Pas sulmit ndaj opozitës që bëri Kryeminsitri Rama në rrjetin social Facebook në “Komunikimin Javor” , Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur atij me të njëjtën monedhë.
Basha u shpreh se nuk do të ketë më zgjedhje fasadë apo zgjedhje moniste pa opozitën pasi e vetmja rrugë drejt Evropës është përmes qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Shqiptarët folën. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste. Nuk do të ketë kurrë më një diktaturë moniste që emëron edhe opozitën fasadë.
Ne kishim dy zgjedhje përpara. Zgjedhja e parë ishte të ulnim kokën e të pranonim fatin tonë si skllevër të republikës së vjetër të krimit, të drogës e të oligarkëve, të pranonim republikën e vjetër ku i gjithë pushteti politik dhe ekonomik kontrollohet nga pak njerëz që shtypin çdo të drejtë dhe mundësi të shumicës së shqiptarëve. Përgjigjen për këtë, shqiptarët e dhanë dje me bashkimin e tyre më të madh kur njëzëri thanë: Kurrë!
Zgjedhja e dytë është në dorën e republikës së vjetër. Të çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e t’u kthejmë pushtetin qytetarëve përmes qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme ose të përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit dhe qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së Re.
Në njërën apo tjetrën mënyrë, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet, republika e vjetër do të përmbyset. Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ardhmen europiane të Shqipërisë. #NgrihemiBashke#ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe” ,tha Basha.