Nga Shaban Murati/ Nëse doni një lakmus për të provuar ndikimin e lobit rus në Shqipëri, mjafton të shikoni heshtjen dhe errësirën e plotë informative në mediat, portalet dhe rrjetet sociale shqiptare për vrasjen e mbi 300 mercenarëve rusë në 7 shkurt në luftimet përkrah forcave të regjimit të Asadit në Siri. Bën përshtypje kjo heshtje dhe errësirë informative për publikun shqiptar, sepse me këtë informacion dhe temë po merren prej një muaji të gjitha mediat dhe agjencitë më prestigjioze të botës në SHBA, në Europë dhe kudo. Bën përshtypje kjo heshtje dhe errësirë informative shqiptare, sepse kemi të bëjmë me një ngjarje të jashtëzakonshme, që përbën humbjen më të madhe njerëzore ruse në një shtet të huaj, që nga agresioni rus në Afganistan në vitin 1979. Bën përshtypje, sepse kjo heshtje dhe errësirë informative shqiptare është në sintoni me vijën zyrtare të Moskës për ta mbajtur të fshehtë dhe për ta mohuar këtë ngjarje të rëndë, që ka tronditur opinionin publik rus.
Agjencia “Rojter” e jep 300 numrin e mercenarëve rusë të vrarë e të plagosur në 7 shkurt në Deir el Zour në Siri. Portali “rusmonitor. com” e jep shifrën e mercenarëve rusë të vrarë midis 217 deri në 640. Ish- deputeti i Dumës ruse, Viktor Alksnis, sipas portalit rus “newsru.com” të datës 16 shkurt, deklaroi se numri i ushtarakëve rusë të vrarë në Siri atë ditë është 334 vetë. “Foreign affairs” e datës 26 shkurt shkruan se, “burime të tjera japin shifrën më shumë se 600 vetë”.
Numri kaq i madh i mercenarëve rusë të vrarë brenda një dite nga forcat e opozitës demokratike siriane dhe nga bombardimet e koalicionit ndërkombëtar antiterrorist paraqet një humbje të madhe të Rusisë në aspektin ushtarak, politik, diplomatik, strategjik, etj. Pak rëndësi ka nëse formalisht ata ishin mercenarë rusë, që luftonin krahas forcave të regjimit të Asadit, dhe jo me shenjat e uniformës zyrtare ushtarake ruse. Prania dhe misioni i tyre në Siri është në një kuadër të qartë shtetëror dhe pikërisht për këtë në Siri janë dërguar 2500 mercenarë rusë, si “kontraktorë” të kompanisë ushtarake private ruse “Wagner”, e njohur për lidhjet e saj me shërbimin e zbulimit ushtarak rus. Pse është një goditje e rëndë për misionin dhe reputacionin e Rusisë, autoritetet ruse u përpoqën dhe po përpiqen të mbajnë jo vetëm të fshehta përmasat reale të humbjeve, por të paraqiten madje sikur nuk ka ndodhur. “Ky është një skandal i madh dhe shkak për një krizë të thellë ndërkombëtare. Megjithatë, Rusia shtihet sikur nuk ka ndodhur asgjë”, thotë analisti rus, Vladimir Frollov për “newsru.ru” në 16 shkurt.
Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zakharova, e cila nuk dihet përse si përfaqësuese e diplomacisë e përdor kaq dendur ironinë në brifingjet e saj, deklaroi se “nuk ishin 400 të vrarë, nuk ishin 200, as 100 e as dhjetë. Ne mund të flasim për vdekjen e rreth 5 njerëzve, ndoshta qytetarë nga Rusia”. Por kur spitalet ushtarake ruse u mbushën me qindra të plagosur nga Siria dhe familjet e mercenarëve të vrarë filluan t’i kërkojnë shtetit trupat e të afërmve të vrarë dhe portalet opozitare ruse nisën të japin deklarata të pjesëmarrësve rusë në luftimet, MPJ ruse u detyrua në 20 shkurt të pranojë se është fjala për dhjetëra të vrarë.
Autoritetet ruse u përpoqën ta mbajnë të fshehtë, sepse prania dhe misioni i mercenarëve rusë në Siri komprometon politikën zyrtare të Rusisë në Siri dhe në fushën e jashtme. Pavarësisht se në aspektin formal mercenarët rusë janë luftëtarë me pagesë, të cilët kanë shkuar privatisht me kontratë të luftojnë në mbrojtje të regjimit të Asadit në Siri, është sekret i njohur nga të gjithë se dërgimi i batalioneve me mercenarë rusë në Siri është një operacion i vjetër, i lidhur dhe i menaxhuar nga shteti. Në vitin 2013 kam shkruar në një analizë timen te “Gazeta Shqiptare” se “Moska me institucionet e saj legale dhe të fshehta ka organizuar një rrjet rekrutimi mercenarësh në shtetet ortodokse për të luftuar në ndihmë të regjimit të Asadit”. (“Ballkani Faustian”, 2016, fq.210).
Kompania ushtarake private “Wagner”, e cila ka dërguar zyrtarisht batalionet e mercenarëve rusë në Siri, sipas mediave ruse kontrollohet nga Evgenij Prigozhin, një njeri i rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin. Prigozhin është një oligark me emrin në listën e zezë të oligarkëve rreth presidentit rus, të dënuar me sanksione nga qeveria amerikane. Prigozhin është president i kompanisë ruse “Evro Polis”, e cila vitin e kaluar nënshkroi një kontratë me Korporatën shtetërore siriane të naftës, sipas së cilës kompania ruse do të merrte 25 për qind të të ardhurave nga fushat e naftës, të çliruara prej saj. Sulmi i madh i dështuar i batalioneve ruse të mercenarëve, që sulmuan Deir el Zour në natën e 7-8 shkurtit, kishte si objektiv të pushtonte fushën e naftës dhe të gazit, që kontrollohet nga forcat demokratike siriane të opozitës. Objektivi i pushtimit të fushës së naftës dhe gazit në Sirinë verilindore zbulon një element të rëndësishëm të politikës dhe të ndërhyrjes së Rusisë në Siri, që lidhet me strategjinë e kontrollit të burimeve të naftës dhe të gazit në Lindjen e Mesme. Nafta imposton të gjithë lojërat dhe intrigat diplomatike dhe gjeopolitike të Rusisë në krizën siriane dhe në Lindjen e Mesme.
Që njësitë speciale të mercenarëve rusë, që dërgohen nëpër botë janë vepër e shtetit dhe formë e kamufluar e formacioneve të forcave special, dëshmon edhe fakti që kompania ushtarake “Wagner” i bën stërvitjet e mercenarëve në bazat ushtarake të rajonit të Krasnodarit, ku është e dislokuar brigada e 10 e forcave speciale të shërbimit të zbulimit ushtarak rus, GRU. Transportimin vajtje-ardhje të mercenarëve për dhe nga Siria e organizon aviacioni ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë. Qindra mercenarë rusë të plagosur në luftimet e datës 7 shkurt po mjekohen nëpër spitalet ushtarake ruse. Mercenarët rusë kanë marrë të njëjtat dekorata shtetërore, që u jepen forcave të armatosura ruse. Vetë kreu i kompanisë ushtarake private “Wagner”, që rekruton, stërvit dhe dërgon në destinacion batalionet mercenare, Dmitri Utkin, në dhjetor të vitit 2016 ka marrë një dekoratë të lartë në Kremlin nga presidenti Putin.
Krijimi dhe përdorimi i forcave speciale ruse nën maskën e kompanive private ushtarake është një metodë e re e Rusisë për të realizuar ndërhyrje tokësore në shtetet e tjera, pa u komprometuar zyrtarisht për ndërhyrjen në terren dhe për viktimat që pëson. Është një metodë, e cila u përdor për herë të parë në Krime në shkurt të vitit 2014, kur forca ushtarake pa shenja të ushtrisë ruse pushtuan Krimenë, dëbuan forcat ukrainase dhe organizuan të ashtuquajturin referendum të bashkimit me Rusinë. Në atë kohë u fol shumë për enigmën e “ushtarëve të gjelbër”, të cilët nuk dihej kush ishin dhe nga vinin. Pas aneksimit zyrtar rus të Krimesë, presidenti Vladimir Putin e pranoi publikisht se ato kishin qenë forca ushtarake ruse. Njësitet speciale me uniforma pa shenja ishin batalionet e forcave mercenare ruse, që pushtuan Krimenë. Njësitet mercenare të organizuara nga kompania “Wagner” u përdorën për të ngritur dhe për të luftuar bashkë me forcat separatiste proruse në pjesën lindore të Ukrainës.
Organizimi dhe përdorimi i njësive speciale të mercenarëve nuk është një çështje private, por shtetërore. Nuk është rastësi përkimi i destinacionit të njësive mercenare ruse me strategjinë e politikës së jashtme të Kremlinit, si në rastin e pushtimit të Krimesë dhe krijimit të zonave separatiste në Ukrainë, ashtu edhe në rastin e mbrojtjes së regjimit të Asadit në Siri. Mercenarët rusë janë instrument i politikës së jashtme ruse për zhvillimin e luftërave lokale. Ata përdoren për maskuar ndërhyrjen direkte në terren të forcave ushtarake ruse. Por vrasja brenda ditës në një operacion ushtarak në Siri e mbi 300 mercenarëve rusë dhe plagosja e qindra të tjerëve nxori zbuluar qeverinë ruse se është zhytur keq në moçalin e luftës siriane dhe të krizës siriane. Kjo ngjarje zbuloi një element të ri të komplikimit të kësaj krize dhe të vështirësive të paparashikueshme për zgjidhjen e saj. Rusia po kërkon të mbajë në këmbë regjimin e Asadit, që i ka dhënë dhe i jep baza ushtarake, por edhe i lejon të marrë nën kontroll pellgjet e naftës dhe të gazit në Siri, gjë që tregon se Rusia po del hapur në skenën e ambicieve për zotërimin e burimeve të energjisë në Lindjen e Mesme.
Në Siri në një ditë u vranë mbi 300 mercenarë rusë, numër i njëjtë sa kanë vajtur gjithsej në Siri mercenarë shqiptarë nga Ballkani gjatë 7 viteve të luftës atje. Është një rast për të ballafaquar meskinitetin dhe shërbyeshmërinë ndaj qendrave antishqiptare të mediave, të të ashtuquajturave institute studimore apo shoqëri civiliste shqiptare, të cilët vetëm kur vritej një mercenar shqiptar në Siri zhurmonin gjashtë muaj me njoftime, emisione, seminare dhe broshura. Tani heshtin për mercenarët e Rusisë. Dhe shqiptarët në Siri nuk i kishte dërguar shteti. Rusia, Serbia, Greqia dhe disa qendra antishqiptare rimerrnin në propagandën e tyre zhurmat me origjinë shqiptare dhe pomponin në arenën ndërkombëtare rrezikun e radikalizmit shqiptar në Ballkan.
Ngjarja e rëndë e 7 shkurtit dhe prania e madhe e batalioneve mercenare ruse duhet të shërbejnë për të hapur sytë dhe për të parashikuar format e sofistikuara të ndërhyrjes ruse në vendet dhe në zhvillimet e sotme. Njësitë e posaçme të ushtarëve të gjelbër pa shenja, që janë aktivizuar në Ukrainë dhe në Siri flitet se janë parë edhe në bazën ruse të Nishit në Serbi. Ata e bënë një eksperiment në Mal të Zi në përpjekjen për grusht shteti në tetor 2016. Nuk duhet habitur nëse gjejnë forma të penetrimit dhe të pranisë edhe në shtetet e tjera të Ballkanit. Lobi rus në shtetet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, punon për atë ditë. Një fjalë e urtë thotë “heshtja flet”, siç flet edhe heshtja, që përmendëm në fillim të shkrimit./Balkanweb/