Në 23 qershor, në praninë e shumë personaliteteve të huaja që mundi të grumbullojë, Aleksandar Vuçiç e kremtoi veten si President i Serbisë. Ish-kryeministri, i zgjedhur në datën 2 prill, e kishte bërë betimin si kreu i ri i shtetit që në muajin maj, por vendosi të organizonte një ceremoni të madhe inauguruese, për të demonstruar staturën e tij.
Aleksandar Vuçiç
Në vendin e tij si kryeministër, zoti Vuçiç emëroi Ana Brnabiç, një grua homoseksuale, duke fituar lëvdatat e liberalëve të huaj. Në fakt, është zoti Vuçiç që do të drejtojë vendin, dhe ai nuk është një liberal. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë janë lehtësuar. Serbia është vendi më i fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, dhe zoti Vuçiç, pavarësisht të metave të tij, mund ta mbajë atë të qëndrueshëm.
Variante të kësaj lloj marrëveshjeje, mund të shihen në të gjithë rajonin. Disa kanë filluar t’i quajnë qeveri të tilla “stabilitokraci”. Kundërshtari kryesor i Vuçiç në garën presidenciale ishte Vuk Jeremiç, ish-ministër i Jashtëm. Fushata ishte e pistë.
Media në favor të zotit Vuçiç, artikuloi akuza të çuditshme: Zoti Jeremiç ishte një mysliman i fshehtë, që mbështetej nga Shteti Islamik, kishte qenë pjesëmarrës në një vrasje të profilit të lartë; ndërsa gruaja e tij supozohej se drejtonte një kartel droge.
Policia e mori menjëherë në pyetje mbi parregullsitë e pretenduara financiare. Nuk u ngrit zyrtarisht asnjë akuzë, dhe zoti Jeremiç tha se të gjitha historitë qenë shpifje të ulëta.
Ajo çfarë ndodhi me zotin Jeremiç, nuk tronditi askënd. Sipas Srgja Pavlloviç, akademiku malazez që ka shpikur termin “stabilitokraci”, vendet perëndimore injorojnë praktikat e autokratëve lokalë anti-demokratikë, për aq kohë sa ata ruajnë paqen.
Bosnja dhe Mali i Zi
Për shembull, Bosnja, mbetet jofunksionale pas më shumë se dy dekadave nga përfundimi i luftës atje, e ndarë mes partive mbi baza etnike.
Amerika dhe Evropa e tolerojnë këtë, me kushtin që udhëheqësit e vendit të garantojnë që krizat e tyre të mos bëhen të dhunshme. Stabilitokracia funksionon ndryshe në varësi të vendit. Në Malin e Zi, është e qartë se kush e drejton shfaqjen:që nga viti 1989 ai ka qenë Milo Gjukanoviç, ka shërbyer herë si president dhe herë si kryeministër, vetëm për t’u rikthyer sërish në drejtim, pas drejtimit të rrjedhës së ngjarjeve nga prapaskena.
Qeveria e Malit të Zi, u vlerësua në Perëndim për udhëheqjen e vendit drejt anëtarësimit në NATO në 5 qershor. Por pushteti nuk ka ndryshuar asnjëherë duar, gjatë zgjedhjeve të mbajtura në këtë vend. Si kudo në rajon, votat janë blerë përmes shpërndarjes së vendeve të punës në administratën publike.
Zgjedhjet
Zakonisht në vendet e Ballkanit, zgjedhjet çojnë në negociata për krijimin e koalicioneve, të cilat përqendrohen mbi atë se si duhen ndarë vendet e punës. (Zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri, ku socialistët fituan të vetëm mazhorancën, janë diçka shumë e rrallë.)
Vendosja se kush merr cilën ministri, është diçka relativisht e lehtë. Pyetja kryesore është kush merr cilën kompani publike, së bashku me mundësitë e saj për patronazh dhe ryshfete.
Maqedonia
Në Maqedoni, partia VMRO-DPMNE, pasi sundoi vendin për më shumë se një dekadë, ra në fund viktimë e një skandali që zbuloi informacione mbi korrupsionin galopant qeveritar, dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor.
Në 31 maj Socialdemokratët, së bashku me partitë etnike shqiptare, morën pushtetin. Por qeveria e re, do të riprodhojë të njëjtin nepotizëm nëse nuk “prishet modeli i kontrollit partiak të shtetit”, thotë Florian Biber, shkencëtar politik në Universitetin e Gracit në Austri. Kjo është një porosi e madhe në një rajon ku shteti, qoftë nën komunizëm apo tani, s’ka qenë asnjëherë i pavarur nga partitë.
“Qytetarët janë të distancuar nga politika, dhe votojnë vetëm për përfitime personale, të prekshme apo edhe nga frika”, thotë një raport mbi stabilitokracinë nga Grupi Evropian i Këshillimit të Politikave në Ballkan, një tryezë akademikësh.
Zoti Pavlloviç argumenton se duke legjitimuar situatën, Perëndimi po krijon armiqësi kundër vetvetes.
Kosova dhe ‘‘Shqipëria e Madhe’’
Në Kosovë, partia që shënoi rezultatin më të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit, denoncoi në fushatë mbështetjen perëndimore ndaj qeverisë së korruptuar. Kjo parti gjithashtu mbështet krijimin e Shqipërisë së Madhe. Në rast se dikush do të përpiqet të ndjekë këtë projekt, rajoni do të kthehet tek lufta po aq shpejt sa burrat atje mund të gërmojnë dhe nxjerrin armët e groposura në kopshtet e tyre pas shtëpive. Në një periudhë afatgjatë, stabilitokracia mund të jetë një recetë për destabilitet.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
(TIRANA TODAY)