Kosova është në periudhë fushate elektorale por qytetarët janë të pa kënaqur me zyrtarët e institucioneve. Këta punonjës po lënë shumë çështje të papërfunduara në institucionet kosovare dhe po marrin pjesë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit.
Disa prej analistëve më të mirë politikë në Prishtinë, thonë se me mosparaqitjen e tyre në punë, në masë të madhe dëmtohet vendi dhe bashkë me të, edhe qytetarët.
Analistët mendojnë së punonjësit publik duhet që më parë të zbatojnë detyrat e tyre në institucionet ku punojnë dhe më pas të mërren me fushatë elektorale për partitë që simpatizojnë. Ja se çfarë mëndojnë disa prej analiztëve kosovarë:
Imer Mushkolaj: Zyrtarë marrin paga dhe janë zyrtarë në detyrë, do të ishte dashur t’i kryejnë obligimet ligjore që kanë dhe më pas të shkojnë në fushata. Ata paguhen për të kryer punën si zyrtarë të emëruar në institucione. Unë besoj se edhe në këtë rast përgjegjësia është shumë e madhe duke filluar që nga kreu më i lartë, në këtë rast kryeministri në detyrë, por edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ministra e zëvendësministra në detyrë.
Artan Muhaxhiri: Në Kosovë është bërë traditë që me fillimin e shfaqjes së indikacioneve për zgjedhje, të gjithë ata përfaqësues të partive politike që janë në institucione, t’i lënë pas dore obligimet dhe detyrat e tyre në institucione dhe të fokusohen krejtësisht në fushatat e partive të tyre respektive.
Imer Mushkolaj: Ka ndodhur që në javët e kaluara, qytetarët të dëmtohen për shkak të zvarritjes së vënies së një nënshkrimi nga ana e një ministri, që ka të bëjë me jetën e tyre të përditshme. Qytetarëve nuk iu intereson nëse zyrtari i caktuar, qeveritar, është në fushatë zgjedhore, por atij i intereson që ai të përfundojë punën. Për fat të keq kjo çështje nuk është sanksionuar me ligj, sepse do të duhej që ligji të ishte shumë më i qartë.
Analistët theksojnë se zyrtarëve duhet t’u ndalohet që gjatë orarit të punës të marrin pjesë në aktivitete të tjera e fushata zgjedhore.
Në Ligjin për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”. Përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”.