Safet Rustemi Bajri, Shqiptari më i kërkuar nga drejtësia belge thyen heshtjen duke folur për herë të parë përmes, një interviste ekskluzive për Report TV dhënë gazetarit Artan Hoxha. Bajri gjatë ditëve të fundit është kryer në një mollë sherri mes qeverisë belge dhe opozitës, ndërsa media e ka cilësur si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.
Gjatë kësaj interviste ai tregon se si lindën problemet me drejtësinë belge, për dërgimin në Shqipëri dhe se si u përdor emri tij në luftën e brendshme politike nga ish kryeministri Berisha. Safet Bajri tregon se ai në Belgjikë ka punuar si roje sigurie në një lokal e më pas sëbashku me pronarin dhe disa persona të tjerë është arrestuar. Sipas tij kjo ka të bëjë me konkurencën.
Safet Bajri me detaje tregon për arrestimin e dytë pasi u kap një shqiptarë me 500 gram grogë dhe policia belge e lidhi kapjen e drogës me të.
Safet Bajri në këtë intervistë hedh poshtë të gjitha aludimet për lidhje me PS ndërkohë për herë të parë ai rrëfen për lidhjet e tija me demokratët të cilat datojnë shumë vite më parë gjatë një fushate elektorale.
Intervista e plotë:
Kur keni shkuar në Belgjikë dhe për çfarë keni shkuar?
Në Belgjikë kam shkuar në vitin 2010. Kam kërkuar azil, i cili m’u refuzua dhe mbeta si emigrant, si gjithë të tjerët. Në Belgjikë kam punuar si roje në një lokal, me shokët, në Bruksel. Aty pastaj kanë arrestuar pronarin e lokalit, mua dhe gjithë të tjerët, për konflikt interesash që kishte pronari me persona të tjerë dhe me lokale të tjera të lojërave të fatit. Më kanë bërë një dosje me të cilën unë nuk kisha fare lidhje. Nuk kishin se ç’të bënin tjetër. Unë isha vetëm roje se punoja në të zezë, pa letra. Nuk kishin asnjë lloj akuze për mua dhe më quajtën organizator. Më falsifikuan dosjen sepse i kam përgatitur të gjitha letrat në Shqipëri për të dalë përpara drejtësisë. Jam i hapur.
Kur jeni ndaluar për herë të parë?
Jam ndaluar më 2 tetor të vitit 2014.
Jeni ndaluar në objektin ku punonit apo në banesë?
Jam ndaluar në rrugë. Më kanë mbajtur rreth 15 muaj brenda. Më kanë liruar pasi kam paguar 25.000 euro, herën e parë, pasi kam lënë kredi bankare. Më lanë të lirë. Kam vazhduar gjyqet dhe nuk i jam larguar shtetit belg. Kam shkuar për çdo gjyq.
Kur jeni ndaluar herën e parë, ju është bërë kontrolli në banesën ku qëndronit?
Posi.
Është gjetur ndonjë element tjetër, ndonjë send tjetër në banesë, p.sh. armë?
Asgjë. Asnjë send tjetër.
Herën e parë që keni qëndruar i ndaluar në burg, jeni dënuar? Si ka qenë dënimi nga shteti belg?
Më lanë të lirë, pastaj meqë më liruan, më kanë dënuar 9 vjet. Më lanë të lirë, veçse më morën lekët. Më kanë lëtë të lirë meqë u falsifikua dosja. U deklarua edhe në medien belge që dosja ishte falsifikuar. Kaloi policia në procedim penal. Arsyeja ishte se të njëjtët policë punonin roje te lokaket e lojërave të fatit. Atje është mbretëri dhe policia federale është në varësi të mbretërisë dhe nuk pyet askënd. Dhe kështu u përqendruan te ne. Gjatë kësaj kohe më dënuan mua, më dënuan vëllanë, kisha vëllanë tjetër në Shqipëri, pa qenë kurrë në Belgjikë, 9 vjet burg në Shqipëri e kanë dënuar në Belgjikë me 6 vjet burg. Pa qenë kurrë në Belgjikë sepse është vëllai i madh.
Nga momenti që u liruat, pasi ishit ndaluar për herë të parë, sa kohë keni qëndruar i lirë dhe kur jeni ndaluar sërish atje?
Pas rreth 9 muajve.
9 muaj keni qëndruar i lirë?
Po, i lirë.
Ku? Në Bruksel?
Në Bruksel, se nuk kisha të drejtë të largohesha nga territori belg dhe shkoja për çdo gjyq, kur kisha gjyq. Pas 9 muajve më arrestuan përsëri.
Ku ju kanë ndaluar?
Në të njëjtin vend prapë, aty në lagje.
Kur ju ndaluan për herë të dytë, për çfarë akuze?
3 muaj më parë kishin kapur një person me rreth 500 gramë drogë. Pas 3 muajve më arrestuan mua dhe më thanë për drogë. Më thanë që kishin kapur një person 3 muaj para dhe që droga ishte e imja. U thashë: “Kush ju tha që ishte e imja? Kam ndonjë telefonatë, ndonjë shenjë gishti apo flet vetë personi për këtë?”. M’u përgjigjën: “Jo. Ne dyshojmë se është e jotja”. Më futën në burg dhe më mbajtën 8 muaj. Më morën përsëri edhe 20.000 euro të tjera që të më lironin.
45.000 euro.
45.000 euro. M’i morën prapë lekët. Nuk kishin rrugë tjetër se çfarë të bënin se ishte ngushtuar shumë. Avokati deklaroi në gjykatë dhe në media se do të ankohej te “Të drejtat e Njeriut”. Më liruan, më prenë biletën e avionit, më hipën në avion dhe më kthyen në Shqipëri. Tani më kanë dënuar në mungesë. Flet parlamenti belg, flet ministri i Drejtësisë i Belgjikës. Pse nuk foli në kohën kur u falsifikua dosja dhe më arrestuan? Apo se jam shqiptar?
Nga momenti që gjykata belge ka vendosur për largimin tuaj nga Belgjika, nëse ju kujtohet si moment, në çfarë vendi keni qenë i izoluar atëherë dhe si ka funksionuar procedura? Kur është prerë bileta? Si ju kanë transportuar nga aty në aeroport? Dhe pastaj nga aeroporti në Tiranë, si keni ardhur? Nëse e kujtoni si datë dhe si kohë?
Po, e kujtoj të gjithën. Ka marë vendimin gjykata dhe më ka liruar. Kam bërë depozitën e lekëve dhe më 14 qershor më kanë hipur në avion. Më kanë liruar dhe pas dy ditësh më kanë hipur në avion.
Ju kanë shoqëruar me polici nga banesa apo prej burgut?
Me polici më kanë çuar në Lilë të Francës. Nga Franca më kanë kthyer. U kërkova autoriteteve të burgut, u thashë që nuk isha për ekstradim sepse do të paraqitesha në gjyq. U thashë që nuk mund të më kthenin në Shqipëri sepse gjykata më kërkonte që të paraqitesha në gjyq. Nuk mund t’i shmangesha drejtësisë edhe pse vetë e dija qëisha i pafajshëm. Edhe një herë tjetër më kishin liruar dhe unë nuk i isha shmangur drejtësisë. Ata më thanë që ishte marrë vendimi për të më kthyer në Shqipëri. Më vunë 15 vjet ekspuls, më kthyen për në Shqipëri, paskan vazhduar gjyqet dhe më kanë dënuar sipas qejfit të tyre.
Kur zbritët në Rinas, policia shqiptare ju ka ndaluar? Kishit dokumente me vete?
Kam pasur letrat e burgut. Ka bërë verifikimin policia shqiptare. Jam i pastër. Nuk kam pasur probleme me policinë shqiptare asnjëherë.
Nga momenti që keni ardhur në Shqipëri, më 14 qershor të vitit 2017 dhe deri sot, keni lëvizur lirisht në Shqipëri?
Gjithkund.
A jeni vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare, nga Prokuroria apo nga Policia e Shtetit që ndaj jush ka ndonjë akuzë për ndonjë vepër penale ose ka ndonjë dënim?
Jo, jo, asnjëherë. Asnjë lloj informacioni. As më ka lajmëruar kush. Vetëm kur e kam parë në media.
Ndonjë fletëthirrje ju ka ardhur nga Prokuroria apo ndonjë njoftim?
Jo, absolutisht.
Pra, deri tani nuk jeni vënë në dijeni nga autoritetet tona se ka një urdhër ndalimi ndaj jush?
Në mënyrë absolute. Asgjë. As se vazhdon gjyqi atje nuk jam në dijeni. Ata më kthyen vetë.
Nga kontakti që keni pasur me avokatin tuaj në Belgjikë, kur jeni vënë në dijeni që në adresën tuaj është dhënë një dënim nga gjykata belge.
Jam vënë në dijeni meqë ishte dhënë dënimi. Nuk e mbaj mend se në çfarë date, por mund të ketë rreth një muaj para.
Dënimi kur është dhënë? Në momentin që jeni larguar ju? Ju jeni larguar në qershor të vitit 2017.
Dënimi është dhënë rreth 7-8 muaj më pas.
Pra në vitin 2018.
Po, më 2018.
Keni komunikuar me avokatin? Çfarë ju ka thënë në lidhje me procesin?
Më ka thënë që më kanë dënuar. S’ka marrë më pjesë avokati sepse mua ata më kthyen dhe më thanë që nuk ke më punë këtu.
Keni pasur ndonjë njoftim ju nga gjykata belge që duhet të paraqiteni në proces?
Jo, asgjë. Nuk kam pasur asnjë lloj njoftimi. Po të kisha pasur njoftim do të isha munduar të shkoja, pavarësisht se e kam të ndaluar të lëviz në të gjithë Evropën, prej Belgjikës sepse më kanë vënë 15 vjet ekspuls.
Po avokati juaj atje ka pasur njoftim që të paraqitet në gjykatë?
Nuk ka pasur. Avokati nuk e ka marrë më dosjen time sepse ata mua më kthyen për në Shqipëri. Më vunë ekspuls dhe më kthyen për në Shqipëri.
Dënimi është dhënë përafërsisht në shkurt të vitit 2018, pra 8 muaj pas momentit kur ju u larguat nga Belgjika. Në momentin kur është dhënë ky dënim, jeni njohur me të? Çfarë akuzash janë dhe çfarë ka vendosur gjykata belge?
Po, i kam tërhequr letrat. Kanë kapur një person me 500 gramë lëndë narkotike 3 muaj para, siç ta shpjegova më lart. Nuk flet askush për mua. Të gjitha herët që jam arrestuar dhe jam dënuar ka qenë i njëjti grup policor, që përbëhet nga 4-5 federalë belgë, të cilët punojnë si roje të këtyre objekteve. Janë me gradën gjeneral.
E keni apeluar dënimin nëpërmjet avokatit?
Jo, jo sepse jam dënuar në mungesë dhe jam dënuar pa avokat. S’kam pasur se si ta apeloj.
Gjatë kësaj kohe, emri juaj është përmendur shumë sidomos nga mediat belge dhe pastaj edhe nga mediat shqiptare. jeni vënë në dijeni në lidhje me këto?
Po, i kam lexuar. Kam komunikuar edhe me avokatin. Nuk e kuptoj se për çfarë hyn politika tek unë. Çfarë lidhje ka politika me mua?
Ju jeni akuzuar nga mediat belge dhe shqiptare si bos mafioz, pjesëtar i një organizate mafioze me aktivitet të madh në veri të Shqipërisë, ndërkohë i akuzuar në Belgjikë në lidhje me trafik narkotikësh, përdorim i armëve të zjarrit, vrasje, zhdukje personash, që kontrolloni në Shqipëri një pjesë të madhe të plazhit të Velipojës, që është plazhi më i madh në veriperëndim të Shqipërisë. Po ashtu akuzoheni se jeni një person me mbështetje shumë të madhe në Shkodër dhe se keni ndihmuar Partisë Socialiste që të fitonte në zgjedhjet e vitit 2017. Rreth gjithë këtyre, ku e shikoni veten, ku dhe sa jeni i përfshirë?
Për sa i përket plazheve është fare e thjeshtë dhe është diçka që verifikohet. Unë nuk kam asnjë lloj plazhi. Nuk kam asnjë lloj prone dhe këtë mund ta verifikoni në bashki.
Jeni i martuar, keni fëmijë e familje?
Jam beqar.
A figuron emrin juaj në ndonjë biznes?
Jo. Asnjë gjë. Me peshkun kam punuar shumë sepse kam një rezervuar, sa për të jetuar.
Po automjet në emrin tuaj sepse kam parë një deklaratë të ish-kryeministrit që publikonte disa automjete për të cilat thoshte se ishin prona juaj?
S’kam asnjë lloj automjeti. Ku t’i marr?
Po në lidhje me këto akuzat e tjera që janë bërë edhe nga mediat belge, duke ju përfshirë si një nga bosët e rëndësishëm në një familje të identifikuar me mbiemrin Bajri. Çfarë përfaqësoni ju?
Unë përfaqësoj vetveten. Me mbiemrin Bajri ka shumë njerëz në Shkodër. Nuk është vetëm familja ime. Por te familja ime Bajri, unë përfaqësoj veten time. Familja ime nuk ka asnjë lloj problemi me shtetin, asnjë nga pjesëtarët e familjes sime. Ne nuk kemi asnjë lidhje me politikën. Unë s’kam qenë pjesë e zgjedhjeve dhe nuk kam ndihmuar Luan Arushën, siç thonë. Luan Arushënm e kam fqinj në lagje, por nuk kam asnjë lloj komunikimi me këtë person.
Në zgjedhjet e fundit, gjatë fushatës, ju keni qenë i ndaluar në burg, në Belgjikë.
Po.
Dhe keni ardhur vetëm 10 ditë para zgjedhjeve. Jeni përfshirë në fushatë?
Asnjëherë. Kam qenë në Tiranë në atë kohë dhe kam ndenjur atje.
Po në zgjedhjet e mëparshme, cilën forcë politike keni mbështetur?
Në vitin 2013 jam marrë me zgjedhjet dhe kam qenë vëzhgues i përgjithshëm në zonën e rrethinave. Kam qenë për Partinë Demokratike dhe kam mbështetur Bardh Spahinë.
Keni votuar?
Po, sigurisht. Kam qenë vëzhgues i përgjithshëm në të gjitha qendrat e votimit.
Keni qenë i pajisur me dokumentet e duhura?
Po, me dokumente. Po t’i kërkoni i gjeni.
Jeni paguar?
Jo, e kam bërë vullnetarisht sepse bindja ime politike ka qenë Partia Demokratike.
Po në zgjedhjet e tjera?
Nuk jam përzier më me politikë dhe as nuk dua të përzihem më.
Në fushatën e vitit 2013 kush ju ka kontaktuar që të ishit vëzhgues? Cili nga përfaqësuesit e PD-së?
Bardh Spahija.
Po më pas keni mbajtur kontakte shoqërore apo njerëzore?
Jo, nuk kemi pasur më kontakte. Unë ika jashtë shtetit.
Akuzat kryesore që janë bërë sidomos në javët e fundit në nivel politik dhe mediatik, edhe në Shqipëri edhe në Belgjikë, ju etiketojnë si një bos mafioz që drejton një organizatë të madhe, e cila kontrollon Shkodrën dhe veriun e Shqipërisë dhe që ndikon politikisht edhe në zgjedhjet për parlamentin e Shqipërisë, gjithashtu që drejtoni një strukturë shumë të madhe që mbështet dhe ka lidhje direkte me kryeministrin e Shqipërisë. Çfarë është e vërtetë?
Në radhë të parë, unë nuk kam asnjë lloj biznesi timin. Nuk kam fare lidhje me politikën. Nuk kam marrë pjesë në këto organizata për të cilat flasin. Ju mund ta verifikoni që as nuk kam dhe as kam pasur ndonjëherë biznes timin. Nuk e di fare se çfarë organizatash janë këto që përmenden dhe as nuk kam lidhje me to. Unë sot, aktualisht jam një njeri i papunë. Në Shqipëri jam person i lirë, nuk kam asnjë lloj dënimi. Nuk më kërkon shteti shqiptar.
Po pse nuk njihni ju asnjë nga këta që organizon fisin e madh Bajri dhe organizatën e madhe Bajri? Cili është pozicioni juaj?
Pozicioni im është që unë jam Safet Bajri dhe flas vetëm për veten time. Nuk kam lidhje dhe as nuk mund të komandoj asnjë nga fisi Bajri. As me bindjet e tyre politike nuk merrem. Me asgjë. Ata janë që të gjithë mbi moshën 18 vjeç dhe nuk do më dëgjojnë mua. Fisi Bajri është një fis shumë i madh. Unë nuk mund të ndikoj as te vëllai im, kështu që mund të flas vetëm për personin tim. Nuk kam lidhje fare me politikën.
Një nga akuzat që është bërë ditët e fundit është dhe ajo që ju drejtoni një pjesë të konsiderueshme të plazhit të Velipojës, e administroni dhe jeni pronar i atij biznesi. Në fakt a keni lidhje ju në Velipojë? Keni ndonjë aktivitet atje në pjesën e turizmit?
Asnjë lloj aktiviteti, asgjë. Kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të verifikohet. Shkoni në bashki dhe kontrolloni dokumentet nëse figuron emri im.
Një ndër akuzat që është bërë ditët e fundit është në lidhje me përdorimin e një fotoje e cila është e lidhur me idenë tjetër që është bërë pasi ka ndodhur një ngjarje në Shkodër javët e fundit. E para, ku është bërë ajo foto? Dhe e dyta, çfarë lidhjeje keni ju?
Ajo foto është bërë në Belgjikë, është po ajo që del edhe në gazetat belge. Është foto e hershme. E dyta, unë kam qytetar i lirë dhe mund të dal në foto kudo, në tarracë, në lokal etj. Për sa i përket ngjarjes, kur e kam dëgjuar më ka ardhur keq sepse nuk ua dua të keqen njerëzve. Por nuk e kuptoj se çfarë problemi ka se kam dalë në tarracë? Unë jam qytetar i lirë, mund të rri ku të dua.
Në rast se në një moment autoritetet shqiptare do të kërkojnë që ju të viheni në dispozicion të drejtësisë në lidhje me çështjet që kanë ndodhur në Belgjikë. Ndërkohë ju thatë që deri tani nuk ju ka thirrur kush. Thatë dhe që nuk i jeni shmangur drejtësisë. Madje për sa i përket Belgjikës tatë që ju deportuan ata nga Belgjika dhe jo se ju donit t’i shmangeshit gjykatës. Si do të reagonit nëse ju vjen një ftesë e tillë?
Jam i gatshëm dhe është diçka që unë vetë e kërkoj një orë e më parë që të bëhet, që të ballafaqohem me këtë gjë sepse unë e di që jam dënuar duke qenë krejt i pafajshëm. Belgjika është mbretëri dhe Belgjika më dënoi vetëm se jam shqiptar. Atje racizmi është në maksimum. Belgjika nga jashtë duket si një vend demokrat, por unë e kam provuar vetë drejtësinë belge, ku asnjëherë nuk jam dënuar për një fakt, por vetëm për mendimin e tyre sepse ata kanë menduar se unë jam i aftë për ta bërë këtë gjë.
Ju thatë se jeni ndëshkuar disa herë me kuotizacion në Belgjikë. Sa është shuma që keni paguar për autoritetet belge?
Më kanë marrë 45.000 euro. Merr lekë, fund brenda, liro. Morën lekë prapë, më lanë të lirë, më kthyen në Shqipëri. T’i sekuestrojnë lekët, nuk t’i kthejnë më. Kam familjen akoma me lekë borxh. Cila është ajo familje që nuk mundohet të ndihmojë njeriun e vet që të mos e lërë brenda? Akoma familja ime ka lekë borxh në lidhje me pagesat që kam bërë në Belgjikë.
Ju ku jetoni aktualisht në Shkodër? Cila është banesa juaj apo prona juaj? Ndonjë resort apo ndonjë vilë e madhe?
Një hyrje në pallat, një dhomë e një kuzhinë. Jetoj me pleqtë. S’kam as shtëpi, as vilë, as biznes, asgjë.
Cilat janë këto lidhje? Çfarë lidhjesh keni ju në familje?
Asnjë lloj lidhje, asnjë lloj komunikimi. Unë jam i gatshëm që t’ju jap edhe telefonin tim. Çojeni diku, verifikojeni ku të doni në rast se unë kam ndonjë komunikim me cilindo deputet. Asnjëherë. As kafe nuk kam pirë ndonjëherë me ta.
E keni takuar ndonjëherë kryeministrin e vendit ose ish-kryeministrin Berisha? Keni qenë në ndonjë miting apo e keni mbështetur në fushatë?
Asnjëherë.
Emri juaj përmendet nga ish-kryeministri Berisha. Ndërkohë ju thatë që keni qenë vëzhgues dhe komisioner i Partisë Demokratike në vitin 2013. A keni bërë ndonjë kontakt për të ditur se çfarë po ndodh?
Me sa kam dëgjuar prej njerëzve atij ia çojnë të shkruara. Nuk i sheh fare. Nuk i kontrollon fare. Edhe unë mund t’i shkruaj kot dhe ai i publikon. Është e kotë të kontaktosh me të. Ai ashtu bën për të gjithë. Ai ka qenë kryeministër dhe president i Shqipërisë dhe duhet t’i lërë vend vetes që ta respektojnë, por ndoshta edhe mosha bën të veten. Nuk kontrollon më asgjë.
Një nga elementët që është nxjerrë së tepërmi kohët e fundit është përpjekja për të dëshmuar që ju i jeni shmangur drejtësisë. Në fakt ju u jeni shmangur autoriteteve belge?
Aspak. Ato më kanë kthyer vetë në aeroport, me biletë të paguar prej tyre. Më kanë shoqëruar me polici në aeroport derisa ka ardhur e më ka marrë policia shqiptare. Janë bërë verifikimet e duhura në aeroport dhe kaq. Më kanë mbajtur rreth 2 orë dhe pastaj më kanë thënë që isha i lirë.
Nga momenti që jeni kthyer në Shqipëri, më 14 qershor të vitit 2017 dhe deri më sot, me çfarë jeni marrë?
Me peshk jam marrë se atë zanat kam. Kam një rezervuar peshku.
Ke tentuar më të shkosh në Bashkimin Evropian?
Jo sepse kam ekspuls 15-vjeçar. Nuk mundem të shkoj sepse ma ka ndaluar Belgjika për 15 vjet që të mos shkoj në asnjë shtet të Basshkimit Evropian.
Gjatë kësaj kohe keni pasur ndonjë problem apo jeni vënë në hetin nga Prokuroria apo nga Policia shqiptare?
Jo, jo. Në dijeninë time asnjëherë. Nuk më kanë thirrur ndonjëherë për ndonjë gjë. As kam qenë ndonjëherë në hetim.
Duke qenë se Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Belgjikën. Atëherë shanset dhe premisat më të mëdha janë që autoritetet belge të sjellin dokumentacionin e tyre në Shqipëri. Çfarë do të bënit nëse do të ndodhë një gjë e tillë?
Unë i kërkoj sa më parë shtetit shqiptar që ta tërheqë dosjen time nga Belgjika. Ata nuk e sjellin dosjen time sepse unë jam i pafajshëm, më kanë dënuar kot. Prandaj unë dua që të vijë dosja këtu dhe unë të dal sa më parë para drejtësisë shqiptare. Jam krejt i hapur. Nëse unë e meritoj burgun, shkoj vetë atje.
Me mediat belge a keni pasur ndonjë kontakt? Atë kanë kontaktuar?
Dje kam marrë një kontakt prej mediave belge dhe ditën e hënë kërkojnë një intervistë prej meje.
Çfarë ju kanë thënë? Për çfarë kanë qenë të interesuara kryesisht?
Gazetari që ka shkruar për mua, në vitin 2016 po ai vetë ka shkruar në një gazetë një shkrim me titull “Plas eksplozivi në dosjen Rustemi. Del dosja false. Policia e inkriminuar”. E kam gazetën. Dhe tani në lidhje me këtë gjë, kërkon të flasë se përse mediat belge dhe ministri belg i Drejtësisë nuk u çua në atë kohë për të gjetur se përse policia belge e bëri këtë gjë. Pse çohen tani që vetë më kanë kthyer, vetë më kanë marrë lekët. Kjo ndodhi vetëm pse jam shqiptar. Se çfarë krimineli qenkam unë që dy herë më arrestojnë dhe dy herë më lirojnë pasi më marrin lekë dhe pastaj më kthejnë, nuk e di. As drejtësisë belge nuk i jam shmangur. Si dola kriminel unë? Çfarë bëra? Edhe kur më kanë liruar kam shkuar e jam paraqitur në çdo seancë gjyqësore. Pikërisht arsyeja se s’kishin se për çfarë të më dënonin, se dosjen e kishin bërë katastrofë, avokati i kishte ngushtuar shumë, nuk kishte më drejtësi askund. Ai do të ankohej në media e kudo. Që unë të rrija jashtë ata kishin frikë se unë mund të ankohesha për të drejtat e mia, mund të kërkoja ekspertë për dosjen dhe të gjitha të dilnin hapur publikisht. Për këtë arsye mua më kthyen për në Shqipëri, që unë të mos kisha më asnjë kontakt në lidhje me gjyqet. Më paskan dënuar sërish në mungesë e tani kërkojnë që të bëj burg, në një kohë që nuk më kanë sjellë asnjë fletë-arresti. Unë kërkoj që të më sjellin dosjen. S’ka gjë, le të hyj në burg në Shqipëri. Jam i gatshëm. Por të më sjellin dosjen. I kërkoj drejtësisë shqiptare që t’ia kërkojë dosjen Belgjikës dhe të mos kem më punë me belgët. Drejtësia shqiptare duhet të kërkojë dosjen time dhe le të më dënojë pastaj. Në rast se unë e meritoj, le të më dënojë. Belgjika më dënoi me dosje të falsifikuar, më mori lekë, më liroi, më ktheu në Shqipëri, lekët nuk m’i kthen, më kërkon prapë, më dënon në mungesë. Tani përmenden dy njerëz të humbur në një kohë që unë kam qenë në burg atje.
Pra në kohën që ekzistojnë të zhdukur ata dy persona?
S’ka lidhje fare. Unë kam qenë në burg në Belgjikë. Kjo bëhet si e si të fryhet media. Çohet e flet politika. Për mua nuk ka më drejtësi atje.