Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
Tirana Today
Home Editorial - Opinione

Asnjë nuk humb politikisht më 25 Prill, kurse shqiptarët sodisin?

5 vjet ago
in Editorial - Opinione, Të Gjitha

Nga: Ben Andoni

Ligjërimi i Lulzim Bashës i ka dhënë fund përdorjes deri te elementët fetarë dhe tashmë ka shkuar ngadalë limanit ku prehen liderat e autokracisë. Po a është lideri i opozitës një autokrat?! Kjo është vështirë ta thuash hë për hë, kur ai nuk ka ende as pushtetin e duhur në formacionin e vet. Basha po tenton me gjuhën e përdorur t’i përshtatet sensit autokrat të kundërshtarit të tij të madh Ramës, i cili e përdor rëndom në partinë e vet dhe kundër formacionit të PD-së, përgatitur ngulmazi për rokadën e madhe të pushtetit në vend.

Po a ka realisht te PD një trupë që kundërshton? Jo, sepse të tregohet dera; A vendos vetë Basha? Po deri diku. A ka vendime të shpejta të Bashës, pa pyetur fare strukturat ose duke i mbledhur sa për sy e faqe,  e që janë në fakt në drejtim të interesit të tij? Po shpesh. Heqim nga matrica llogarinë se ish-lideri historik ka ende dorë të lirë në parti, paçka se e gjithë arkitektura e kësaj partie deri tani ka një të vetëm arkitekt: Sali Berisha, atëherë këto janë elementë autokratikë.

E si do përballet vallë Basha me humbjen, me këto elementë, nëse do ndodhë?! Jo, as nuk e mendon. “Sot po diskutohet për fatin e Shqipërisë, jo për të ardhmen time. Sot shumica e dërrmuese e shqiptarëve duan ndryshim. Sfida e koalicionit jo largimi i Ramës, ai është i vetëlarguar. Ne jemi të bindur 100% se me pjesëmarrjen masive të votuesve shqiptarë më 25 prill, do të garantohet jo vetëm ndryshimi i qeverisë por edhe një kulturë e re politike që ka në themel zgjedhjet e lira dhe demokratike”, u shpreh Basha në një intervistë të fundit pa thënë as edhe një fjalë për humbjen…

Në një kah, por disi më folklorik është Edi Rama që autokracinë e tij e mbulon me një diskurs tipik hokatar, që i shkon më së shumti, krahasuar me këdo nga politikanët shqiptarë. “Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse… Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet” – tha kryeministri pak ditë më parë. Po nëse do të humbësh? Jo, edhe ai as nuk e merr me mënd. Po kush do humbi vallë në Shqipëri?! Sondazhet nuk na ndihmojnë shumë, kurse dy kampet varësisht eksplorimeve të tyre po mundohen shumë të na paraqiten si fituese.

Të tjera struktura  që kanë një përvojë në këtë lëmë, po i japin kryesim PS-së dhe pastaj e lënë pas PD-në. Po a ka ndryshuar gjë kjo mes nesh? Gjëja më e besueshme që dihet është se Shqipëria pas dërrmës së pandemisë, që nuk ka fund po vuan shumë dhe pasojat e tërmetit. Ndërkohë që të dyja partitë e paraqesin këtë situatë sikur të jetë fare e zakonshme. Ato flasin për një realitet tejzgjedhor pa-pandemi, ku do zbatojnë menjëherë planin e tyre. Sa do zgjasë pandemia? X! Sa të ndërgjegjshme janë partitë për të? X!

Dhe, çfarë kanë bërë në këto momente? Në përvojën e partive të Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë filluar t’i bëjnë gjithnjë e më shumë karshillëk Perëndimit përmes liderave. Edi Rama shfrytëzoi shpërndarjen e vaksinës për të përdorur një gjuhë të ashpër me BE-në, e që në fakt duket e justifikuar nga ankesat prej vendeve si Shqipëria; opozita, nga ana e saj, nuk i ka falur asnjëherë prononcimet e ambasadorëve të BE. Presidenti Meta, që i ka dalë për zot opozitës, e duke vijuar me të tjerë, i kanë fshikulluar sistematikisht institucionet e huaja në vend.

Por, jo vetëm kaq. Të dy palët, në gjatësi vale të ndryshme, i janë vendosur kundër edhe sistemit të drejtësisë. Pozita kërkon që struktura e re të jetë më e gjallë, kurse opozita konsideron faj çdo gjë nga ana e vendimeve të strukturave të re. Këto janë disa nga elementët që i shkojnë demokracisë shqiptare dhe liderave të saj, që nuk flasin dot as për përballjen normale me humbjen.

Fared Zakaria kishte vërejtur se zgjerimi i frikshëm i demokracisë elektorale pas 1989 si një mënyrë e zgjedhjes normale të qeverive nuk do të shkonte domosdoshmërisht paralel me liberalizmin, pasi është kjo e fundit që vendos kufijtë real kushtetues dhe institucionalë të demokracisë. “Orbán në Hungari  mori përsipër formulën e Zakarisë (por jo pyetjen e tij), duke e quajtur demokracinë liberale vetëm një mundësi ndër të tjera dhe shtoi se ajo ishte e paaftë për të përmbushur detyrën e parë të qeverisë, e cila është të mbrojë interesin kombëtar. Dhe, Orbán deklaroi veten në favor të një ‘Shtet joliberal’, i cili gjithashtu do të lejonte performancën më të mirë ekonomike, siç tregohet nga rasti i Singaporit, Kinës, Indisë dhe Turqisë”, shprehet Jacques Rupnik tek “Explaining Eastern Europe: The Crisis of Liberalism”. Kjo tezë është gati rëndom tek ne kuptohet pa shembujt e Lindjes së Largët, duke u mjaftuar me Turqinë, që po bëhet një kumbar i zhvillimeve tona ekonomike.

Ndërkohë që Basha dhe Rama i janë ngjitur nacionalizimit dhe populizmit si pakkush. Në të njëjtin artikull flitet edhe për aspektin që lidhet me “regresionin demokratik, (tipi tek ne) i cili ka të bëjë me ringjalljen e nacionalizmit në vendet që, ndryshe nga ato në Ballkan, kishin shmangur lejimin e një kthimi të ndjenjës nacionaliste për të hedhur poshtë tranzicionet e tyre demokratike në vitet pas vitit 1989. Në rrjedhën e dekadës së fundit , sidoqoftë, manteli i legjitimitetit ka kaluar nga liberalizmi teknokratik në nacionalizmat populiste që mbajnë një konceptim organik të kombit si një komunitet historik, kulturor dhe fetar që shteti duhet të mbrojë”, shpjegon Rupnik.

Por nëse demokracia shqiptare, që ende nuk e ka kapur mirëfilli elementin e liberalizimit teknokrat e përfaqësuar nga këto personazhe po merr kaq goditje po njerëzit pse duhet të jetojnë kaq rëndë sfidat e politikës? Pse ascili nga ata nuk e pranon humbjen? Pse asnjëri nga ata nuk bën zgjedhje normale në parti? Pse nuk na tregojnë se ka jetë ndryshe për ta edhe pas 25 Prillit? Një mal me pyetje, por që kanë një përgjigje të thjeshtë: Populli shqiptar është element i parëndësishëm dekori në teatrin politik. Sepse në skenë ka dhe shumë elementë, që po të funksionin, do kishim një demokraci krejt tjetër.

“Një ide e zakonshme është që demokracia ka të bëjë më shumë sesa të votosh. Nëse rezultatet e zgjedhjeve nuk do të minohen ose përmbysen, demokracia kërkon gjithashtu një media të lirë, një shërbim të fortë civil, gjykata të pavarura, një kornizë të sigurt kushtetuese dhe – ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha – një kulturë demokratike në të cilën humbësit e zgjedhjeve do të pranojnë humbjen”, shprehej pak kohë më parë Gideon Rachman tek “Trump’s suggestions that he will not accept defeat puts the country’s values under unprecedented strain”. Të gjitha këto i kemi para syve dhe e dimë sesi sillen realisht politikanët tanë ndaj tyre. Atëherë pse nuk mendojnë realisht edhe për humbjen këta njerëz. Sepse politika duket është më shumë se pushtet në jetën e këtyre personazheve, është vetë jeta, kurse shqiptarët mbeten soditës.

TË LIDHURA

Të Gjitha

Credins Bank dhe FSHF prezantojnë kartën GOOL, një hap i ri në mbështetje të futbollit shqiptar

11:33 | 08/06/2026
Aktualitet

“Po jetojmë kohë të pasigurta”, Antonio Costa: Zgjerimi i Bashkimit Europian, domosdoshmëri

13:07 | 02/06/2026
Të Gjitha

Prefekti Shkëlqim Hajdari takim me Njësitë Administrative 1 dhe 2 në Tiranë

14:24 | 25/05/2026
Next Post

Mjeku Alimehmeti tregon qarqet me incidencë më të lartë infektimi nga Covid-19

Nusret ndodhet në Shqipëri, ja në cilin qytet po qëndron kuzhinieri i famshëm

Meta: Covid-19 u shfrytëzua për shkeljen e të drejtave të njeriut







JU REKOMANDOJMË

“Çmendet pas meje! Do të jemi shokë, unë s’dua!”, Noizy sqaron zanafillën e konfliktit me Cllevion

14:18 | 03/06/2026

Ekzekutimi në Kamëz/ 27-vjeçari u qëllua 10 herë, autori tentoi të vriste edhe shokun e tij

15:42 | 08/06/2026

Tragjedia në Shëngjin/ Ndërrojnë jetë dy të rinj pasi u morën nga dallgët, dy në gjendje të rëndë

17:37 | 03/06/2026

Djali i Biden: Kushner e Ivanka po ndërtojnë parajsë në Shqipëri, ju merreni me pikturat e mia

21:08 | 03/06/2026




TË FUNDIT

Aktualitet

POPULLI VENDOS/ “Rama të japë dorëheqjen?”, protestuesit aprovojnë me kartonë jeshilë

by mirseda
22:53 | 09/06/2026
0

Vijon qendra e protestuesve para Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me thirrjen ‘populli vendos!’ dhe thirrjet për dorëheqje...

Interesi i mediave të huaja për protestën në Shqipëri, flet eksperti i ekonomisë

22:23 | 09/06/2026

Tubim 4 orë/ Protestuesit vazhdojnë marshimin: Edi Rama dorëhiqu, gënjeshtrave iu erdhi fundi!

22:17 | 09/06/2026

Tensione në Hormuz,Irani paralajmëron forcat e huaja të largohen pas kërcënimeve të SHBAsë për sulme

21:46 | 09/06/2026

Sheshi ‘vlon’ nga ovacionet: Arresto Belindën, pa dhënë dorëheqje nuk ndalojmë

21:26 | 09/06/2026
Tirana Today


© 2026 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.
Kontakt
EMAIL : [email protected]
Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.
EMAIL : [email protected]
Cel: +355694040005
© 2026 TiranaToday Dev By: techzero1.com

Follow Us

  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2026 TiranaToday Dev by : Techzero1.com