Megjithë deklaratën e përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi rreth demarkacionit në Kosovë akoma nuk ka konsensus të plotë që demarkacioni të ratifikohet në Kuvend.
Është shtyrë pa afat seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo ndonëse, seanca ishte paralajmëruar se mund të mbahej në datën 19 shkurt. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri të ditur se për mbajtjen e seancës mund të duhet edhe një javë kohë, për faktin që seanca duhet të përgatitet mirë.
Të premten (16.02.) udhëheqësit politikë kosovarë publikuan me shumë entuziazëm marrëveshjen ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Ata ranë dakord që parlamenti i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 dhe me pas të dyja vendet të bëjnë korrigjimet e duhura në pjesët e kufirit, ku Prishtina zyrtare pretendon se Kosova humb territor.
“Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe dëshiron konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë. Ka një ndryshim në gjendjen faktike. Ka një marrëveshje mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës”, bëri të ditur kryeministri Haradinaj në një deklaratë për medie. Ai tha se ligjin për demarkacionin me Malin e Zi duhet ta votojnë të gjithë deputetët pa përjashtim.
“Kjo marrëveshje dhe ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë. Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha Haradinaj.
Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës. Tash për tash, votën pro marrëveshjes e kanë deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demopkratike, Nisma për Kosovën, Aleanca e kryeminitrit Ramush Haradinaj dhe disa deputetë të pakicave, që së bashku bëjnë 78 vota, mirëpo, akoma nuk kanë qëndrim të prerë Pro ratifikimit të demarkacionit, Lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska. Njëri nga deputetët e listës Srpska Igor Simiq, ka thënë se “për deputetët serb me e rëndësishme është që të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët, por jo për serbët”.
“Për Listën Serbe prioritet është formimi i Asociacionit të Komunave serbe (AKS) në Kosovë, e jo çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Demarkacioni është me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, por për serbët në Kosovë shumë më i rëndësishëm është formimi i AKS-së dhe avancimi i pozitës së serbëve në Kosovë. Ne po e presim prej shumë kohësh AKS-në përmbushjen e pikave të tjera nga marrëveshja e koalicionit qeverisës në mënyrë që ta avancojmë jetën e serbëve në Kosovë. Për këto Lista Serbe dëshiron të flasë, e pastaj një herë tjetër në rend dite do të vijë demarkacioni”, citon mediumi publik i Serbisë, deputetin serb të Kosovës Igor Simiq.
“Çështja e demarkacionit nuk kërkon përkrahjen e shumicës së dy të tretave të komuniteteve jo shumicë, të deputetëve që vijnë nga bashkësitë serbe, rome e turke. Te shqiptarët ka mjaft vota që të zgjidhet kjo çështje. Ajo që ata e duan është pjesëmarrja e serbëve, sepse kështu dëshirojnë ta manifestojnë karakterin shumëetnik të këtij vendimi”, citohet të ketë thënë Simiq.
Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kriteri i fundit që Kosova duhet të plotësojë në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heqë regjimin e vizave edhe Kosovës, si i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në zonën Shengen.
Sapo Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi Filip Vujanoviç publikuan marrëveshjen ku zotoheshin për rishikim të shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, zyra e BE-së në Prishtinë e mirëpriti këtë marrëveshje dhe e cilësoi “një hap të rëndësishëm në drejtim të regjimit pa viza për Kosovën”.
“Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi, që do t’i bëjë qytetarët e Kosovës të gëzojnë mundësitë për lëvizje të lirë”, u shpreh shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova./DW