëmbim me armë zjarri me të dyshuarin, i cili njoftohet se kishte një pushkë të stilit luftarak. Asnjë polic tjetër nuk u lëndua. Ende nuk është dhënë asnjë motiv për të incidentin me armë në Boulder.
Presidenti Biden vuri në dukje se incidenti në Kolorado pason sulmin me armë të para një jave në Atlanta, ku u vranë tetë njerëz. Flamujt në kryeqytetin amerikan në Uashington, tashmë ishin vënë në gjysmë-shtizë për nder të atyre viktimave.
I dyshuari, Ahmad Al Aliwi Alissa nga Arvada e Kolorados, sulmoi brenda supermarketit King Soopers në qytetin Boulder, i armatosur me një pushkë automatike dhe një pistoletë dhe i veshur me jë jelek luftarak.
Hollësitë rreth personit të dyshuar filluan të publikohen në media të martën. Ai është shtetas i natyralizuar amerikan me origjinë nga Siria, sipas dy zyrtarëve ligjzbatues.
Ali Aliwi Alissa, vëllai 34-vjeçar i personit të dyshuar, i tha gazetës The Daily Beast se vëllai i tij ishte anti-social dhe paranojak.
Policia tha se më 16 mars Alissa bleu një armë sulmuese të llojit AR-15.
Ai u nxorr nga një spital, ku po mjekohej për një plagë në këmbë që pësoi gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë dhe u transportua në burgun e qarkut të martën pasdite në pritje të paraqitjes së parë në gjykatë nën akuzat e vrasjes me paramendim. E kaluara e tij kriminale përfshin një akuzë të vetme për sulm të shkallës së tretë në vitin 2018.
Autoritetet thanë se ishin të sigurt se ai veproi i vetëm, megjithëse nuk ofruan ndonjë hollësi mbi atë që mund ta kishte motivuar 21-vjeçarin të hapte zjarr në dyqan.
“Do të ishte e parakohshme për ne që të nxjerrim ndonjë konkluzion tani për tani,” tha në një konferencë për shtyp Michael Schneider, agjent i FBI-së në Denver.
Të 10 viktimat e vrasjeve janë të mëshave nga 20 në 65 vjeç dhe përfshijnë oficerin e policisë Eric Talley, 51 vjeç dhe baba i shtatë fëmijëve. Kohët e fundit oficeri kishte kërkuar një punë më pak të rrezikshme, sipas një deklarate të lëshuar nga i ati i tij.
Policia identifikoi nëntë viktimat e tjera si Denny Stong, 20 vjeç; Neven Stanisic, 23; Rikky Olds, 25 vjeç; Tralona Bartkowiak, 49 vjeç; Suzanne Fountain, 59 vjeç; Teri Leiker, 51 vjeç; Kevin Mahoney, 61 vjeç; Lynn Murray, 62 vjeç; dhe Jody Waters, 65 vjeç.
Sulmi i së hënës, i cili filloi rreth orës 2:40 pasdite, bëri që qindra oficerë të policisë të shkonin në vendin e ngjarjes. Blerësit dhe punonjësit brenda supermaketit vraponin të tmerruar për të dalë jashtë nën të shtënat e armëve.
Shteti Kolorado ka qenë arenë e disa prej episodeve më tronditëse të dhunës me armë në historinë e SHBA, duke përfshirë incidentin e vitit 2012 në një kinema të qytetit Aurora dhe atë të vitit 1999 në Shkollën e Mesme Columbine pranë qytetit Littleton.
Gjakderdhja e fundit vjen vetëm gjashtë ditë pasi një person i armatosur kreu vrasje më 16 mars në zonën e Atlantës, duke qëlluar për vdekje tetë persona para se të arrestohej.
“Sot më dhemb zemra”, tha të martën Guvernatori i Kolorados Jared Polis. “Flamujt sapo ishin ngritur përsëri pas ngjarjes tragjike në Atlanta që mori tetë jetë dhe tani një tragjedi mu këtu afër në një dyqan ushqimesh që mund të jetë një dyqan ushqimor i secilit prej nesh.”
Dy ngjarjet pritet të shtojnë presionin ndaj Presidentit Joe Biden për të përmbushur zotimin e tij të fushatës për kufizime më të rrepta lidhur me armëmbajtjen. Por legjislacioni për të ndaluar armët sulmuese dhe për të forcuar kontrollet për blerësit ka hasur në kundërshtimin republikan në Kongres.
“Nuk kam nevojë të pres as edhe një minutë, e jo më një orë, për të ndërmarrë hapa të arsyeshëm që do të shpëtojnë jetë në të ardhmen,” tha zoti Biden në Shtëpinë e Bardhë të martën. “Kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë një çështje partiake,” tha ai.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe Udhëheqësi i Shumicës së Senatit Chuck Schumer, që janë udhëheqësit demokratë në Kongres, thanë të martën se dhuna nënvizoi përsëri nevojën për ligje më të rrepta për armëmbajtjen. /Zëri i Amerikës/