Nga Nikolas K. Gvosdev “National Interest”/ Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogerini, njoftoi javën e shkuar se BE-ja, në bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën, do të krijojë një mekanizëm për të lejuar Iranin të vazhdojë tregtinë me nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore, pavarësisht rikthimit të sanksioneve të SHBA-së ndaj Teheranit.
Sikurse bëri me dije, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara:”Në terma praktikë, kjo do të thotë që vendet anëtare të BE-ë, do të krijojnë një entitet juridik, për të lehtësuar transaksionet e ligjshme financiare me Iranin, dhe kjo do t’i lejojë kompanitë europiane të vazhdojnë tregtinë me Iranin”.
Shumica e reagimeve nga ana e komunitetit të politikës së jashtme amerikane, kategorizohet në dy grupime:tallje dhe mosbesim. Amerikanët, besojnë se Evropa nuk mund të shpresojë të vërë në zbatim një propozim të tillë, ose se nuk ka asnjë mënyrë që ky mekanizëm të jetë praktik.
Për më tepër, amerikanët besojnë se evropianët nuk do të rrezikojnë interesat e tyre korporative dhe financiare në Shtetet e Bashkuara. Kjo mund të jetë e vërtetë, por Uashingtoni duhet të shqyrtojnë seriozisht kërcënimin që paraqet propozimi i Brukselit, mbi levat ekonomike
të Amerikës.
Në vitin 2018, dollari amerikan mbetet opsioni më optimal për zhvillimin e tregtisë dhe financave ndërkombëtare. Sistemi financiar amerikan, është më i preferuari për të gjitha llojet e transaksioneve. Për më tepër, për mallrat e teknologjisë së lartë, mjetet dhe teknikat e avancuara, mbështetja tek kompanitë e vendeve të G-7, është zgjedhja e preferuar e klientëve në mbarë botën.
Sanksionet e SHBA-së, të planifikuara për të privuar një vend nga mundësia për të përdorur dollarët në transaksionet e veta, përbëjnë një goditje të vërtetë ekonomike. Por ajo mund të
mos jetë gjithmonë fatale. Ndryshe nga raundi i mëhershëm i sanksioneve ndërkombëtare të imponuara ndaj Iranit, Evropa beson se për sa kohë që Irani po respekton marrëveshjen bërthamore, nuk ka arsye për të rivendosur sanksionet.
Përveç kësaj, ndërsa kompanitë e mëdha evropiane, me pasuri dhe llogari në Amerikë, do të bien dakord me sanksionet e Shteteve të Bashkuara, ne mund të shohim lehtësisht fillimet e një sjellje me dy standarte, ku kompanitë më të vogla evropiane, do të vendosin të kenë tregti “speciale” me Iranin.
Për shembull, kompanitë tregtare do të jenë në gjendje të tregtojnë naftë iraniane dhe të blejnë mallra në emër të Iranit – kompani që janë të shkëputura nga dollari dhe tregu amerikan.
Ndërkohë, Moska po vëzhgon nga afër përvojën e Iranit, për të parë nëse mekanizmi i propozuar për pagesa speciale, mund të zgjerohet për t’u bërë një mekanizëm efektiv edhe për Moskën, për të reduktuar efektin goditës të sanksioneve ekonomike amerikane.
Që nga viti 2014, Rusia ka qenë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e G-7, për shkak të politikave të saj përkundrejt Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, kanë miratuar sanksione shtesë për këtë dhe shkelje të tjera. Megjithatë, pritshmëritë e deridjeshme, se sjellja e Moskës mund të ndryshohej duke e kufizuar qasjen ruse në fonde, investime dhe teknologji, nuk janë përmbushur.
Kongresi Amerikan, po shqyrton tashmë një sërë masash të reja sanksionesh të reja, që synojnë të shtojnë presionin ekonomik të SHBA-së kundër Rusisë. Ashtu si Irani, edhe SHBA-ja ka një marrëdhënie shumë më të kufizuar ekonomike me Rusinë sesa aleatët e saj evropiane, të Lindjes së Mesme dhe Azisë Lindore.
Njëherazi, këto vende, duke synuar të pengojnë disa politika ruse, kërkojnë gjithashtu të nxisin bashkëpunimin rus në fusha që lidhen me interesat e tyre. Ata kanë hezituar të vazhdojnë të ndërmarrin hapa, që mund të rrënojnë krejtësisht ekonominë ruse. Kështu, Shtetet e Bashkuara gjithashtu po marrin parasysh zbatimin e sanksioneve më të forta të vendeve të treta ndaj partnerëve, kompanive dhe bankave, që vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.
Moska, në bashkëpunim me disa nga partnerët e saj ekonomikë evropianë, ka testuar tashmë
disa zgjidhje kreative për sanksionet ekzistuese në industrinë e saj energjitike. Për shembull, kompania franceze Total, nuk ishte e gatshme të braktiste investimet e saj fitimprurëse në projektet ruse të gazit natyror në Arktik, por gjithashtu nuk qe e gatshme as të rrezikonte të
binte ndesh me kufizimet e BE-së për investimet në Rusi.
Këto sanksione, përfshijnë ato që janë vendosur nga administrata Obama mbi Rusinë. Prandaj, Total përfundoi investimet e veta në projektin Yamal, duke kërkuar financim nga bankat kineze në euro dhe juan – duke qëndruar tërësisht jashtë sistemit financiar perëndimor.
Ndërprerja e qasjes së Rusisë në mallrat e avancuara për industrinë e saj energjitike, sidomos teknologjia e nevojshme për të shfrytëzuar dhe zhvilluar rezervat e saj në det të hapur në Arktik, ishte gjithashtu një synim i sanksioneve perëndimore.
Për disa vite, disa nga aktivitetet eksploruese të Rusisë në Arktik, u detyruan të ndërpriten. Por gjatë verës së kaluar, u duk sikur u gjet një zgjidhje. Rusia mund të ketë pajisje kineze të vendosura në Arktikun rus, por duke përfituar nga boshllëqet në kufizimet e sanksioneve, kompanitë norvegjeze kanë mundësi angazhohen në “shërbime të furnizimit në det të hapur” tek një klient kinez që nuk është subjekt i sanksioneve, dhe që nga ana tjetër do të punonte për rusët.
Askush nuk mendon se këto janë zgjidhje ideale. Moska do të preferonte një qasje të papenguar në bankat perëndimore dhe institucionet financiare, për të financuar transaksionet e dollarit, dhe për të pasur kompanitë perëndimore si ofruese të mallrave dhe shërbimeve jetike.
Përdorimi i juanit është më pak i përshtatshëm për financim, ndërsa kopjet kineze të produkteve perëndimore të precizionit të lartë, mund të përfundojnë duke qenë më të shtrenjta dhe më pak të besueshme. Por Moska mund të vazhdojë të turbullojë ujërat, ndërsa ekonomia e saj po i rikthehet niveleve modeste të rritjes.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që rusët janë shumë të interesuar, për një mekanizëm të ngjashëm më atë të pagesave speciale për Iranin. Një mekanizëm i tillë, do të kërkonte një rivlerësim të naftës në euro, krahas dollarit. Për më tepër, përdorimi i mundshëm i rupit indian, së bashku me juanin kinez në tregtinë energjike të Iranit me Indinë dhe Kinën – sërish për të shmangur sanksionet e dollarit amerikan – do të ndihmonte në zhvendosjen e supremacinë dërrmuese të dollarit në transaksionet ndërkombëtare.
Propozimi i një mekanizmit mbi pagesat speciale, mund të dështojë. Konsumatorët dhe prodhuesit, mund të jenë ende jo të gatshëm të pranojnë pagesa në diçka tjetër përveç dollarit, duke pasur parasysh dobësitë strukturore të euros, dhe besimin vazhdueshmërisht të pakët në vlerën e juanit. Por kjo përpjekje e parë nuk do të jetë e fundit – dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura për të adresuar këtë rrezik për udhëheqjen e saj financiare.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce