Bledi Nurçe, një 36-vjeçar banues në fshatin Biranj të Korçës, i cili mbante detyrën e Kryeplakut të këtij fshati është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një personi.
Sipas policisë “Më datë 05.02.2018, në fshatin Biranj, Bledi Nurçe ka shkuar tek banesa e K.R, 19 vjeç e ka goditur fizikisht dhe i ka kërkuar këtij të fundit të dilte jashtë banese me pretendimin se e kërkonte Policia, për ta pyetur në lidhje me vjedhjen e disa pajisjeve elektroshtëpiake në banesën e L.M, 45 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2018”.
Pasi kanë shkuar tek banesa ku kishte ndodhur vjedhja, Bledi Nurçe sërish ka ushtruar dhunë fizike ndaj K.R, me pretendimin se ky i fundit ishte autor i kësaj vjedhje dhe më pas e ka lënë të lirë.
Nga ana e policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.