Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, PSSH ka fituar 18 mandate në Tiranë, por rezultatet e saj kanë qenë në gjashtë nga njëmbëdhjetë njësitë bashkiake të Tiranës më të dobëta se në vitin 2013; rezultate të dobëta janë shënuar edhe në disa zona të tjera të qarkut të Tiranës, në Rrogozhinë, Kavajë, Kamzë.
Rezultatet më të dobëta për PS në qarkun e Tiranës janë shënuar në Njësinë administrative (ZAZ 42) Kavajë, me 1382 vota më pak se në 2013- n, në Njësinë 11 të Tiranës me -1150 vota, në Kryevidh me -908 vota, në Njësinë 5 me -683 vota, e tjerë.
Rritje “e shënueshme” për PSSH është shënuar në Kashar, me +1770 vota, në Farkë me +1011 vota, në Ndroq me +582, në Petrelë me +567 vota, e tjerë. Nëse u referohemi bashkive të reja të krijuara në 2015, PSSH është rrudhur në Bashkinë Kamzë me 351 vota, në Bashkinë Kavajë me 1893 vota, në Bashkinë Rrogozhinë me 547 vota, ndërkohë që ka një rritje të papërfillshme në Bashkinë e Vorës me 273 vota; fryrjen më të madhe e ka në Bashkinë e Tiranës me 14130 vota ose, thëne ndryshe, me 9,4 për qind, shkruan Islami për Panoramën.
Mund të thuhet se në zonën e gjysmëurbane (Vorë, Rrogozhinë, Kamzë…) PSSH ka pësuar rrudhje; kjo ka ndodhur edhe në “zëmrën urbane” (11 njësitë administrative të qytetit të Tiranës, ku PS në 2017 është rrudhur me 1,4 për qind krahasuar me 2013- n. Kurse në zonën jourbane që rrethon qytetin e Tiranës (Dajt, Farkë, Kashar, Krrabë, Ndroq, Petrelë, Pezë, Shëngjergj) PSSH është fryrë me 5607 vota, ose me rreth 36,6 %.
- “RRUDHJE” E PSSH NË 11 NJËSITË BASHKIAKE TË TIRANËS…
Në qytetin e Tiranës, thënë ndryshe në 11 njësitë bashkiake, PSSH është rrudhur me 1931 vota, nga 136 333 vota që kishte grumbulluar në 2013-n, në 134402 vota në 2017-n; që do të thotë një rrudhje me 1,4 për qind. Në realitet kjo rrudhje është edhe më e lartë, sepse në 134402 votat që kanë “etiketën e PS” në 2017-n përfshihen eventualisht edhe votat e partive aleate, që iu kërkua nga PSSH të mos konkurronin më vete, por votuesit e tyre të votonin siglën e PSSH-së, ndërkohë që 136 333 votat e 2013-s janë vota “të pastra” të vetëm PSSH-së. Pra, në zemrën urbane të kryeqytetit, pavarësisht tentativave për të “blerë” vota me punësime, ndihmë sociale, akordim pensionesh, apo kërcënime me humbje të vendeve të punës, PSSH është rrudhur, sepse në qytet mesa duket votuesit e zhgënjyer nuk mund as të mashtrohen dhe as t’u tjetërsohet lehtësisht vota. Ky mund të konsiderohet një ndëshkim që kryeqytetasit i kanë dhënë modelit oligarkik të tjetërsimit të votës.
- “RRUDHJE” E PSSH-SË NË BASHKITË E DREJTUARA NGA OPOZITA…
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dy bashkitë që drejtohen nga opozita, në Kamzë dhe Rrogozhinë. Konkretisht, PSSH është rrudhur në bashkinë e Kamzës me 351 vota, ose me 2,3 për qind dhe në bashkinë e Rrogozhinës me 547 vota, ose me rreth 9,4 për qind. Rrudhje ka pësuar PSSH edhe në Kavajë, mesa duket për shkak të largimit nga fushata elektorale e ish-kryetarit të Bashkisë, të ndëshkuar nga ligji i dekriminalizimit, me 1893 vota, ose thënë ndryshe, në Kavajë PSSH është rrudhur me 15,6 për qind. Rasti i Kavajës është demonstrim i qartë i ndëshkimit të rolit të “individëve” me rekorde kriminale që kishin ndikuar më parë në tjetërsimin e votës, qoftë edhe në mënyrë të maskuar. Pra edhe aty ku kryetarët e bashkive i përkasin opozitës, modeli oligarkik është penguar të veprojë, ose veprimi i tij është frenuar.
- “FRYRJE” OLIGARKIKE E PSSH-SË NË KURORËN GJYSMË-URBANE TË TIRANËS…
Mesa duket, veprimi “oligarkik” i PSSHsë nuk ka mundur të frenohet dhe ka vazhduar të jetë prezent në zonën rreth Tiranës, madje i intensifikuar, ndonëse i maskuar, në Dajt, Farkë, Kashar, Krrabë, Ndroq, Petrelë, Pezë, Shëngjergj, ku PSSH është fryrë në të gjitha këto njësi të marra së bashku me 5607 vota, ose me rreth 36,6 %, duke grumbulluar në zgjedhjet e 25 qershorit 20908 vota, krahasuar me 15301 vota që kishte grumbulluar në 2013. Nuk ka asnjë arsye të veçantë që kjo zonë të shënonte një rezultat të tillë “spektakolar”, përveç intensifikimit të veprimit oligarkik në të gjitha format dhe mjetet e tij, sepse në këtë zonë nuk është se PSSH ka pasur ndonjë angazhim të veçantë apo qeveria ka bërë ndonjë investim specifik.
Fryrja më e lartë është shënuar në Krrabë, duke u rritur me rreth 111 % nga 506 vota në 2013-n, në 1069 vota në 2017-n; në Farkë me rreth 56 për qind, nga 1803 vota në 2013-n në 2814 vota; në Pezë me rreth 50 për qind, nga 1122 vota në 2013-n, në 1688 në 2017-n, e tjerë. Pra, një përfundim tjetër është se veprimi oligarkik ka qenë intensiv në zonën rurale dhe relativisht të thellë të Tiranës, duke iu shmangur syrit të vëzhguesve.
- “SHUPLAKË” PSSH-SË NGA QYTETARËT E ZEMRËS URBANE TË TIRANËS…
Pavarësisht se ishin marrë të gjitha masat për të garantuar fryrje edhe në qytetin e Tiranës e konkretisht në 11 ish-njësitë minibashkiake të Tiranës, të gjitha së bashku janë rrudhur me 1931 vota, ose rreth 1,4 për qind, nga 136 333 vota të grumbulluara në 2013-n, në 134 402 vota në 2017-n.
Nga 11 njësitë, në gjashtë prej tyre PSSH ka pësuar rrudhje; rrudhjen më të lartë PSSH e ka pësuar në Njësinë 11 me rreth 9,6 për qind, në Njësinë 7 me rreth 3,7 për qind, në Njësinë 5 me 3,3 për qind, e tjerë. Në të 6 njësitë me numër 2, 4, 5, 7, 8 e 11, PSSH është rrudhur me 2911 vota, nga 84487 vota në 2013-n, në 81576 vota në 2017-n. Kjo do të thotë se qytetarët e zemrës urbane të Tiranës kanë reaguar ndaj mekanizmit oligarkik të mashtrimeve dhe/ose të veprimeve për “blerjen” e votës apo kërcënimin e votuesve në funksion të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor.
- GODITJE FATALE MODELIT TË “OLIGARKISË, KRIMIT E KANABISIT” NË KAVAJË…
PSSH është përpjekur të krijojë perceptimin se shumica e qytetarëve janë përshtatur me modelin e deputetit apo të kryetarit të bashkisë me rekorde kriminale, të korruptuar, të përfshirë në kultivimin e kanabisit dhe trafikimin e lëndëve narkotike; thënë ndryshe e gjithë propaganda bëhej për të treguar se qytetarët preferojnë të ndjekin modelin e së keqes si model suksesi.
Pra, kupola e PSSH-së kishte ndërtuar një strategji për të treguar se qytetarët “adhuronin” dhe mbështesnin “të fortin” e zonës, atë që është i aftë të kryejë të gjitha llojet e korrupsionit, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë; atë që mund të mashtrojë votuesit me lloj-lloj marifetesh e kërcënimesh, atë që është i lidhur direkt me kupolën drejtuese të shtetit dhe kontrollon të gjitha bandat e zonës, atë që është drejtuesi i mafies së vogël lokale dhe i kultivimit të drogës, atë që mund të blejë vota bazuar në objektivin e përcaktuar nga kupola e oligarkisë, atë që mund të bëjë deputet apo kryetar bashkie cilindo qoftë personazh të rekomanduar nga kupola, dhe të abandojnë politikanin e ndershëm, të aftë, të arsimuar e kualifikuar…
Në qarkun e Tiranës, qytetarët e Kavajës i kanë dhënë një goditje fatale këtij modeli të së keqes dhe me votën e guximin e tyre kanë larguar të fortin e zonës të imponuar nga kupola e PSSH-së, madje të imponuar duke sfiduar partnerët ndërkombëtarë. Konkretisht, në Bashkinë e Kavajës, PSSH është rrudhur me 15,6 për qind, nga 12 127 vota të grumbulluara në 2013-n në 10 234 vota në 2017-n. Goditje e fuqishme i është dhënë modelit “oligarkik, kriminal e të kanabsit” në qytetin e Kavajës, ku PSSH është rrudhur me 21 për qind, nga 6574 vota në 2013-n, në 5192 vota në 2017-n.
- “RRUDHJE NETO” E PSSH-SË NË TË GJITHË QARKUN E TIRANËS…
Në qarkun e Tiranës, PSSH në zgjedhjet e 2017-s ka grumbulluar si etiketë 200 517 vota, ose 48,2 për qind, duke siguruar 18 mandate nga 34 mandate që i janë akorduar qarkut të Tiranës në total, kurse 16 mandatet e tjera janë fituar nga opozita e bashkuar, PD(11) dhe LSI(5). Ndërkohë, në 2017-n, numri i votuesve është ulur në qarkun e Tiranës me 35712 vota, ose 7,9 për qind. Kurse PSSH është rritur me 1680 vota, ose vetëm 0,8 për qind. Përfundimi i parë është se “etiketa PSSH” (ku përfshihen edhe aleatët, përveç LSI-së) në realitet është rrudhur me rreth 16000 vota, sepse në 2013-n të gjithë aleatët e saj, përjashto LSInë, kishin grumbulluar 17690 vota, pra “rrudhja neto” e PSSH-së është me rreth 7,4 për qind.
Kjo rrudhje mund të ketë ardhur ose nga rrudhja e vetë PSSH-së, ose nga abandonimi i votuesve të partive aleate, ose nga të dy faktorët. Së dyti, nëse të gjitha partitë kundërshtare të PSSH (PD+LSI+PDIU+tjerë) do të kishin koordinuar (nuk bëhet fjalë për koalicion parazgjedhor) veprimet kundër PSSHsë, atëherë ato do të kishin mundur të siguronin 51,8 për qind të votave. Kjo do të mund të çonte në një shpërndarje ndryshe të mandateve në qarkun e Tiranës, dhe PSSH në këtë rast do të mund të kishte siguruar jo më shumë se 16-17 mandate.
- NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…
Fitorja e 18 mandateve nga PSSH në Tiranë është e ngjashme me “fitoren e Pirros” dhe nga një analizë e thellë, mund të dalin në pah shumë probleme reale për PSSH-në, mbi të gjitha dështimi i modelit oligarkik. Kjo “fitore” vazhdon t’i dedikohet, si edhe në të gjithë vendin i) kryesisht veprimit oligarkik për “blerjen e votave” përmes të gjitha mënyrave dhe mjeteve administrative dhe parave të korrupsionit e trafiqeve, si dhe kërcënimit të maskuar të votuesve nga bartësit e krimit; ii) dobësive të opozitës dhe mangësive të saj (këto kërkojnë një analizë realiste të brendshme nga opozita, në funksion të marrjes së masave për ballafaqimet e ardhshme elektorale) për të përballuar skenarin e blerjes së votave apo së paku për ta demaskuar/denoncuar/faktuar këtë skenar që njihej paraprakisht dhe ishte testuar në Dibër; iii) mungesës së koordinimit(nuk bëhet fjalë për koalicion mes forcave kundërshtare të PSSH-së, por thjesht bashkërendim të veprimeve) mes të gjitha forcave kundërshtare të PSSH-së për të minimizuar veprimet oligarkike të PSSH-së. Nga analiza e rezultateve në zona të ndryshme të Tiranës arrihet një përfundim i pranueshëm logjikisht: pjesa urbane dhe gjysmë-urbane e kanë ndëshkuar me ashpërsi skenarin e blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve, ndërkohë që në zonën rurale paratë e pista kanë lëvizur më lirisht dhe më me efikasitet.
Rezultati i Tiranës, i analizuar në thellësi, jep dy mesazhe shumë të rëndësishme, shpresë për qytetarët e motivim për partitë politike: a) skenari i blerjes së votave përmes përdorimit të parave të korrupsionit e trafiqeve dhe kërcënimit të votuesve, përmes individëve me rekorde kriminale, është ndëshkuar nga qytetarët dhe në të ardhmen do të mund të ndëshkohet më ashpërsisht dhe b) veçanërisht partitë opozitare, por edhe të gjitha partitë e tjera që janë të interesuara për zgjedhje të lira e të ndershme, pra kundër tjetërsimit të votës nga PSSH, duhet të kuptojnë se “skenari oligarkik” për manipulimin e votave është i shmangshëm, prandaj duhet të marrin të gjitha masat dhe të organizohen, duke bashkërenduar veprimet dhe ndërmarrë të gjitha nismat që ngushtojnë/eliminojnë të gjitha hapësirat e veprimit oligarkik.