Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërpreu koncesionin për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar. Balluku sqaroi para mediave se ky partneritet u ndërpre për shkak të Paktit për Universitetin. Ajo i mëshoi faktit se fondet e planifikuar për këtë rrugë, do të përdoren për Universitetin, në kuadër të vendimeve të reja që u morën pas protestës së studentëve. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ajo shtoi se për këtë aks rrugor, do të ketë një projekt alternativ ndërtimi.
“Ky është komunikimi ynë i parë zyrtar për shkak të volumit të punës, ne do të takohemi më shpesh. Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike. Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati.
Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, ku në fazën e parë parashikohet ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa, dhe në fazën e dytë ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë. Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar-Rrogozhinë t’i shtohet edhe Aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë nga njëra anë, nga Veriu dhe qoftë aksesin më të shpejtë nga Veriu drejt Jugut gjatë sezonit turistik. Pra, si përfundim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tërhiqet nga PPP për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar, dhe fondi i parashikuar i vihet në dispozicion nga qeveria ‘Paktit për Universitetin”.
Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar u vendos të ndërtohej në korrik të 2018-s nga kompania “Gener 2”, e cila ofroi për ndërtim dhe mirëmbajtje gjithsej 225.821.553 euro, nga 245 milionë euro që ishte fondi limit i vendosur nga qeveria, në nisje të procedurës së prokurimit.
Ndërtimi i këtij aksi është shoqëruar vazhdimisht me akuza, për shkak të kostove të tij.