Meta: Covid-19 u shfrytëzua për shkeljen e të drejtave të njeriut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e pandemisë në vend. Meta shprehet se Covid-19 jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve.

Sipas kreut të shtetit, ky duhet të jetë viti për t’i thënë ndal shkeljes së të drejtave të njeriut.

Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Meta tha se qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndahen nga kjo epokë e errët e dhunimit të demokracisë.

Postimi i Presidentit Meta në rrjetin social, Facebook

COVID-19 jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve për motive, që nuk kishin asnjë lidhje me pandeminë.

Përpjekjet e Qeverisë për të shkatërruar demokracinë dhe kapur institucionet e pavarura nuk u kursyen as gjatë kësaj kohe, duke kulmuar me dhunë policore shproporcionale ndaj qytetarëve, shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar dhe miratimin e të tjera koncensioneve dhe akteve antikushtetuese, që cenojnë interesin publik e kombëtar.

Duke e përshëndetur mesazhin e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç bashkëndaj të njëjtin qëndrim se ky duhet të jetë viti për t’i thënë NDAL shkeljes së të drejtave të njeriut.

Me referendumin historik të 25 prillit, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndahen nga kjo epokë e errët e dhunimit të demokracisë dhe degradimit të shtetit ligjor.

PRANVERA SHQIPTARE PO VJEN!