Me anë të një video mesazhi nga Helsinki, ku po zhvillohet samiti i Partive Popullore Europiane, kryedemokrati Basha tha se mori mbështetje për kauzat e opozitës. Ai shprehet më tej se të dy kandidatët e PPE-së për Komisionin Europian, përcollën mesazhe të qarta si për Europën, ashtu edhe për Ballkanin.
“Partia Popullore Europiane, partia nënë e Partisë Demokratike, gjithë partitë tona simotra këtu, mbështesin fuqimisht vizionin tonë për Shqipërinë në Europë. Kauzat tona jetike për luftën kundër krimit të organizuar, pastrimin e politikës nga krimi, për luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë dhe dekriminalizmin e zgjedhjeve”, shprehet Basha.
Kreu i demokratëve, shton më tej “dy kandidatët tanë, njëri prej të cilëve do të jetë kandidati për Komisionin Europian, dhanë mesazhet e qarta se Bashkimi Europian do të thotë në radhë të parë një bashkim vlerash. Demokraci, shtet ligjor, luftë kundër krimit të organizuar, luftë kundër korrupsionit, liri e medias, respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut. Këto janë vlerat për të cilat qëndrojnë dhe luftojmë së bashku në këtë familje të madhe”.