Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për zgjedhjen e Presidentit.
Basha ka propozuar një ofertë: ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Gjatë fjalimit të tij në “Çadrën e Lirisë”, Basha tha:
“Na kanë ftuar për punën e presidentit. Ne i kemi votat, po hajde ta zgjedhim bashkë. Ne i kemi lekët, po hajde ta blejmë bashkë.
Oferta ime është kjo: Të zgjedhim President nga populli! Hap i rëndësishëm është transferimi i pushtetit te qytetarët. Fokusi ynë është beteja për zgjedhje të lira e të ndershme. Por meqë po kërkoni kontributin tonë, ju japim një dhe vetëm një ofertë për çështjen e Presidentit: Të ndryshojmë kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar!
Vettingu nuk ka pse të presë zgjedhjet, por mund të kryhet menjëherë pas paktit për qeveri teknike. Presidentin t’ia kthejmë popullit shqiptar. Zgjedhje më 18 qershor nuk ka e nuk ka për të patur. Zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk ka për të patur.”
Kreu i PD-së përmendi disa media, të cilat sipas tij kanë publikuar lajme të rreme, në favor të kryeministrit. Gjithashtu, Basha theksoi se nuk ka nevojë të shtyhet Vettingu për zgjedhje, ndërsa shtoi se 7 ligjet duhej të kalonin me konsensusin e opozitës.
“Ka dy kampionë për Fake News, Top Channel dhe BalkanWeb plus Panorama Online.
Edi Rama bashkë me të paguarit e George Sorosit në Shqipëri, për një vit u përpoqën ta kapin drejtësinë dhe t’ia jepnin peshqesh investimit me të madh të Sorosit, që është Edi Rama për pushtetin e tij.
PD mbështet një reformë të vërtetë në drejtësi. Edi Rama, i mbështetur nga Soros, shkatërroi marrëveshjen e reformës dhe kaloi 6 nga këto ligje pa konsensusin tonë.
Por ligji për Vettingun është bërë në shkelje të marrëveshjes politike, me qëllim kontrollin politik të tij. Ndaj ia përsëris atij se nuk ka asnjë shans që PD të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.
Siç e thashë dje, nuk ka nevojë të shtyjmë Vettingun pas zgjedhjeve. PD është e gatshme t’i japim rrugë zbatimit të Vettingut dhe të Reformës në Drejtësi.
Rama do ose kontroll në drejtësi, ose jo reformë në drejtësi.
TCH e merr medaljen e parë, kur thotë se Vettingu do bëhet pas zgjedhjeve, kur unë po e them që s’ka pse të presim zgjedhjet.
Në një komunikatë thuhet se ka rëndësi që zgjedhjet të zhvillohen me praninë e të gjitha partive. Që do të thotë, harroje Edi Rama se ka zgjedhje pa opozitën.
BalkanWeb e merr lajmin nga Rama, Fake News, turp të keni.
Këto janë medaljet e javës për Fake News.
Të kthehemi pak tek një lajm që është zhdukur me befasi nga çdo portal.
Forbes shkruan: Edi Rama drejton një ndërmarrje kriminale në vend që e ka kthyer Shqipërinë në qendër të trafikut të drogës.
Meqë kanë shkatërruar 2.5 milion rrënjë kanabis, a na i nxjerr pak procesverbalet? Nuk i nxjerr dot, se nuk i ka!
Harrojeni se ka zgjedhje pa garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilat bëhen vetëm me qeveri teknike.
Standardet janë të panegociueshme.”