Në një hap të madh drejt kthimit në jetën e para pandemisë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve lehtësuan të enjten udhëzimet për mbajtjen e maskave për njerëzit plotësisht të vaksinuar, duke i lejuar ata të ndalojnë të mbajnë maska jashtë dhe në pjesën më të madhe të ambienteve të brendshme.
“Sot është një ditë e mrekullueshme për Amerikën,” tha Presidenti Joe Biden gjatë një fjalimi në Kopshtin e Trëndafilave duke njoftuar udhëzimin e ri, në një dalje për shtyp ku ai dhe stafi i tij ishin pa maska.
Disa orë më herët në Zyrën Ovale, ku zoti Biden po takohej me ligjvënësit republikanë të vaksinuar, ai i tha grupit që mund të hiqte maskat, kur u njoftua udhëzimi.
“Nëse jeni plotësisht të vaksinuar, nuk keni më nevojë të mbani maskë,” tha ai, dhe inkurajuar amerikanët që të bënin vaksinën. “Bëni vaksinën – ose mbani maskë derisa ta keni bërë.”
Udhëzimi vazhdon të kërkojë mbajtjen e maskave në ambiente të mbushura me njerëz si autobusë, aeroplanë, spitale, burgje dhe qendrat e të pastrehëve, por kjo do të ndihmojë në hapjen e rrugës për rihapjen e vendeve të punës, shkollave dhe vendeve të tjera – madje edhe shmangien e nevojës për distancim fizik për ata që janë plotësisht të vaksinuar.
“Të gjithë e kishim pritur këtë moment – kur mund t’i kthehemi një farë ndjesie normaliteti,” tha Rochelle Walensky, drejtoreshë e CDC-së, në një konferencë më herët në Shtëpinë e Bardhë.
CDC dhe administrata e zotit Biden janë përballur me presion për të lehtësuar kufizimet për njerëzit e vaksinuar plotësisht, pjesërisht për ta vënë theksin tek përfitimet e marrjes së goditjes. Fushata agresive e vaksinimit në vend ka dhënë rezultat: Rastet e virusit në SHBA janë në nivelin më të ulët që nga shtatori, vdekjet janë në pikën më të ulët që nga prilli i kaluar dhe shkalla e pozitivitetit është në pikën më të ulët që nga fillimi i pandemisë.
Zonja Walensky tha se ndryshimi i shumëpritur bëhet falë miliona njerëzve që janë vaksinuar dhe bazohet në studimet e fundit shkencore më të fundit se sa mirë po funksionojnë ato.
“Kushdo që është plotësisht i vaksinuar mund të marrë pjesë në aktivitete të brendshme dhe të jashtme – të mëdha ose të vogla – pa veshur maskë dhe pa u distancuar fizikisht,” tha Dr. Walensky. “Nëse jeni plotësisht të vaksinuar, mund të filloni të bëni gjërat që nuk po i bënit për shkak të pandemisë.”
Udhëzimi i ri ka të ngjarë të krijojë konfuzion, pasi nuk ka asnjë mënyrë të pagabueshme për bizneset ose të tjerë që të bëjnë dallimin mes atyre që janë vaksinuar plotësisht dhe atyre që nuk janë vaksinuar.
“Miliona Amerikanë po bëjnë veprimin e duhur dhe po vaksinohen, por punonjësit e domosdoshëm janë ende të detyruar të luajnë rolin e policit të maskës për blerësit që nuk janë të vaksinuar dhe refuzojnë të ndjekin masat lokale të sigurisë për COVID,” tha Marc Perrone, presidenti i Sindikatës për Punonjësit e Industrisë së Ushqimit. “A mos duhet që ata tani të bëhen police vaksinimi?”
Dr. Walensky dhe Presidenti Biden thanë se njerëzit që nuk janë plotësisht të vaksinuar duhet të vazhdojnë të mbajnë maska brenda.
“Kemi ardhur deri këtu – ju lutemi mbrojeni veten deri në vijën e finishit,” tha zoti Biden, duke theksuar se shumica e amerikanëve nën 65 vjeç nuk janë ende të vaksinuar plotësisht.
Ai tha se qeveria nuk do të kontrollojë udhëzimet për maskat për ata që nuk janë vaksinuar plotësisht.
“Ne nuk do të shkojmë të arrestojmë njerëzit,” shtoi zoti Biden, i cili tha se ai beson se populli amerikan do vetë të kujdeset për fqinjët e tij. “Nëse nuk jeni vaksinuar, mbani maskën për mbrojtjen tuaj dhe mbrojtjen e njerëzve të tjerë që nuk janë vaksinuar akoma.”
Paqartësia mbi faktin se kush është dhe kush nuk është vaksinuar bëri që Lawrence Gostin, një ekspert i së drejtës së shëndetit publik në Universitetin Georgetown, t’i quajë udhëzimet e CDC-së “konfuze dhe kontradiktore”.
“Publiku nuk do të ndihet komod në një hapësirë të mbushur me njerëz nëse nuk është i sigurt nëse personi pa maskë që qëndron pranë tyre është apo jo i vaksinuar,” tha ai.
Njoftimi erdhi ndërsa shumë shtete dhe komunitete tashmë kanë hequr mandatet e maskave mes rënies së numrit të infkesioneve dhe ndërsa më shumë amerikanë nuk po i përdorin maskat pas vaksinimit.
Deri tani më shumë se 154 milion Amerikanë, gati 47% e popullsisë, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19 dhe gati 119 milionë janë vaksinuar plotësisht. Ritmi i vaksinimeve është ngadalësuar në javët e fundit, por me autorizimin të mërkurën të vaksinës Pfizer për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, në ditët në vazhdim pritet një fluks i ri vaksinimesh.
“Le të jemi të duruar, me njëri-tjetrin,” tha zoti Biden, duke pranuar se disa amerikanë mund të hezitojnë të heqin maskat pas më shumë se një viti që jetojnë në një pandemi që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 584,000 njerëzve në SHBA dhe më shumë se 3.3 milion njerëzve në të gjithë botën.
Njoftimi i CDC se amerikanët mund të fillojnë të heqin një nga simbolet më të dukshme të pandemisë, është në kontrast të thellë me vendet e tjera, ndërsa pjesa më e madhe të botës ende po lufton për të frenuar virusin midis pabarazive globale në vaksinime.
Dr. Walensky tha se të dhënat nga SHBA dhe Izraeli tregojnë se vaksinat janë po aq mbrojtëse në botën reale sa ç’kishin treguar studimet e mëparshme dhe se deri tani ato vazhdojnë të funksionojnë edhe pse po përhapen disa versione shqetësuese të mutacionit të virusit.
Ka disa përjashtime. Dr. Walensky inkurajoi ata që kanë sistem të dobët imunitar, të tilla si nga transplantet e organeve ose trajtimi i kancerit, të flasin me mjekët e tyre para se të heqin maskat.
Udhëzimi i ri pati një efekt të menjëhershëm në Shtëpinë e Bardhë, e cila ka marrë një qasje të kujdesshme për të lehtësuar kufizimet e virusit. Personeli u informua se maskat nuk do të kërkohen më për njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar. /VOA/