Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llallës që të mos takohet me ish-ministrin Saimir Tahiri.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se provat tronditëse të lidhjes së Ramës dhe Tahirit me mafian e drogës janë para syve të çdo shqiptari.
“I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të mos takohet me të dyshuarin Saimir Tahiri po të veprojë pa vonesë për ta vënë atë para përgjegjësisë penale,” shkruan ndër të tjera Basha.
Ish-ministri Tahiri kërkoi një takim urgjent me prokurorin Llalla, pas kërkesës së Bashës për arrestimin e tij, teksa e akuzonte se ishte kapiteni i trafikut të drogës.
Por, Llalla nuk e priti Tahirin, ndërsa ky i fundit pritet të mbajë një konferencë për mediet rreth orës 16:00.
Mësohet se gjatë paradites së sotme, Llalla zhvilloi një takim dhe me kreun e SHISH Visho Ajazi Lika.
POSTIMI I BASHËS:
Faktet dhe provat tronditese te lidhjes se Edi Rames dhe Saimir Tahirit me mafian e droges dhe armeve jane para syve te cdo shqiptari. I bej thirrje Prokurorit te Pergjithshem te mos takohet me te dyshuarin Saimir Tahiri po te veproje pa vonese per ta vene ate para pergjegjesise penale.