Atleti shqiptar i sallave të mbyllura, Izmir Smalaj ka denoncuar organizatorët gjermanë të Kampionatit Evropian se kanë manipuluar metrat në kërcimin e tij për së gjati.
Sipas Smalajt, kërcimi tij së gjati në fazën e garave kualifikuese dhe ato për në finale është manipuluar duke e vendosur fillimisht hedhjen 7,47 m dhe më pas 7,73m.
Ndërsa vetë atleti shqiptar pretendon se kërcimi i tij është pothuajse në kufijtë apo tek 8 metrat e pistës së hedhjes.
Përmes një postimi-video në Facebook, Smajlaj konstaton se ky vendim i organizatorëve gjermanë të këtij kampionati i ka dëmtuar atij imazhin si kampion evropian i sallave të mbyllura. Por, edhe në aspektin moral dhe atë sportiv pasi sipas tij, ai mund të hynte në zonën e medaljeve këtë vit.
Ai shton se bashkë me Federatën e Atletikës ka denoncuar pranë organeve më të larta të këtij sporti siç është IAAF, e cila sipas Smalajt, po bën verifikimet për këtë rast, për t’i rikthyer atletit shqiptar atë që ai pretendon se i është vjedhur.Denoncimi i atletit shqiptar, Izmir Smalaj: Të nderuar miq, si fillim dua t’iu falënderoj për mbështetjen e vëmendjen që më kushtuat këto 2 ditë në garën time kualifikuese dhe finale.
Por, më vjen keq që dhe në “Kampionatin Evropian” të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat (mund te shikoni videon për të parë të vërteten e kërcimit të 3-të i cili u deklarua 7,47m e me pas ma dhanë 7,73m, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre).
Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë për të gjithë, më demtoi imazhin tim si kampion evropian i sallave të mbyllura aktual, si dhe më dëmtoi moralisht që të isha në zonën e medaljeve këtë vit.
Unë, si atlet dhe bashke me “Federatën Shqiptare të Atletikës”, kemi denoncuar këtë rast në institucionet përkatëse si në IAAF, dhe gjatë kohës po bëhen verifikimet e duhura. Shpresoj më të mirën!
Ju falënderoj e ju premtoj që në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët.
TIRANA TODAY