Nga Ivan Krastev “The New York Times”/ “Në Ballkan tranzicioni ka përfunduar”- më tha disa kohë më parë Remzi Lani, një analist politik shqiptar. Por ndryshe nga shumë vende post-komuniste, Lani nuk nënkuptonte një transformim nga diktatura në demokraci. “Ne kemi kaluar nga regjime represive në regjime depresive”. Ai ka të drejtë.
Komunistët e vjetër dhe nacionalistët etnikë radikalë, kryesisht kanë ikur nga pushteti; vendin e tyre e kanë zënë stanjacioni – ekonomik, social dhe politik. Çështja tani është se si këto regjime depresive përshtaten në një rivalitet gjeopolitik në rritje.
Një ditë para vizitës së tij të fundit në Serbi, presidenti Vladimir Putin i Rusisë, shprehu pakënaqësinë e tij të madhe me ndryshimin e emrit të Maqedonisë, dhe akuzoi “Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore” për “destabilizimin” e rajonit.
Nndërkohë, ministri i Jashtëm i Rusisë, ka denoncuar “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të anëtarësuar të gjitha shtetet e Ballkanit në NATO, sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe për të zhdukur çdo ndikim rus në këtë rajon”. Rusia dëshiron ta bëjë të qartë, se kjo nuk është ajo që dëshirojnë njerëzit në rajon.
Duke parë vizitën e zotit Putin në Beograd dhe duke dëgjuar retorikën e tij, dikush mund të arrijë në përfundimin se lufta për Ballkanin ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, po ndryshon si në natyrë ashtu edhe në intensitet. Në dekadën e fundit, Rusia ka mbrojtur në mënyrë aktive praninë e saj ekonomike dhe kulturore në rajon, por s’ka sfiduar asnjëherë haptazi hegjemoninë e NATO-s apo të Bashkimit Evropian.
Jo më. Në pamje të parë, ambiciet e Rusisë duket joreale. Ballkani mbetet i vendosur fort kah Perëndimit:Greqia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë të gjithë anëtarë të NATO-s, dhe Maqedonia është në rrugën e anëtarësimit.
Çdo vend në rajon, është ose anëtar i Bashkimit Evropian ose aspiron t’i bashkohet unionit.
BE-ja është partnerja kryesore tregtare e rajonit, investitori më i madh i tij, dhe destinacioni preferuar për emigracionin. Mençuria konvencionale, është se Rusia mund të jetë një prodhuese telashesh, por vështirë se mund të jetë më shumë se kaq.
Por mençuria konvencionale, mund ta ketë gabim. Moska ka ndjerë një cenueshmëri kritike
në pozitën e Perëndimit në Ballkan:Ndërsa në vende si Ukraina, Bashkimi Evropian, perceptohet si një simbol i ndryshimit, në Ballkan ai shihet si mbrojtësi i një statuskuoje që mund të jetë gati duke u shpërbërë. Publiku është i zemëruar.
Edhe tensionet etnike janë në rritje. Gati çdo vend në rajon, ka përjetuar demonstrata anti-qeveritare në shkallë të gjerë. Rritja ekonomike është e ngadaltë në shumicën e vendeve, mjerimi është i shumëpërhapur, dhe shpopullimi i rajonit është dramatik:Më shumë se 40 përqind e njerëzve të lindur në Bosnje Hercegovinë janë larguar nga vendi; rreth 40 për qind e atyre që kanë lindur në Shqipëri, dhe rreth 25 për qind e atyre që kanë lindur në Maqedoni, kanë bërë të njëjtën gjë.
Dhe ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve, e shohin ende anëtarësimin në Bashkimin Evropian si rrugën më të mirë për zhvillim, premtimi i integrimit evropian është duke e humbur fuqinë e vet joshëse. Jo vetëm që e ardhmja e Bashkimit Evropian duket e pasigurt, por udhëheqës si presidenti francez Emanuel Makron, e kanë bërë të qartë se nuk e shpenzojnë kapitalin e tyre politik në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Dhe ndërsa ndjenjat në rajon kanë ndryshuar, Bashkimi Evropian ngurron të ndryshojë qasjen e vet ndaj Ballkanit. Kjo është pjesërisht rezultat i inercisë burokratike, dhe e mungesës së interesit politik. Por kjo vjen gjithashtu nga frika, se çdo ndryshim i politikës në Ballkan, do të duket si një tradhti ndaj parimeve.
Luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi, luajtën një rol kritik në formimin e identitetit politik të Bashkimit Europian pas Luftës së Ftohtë. Evropianët e panë tragjedinë e afërt, jo si një përplasje midis shteteve apo kombeve, por midis dy parimeve:parimit të nacionalizmit etnik, i përfaqësuar nga Sllobodan Millosheviçi, dhe parimit të demokracisë multietnike, i mishëruar nga Bashkimi Evropian.
Rrjedhimisht, politika e Bashkimit Evropian përkundrejt Ballkanit, është më e nxitur nga ideologjia, se sa në çdo pjesë tjetër të botës. Rigoroziteti ideologjik i Evropës është i admirueshëm, por ai është gjithashtu pjesërisht përgjegjës për paralizën ku gjendet sot rajoni.
Kjo ilustrohet më së miri nga roli i Bashkimit Evropian, në diplomacinë e vazhdueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Dialogu është filluar dhe inkurajuar nga Bashkimi Evropian, pasi të gjithë e kuptojnë se njohja e ndërsjellë midis Beogradit dhe Prishtinës, është e vetmja mënyrë për të hequr pengesat për një bashkëpunim më të thellë ekonomik, dhe për t’i hapur rrugën Serbisë dhe Kosovën drejt anëtarësimit në BE.
Por kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç, dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, nisën të trajtonin çështjen e ndjeshme të “korrigjimit” të kufijve të tyre, për të arritur një marrëveshje përfundimtare, kryeqytetet e mëdha evropiane nxituan të deklaronin se nuk do ta lejonin kurrë diçka të tillë.
Ndryshimi i kufijve nuk është kurrë një ide madhështore, veçanërisht pas përvojës traumatike të luftërave etnike në Ballkan. Por, as tu thuash udhëheqësve të zgjedhur se ata nuk mund të formësojnë marrëdhëniet midis vendeve të tyre, nuk është një ide e mirë.
Kështu, ndërsa frika europiane është legjitime mbi mënyrën se si ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të inkurajojë vendet e tjera të ndjekin këtë shembull, edhe Bashkimi Evropian ka të drejtë të këmbëngulë që çdo ndryshim kufitar të mbështetet nga shumica e njerëzve në ato vende.
Por mesazhi vjen i dobët. Duket sikur Evropa po u thotë fqinjve të saj të keq të qëndrojnë larg objekteve të mprehta. Dhe kjo është arsyeja pse propozimi është refuzuar. Shanset për një marrëveshje Serbi-Kosovë sot, janë shumë më të këqija se sa disa muaj më parë, dhe rreziku i përplasjeve etnike është më i lartë.
Dhe këtu hyn në skenë Rusia. Nëntorin e kaluar, Putin u takua me Thaçin, pavarësisht faktit se Moska nuk e njeh Kosovën si shtet. Takimi tregoi se Rusia nuk e sheh rolin e saj në Ballkan vetëm si mbrojtëse të Serbisë, por edhe si një ndërmjetëse potenciale.
Prandaj evropianët s’duhet të habiten, nëse Rusia do të publikojë së shpejti hartën e vet për normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare. (Ata gjithashtu nuk duhet të habiten, nëse Turqia shpreh interes mbi një nismë të tillë të Moskës).
Thënë ndryshe, veprimet e Rusisë në Ballkan nuk janë thjesht lojëra të rrezikshme. Moska dëshiron të zëvendësojë Bashkimin Evropian si një ndërmjetëse për zgjidhjen e konflikteve rajonale, në të njëjtën mënyrë që po përpiqet – me shumë sukses – të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si një ndërmjetëse në Lindjen e Mesme.
Të premten, pas 27 vitesh të shpërdoruara nga mosmarrëveshjet, parlamenti grek miratoi më në emrin e ri të Maqedonisë, Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund njërit prej konflikteve që ka e përndjekur vazhdimisht Ballkanin. Kjo ishte një fitore e vërtetë e strategjisë evropiane për rajonin.
Tani, Evropa duhet të gjejë energji dhe një fleksibilitet të ngjashëm, për të nxitur Serbinë dhe Kosovën të arrijnë kompromisin e tyre. Kjo është mënyra e vetme, përmes së cilës Brukseli mund të mbetet i rëndësishëm në rajon – dhe jo duke qenë vetëm një force për ruajtjen e statuskuosë. Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Ivan Krastev, është kryetar i Qendrës për Strategjitë Liberale, një bashkëpunëtor i përhershëm në Institutin për Shkenca humane në Vjenë, dhe autori i librit “Pas Evropës”.