Vetëm pak ditë pas hapjes për herë të parë të ambasadës Japoneze në Shqipëri, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito ka zhvilluar takimin e tij të parë institucional me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror, z. Shkëlqim Hajdari. Ky takim është zhvilluar në ambientet e Inspektoratit.
Inspektori i Përgjithshëm, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re e fisnike Ambasadorit të parë, rezident i Japonisë në Shqipëri. Duke e informuar z. ITO mbi funksionet e detyrat kryesore të Inspektoratit Qendror, si institucioni bërthamë rregullator dhe udhëheqës metodologjik i 15 Inspektorateve Shtetërore, z.Shkëlqim Hajdari prezantoi procesin e reformimit të Inspektorateve Shtetërore, me synim rritjen e transparencës dhe efikasitetit të punës së inspektorateve dhe reduktimin e barrës administrative të biznesit që vjen nga veprimtaria e agjencive ligj zbatuese në fushën e inspektimeve.
Duke shprehur vlerësimin e tij për mundësinë e takimit, Ambasadori ITO deklaroi se Japonia, ofron ekspertizën e saj, për fuqizimin e kapaciteteve elektronike digjitale për kryerjen e inspektimeve në Shqipëri.
Inspektori i Përgjithshëm shprehu bindjen se industria japoneze e pajisjeve elektronike dhe e aplikacioneve software do të ishte një shembull avangarde për t’u marrë në konsideratë, përpara se projekti të paraqitet për financim pranë qeverisë shqiptare, në fillim të muajit Shtator, si dhe donatorëve të huaj. Po ashtu z.Shkëlqim Hajdari theksoi nevojën për marrjen e informacioneve dhe mundësinë e organizimit të takimeve të drejtpërdrejta me industrinë japoneze në fushën e sigurisë ushqimore, si dhe të industrisë së ndërtimit.
Japonia si vend lider në botë, në fushën e zhvillimit ekonomik, teknologjik e menaxherial ka se çfarë na mëson në kuptimin e shkëmbimit të përvojave e praktikave më të mira lidhur me menaxhimin e kualitetit të lartë e menaxhimit të burimeve njerëzore.
Pritet që ky takim të jetë ura e vendosjes së kontakteve institucionale me shtetin japonez, e sipërmarrjet private që ofrojnë shërbime shtetërore e private në Japoni.