“Il Post”
Kanë rifilluar këtë javë në Gjenevë të Zvicrës negociatat e ndërmjetësuara nga OKB për bashkimin e ishullit të Qipros, i ndarë prej gati 50 vjetësh midis një shteti grek qipriot në jug, dhe një shteti qipriot turk në veri.
Bisedimet kanë rinisur në një kohë kur procesi dhjetëvjeçar i ribashkimit, është në një nga pikat e tij më të ulëta të para ndonjëherë. Në vend se t’i shërbejnë ribashkimit, takimet e kësaj jave synojnë vetëm të parandalojnë dështimin e plotë të procesit të gjatë të negociatave.
Në fakt për herë të parë ndër dekada, njëra nga palët në negociatë, qeveria turke qipriote, paraqiti zyrtarisht propozimin për të pranuar statuskuonë, dhe për të njohur ekzistencën e 2 shteteve sovrane në Qipro, duke e pranuar realitetin se ishulli do të mbetet i ndarë.
Megjithëse kundërshtohet nga një pjesë e madhe e popullsisë lokale, ky propozim u shtrua në tryezën e negociatave pas zgjedhjes së një qeverie nacionaliste në Qipron Veriore vitin e kaluar, dhe mbështetet fuqimisht nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.
Mbi të gjitha, sipas shumë analistëve kjo do të ishte një simptomë e faktit që ndarjet po
bëhen më të gjëra dhe më të vështira për t’u riparuar,dhe se pas përpjekjeve të panumërta të dështuara, hapësira kohore për të arritur një ribashkim të ishullit do të mbyllet pa ndonjë rezultat.
Negociatat filluan të martën më 27 prill me ndërmjetësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres. Përveç qeverive të Qipros Jugore (e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, duke e përjashtuar Turqinë si qeveria legjitime e të gjithë ishullit) dhe Qipros Veriore (të njohur si një shtet sovran vetëm nga Turqia), në të morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Greqisë, Britanisë dhe Turqisë, që cilësohen si 3 “garantuesit” e situatës politike të ishullit, në bazë të një traktati të vitit 1960.
Sipas Stefan Dugariç, zëdhënësi i Guterres “synimi i takimit do të jetë përcaktimi nëse ka bazë të përbashkët që palët të negociojnë një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e Qipros në të ardhmen e afërt”. Por ky formulim pasqyron pesimizmin ekstrem që e karakterizon këtë raund negociatash,dhe është në kontrast të plotë me optimizmin e vitit 2017, kur u cilësua si e arritshme një zgjidhje e problemit.
Kur negociatat dështuan, shumë analistë thanë se Qipro humbi shansin e saj të fundit për ribashkim, dhe takimi i kësaj jave ka të ngjarë që ta vërtetojë këtë gjë. Ishulli i Qipros është ndarë që në vitin 1974, viti i pushtimit të parë nga trupat turke.
Për shekuj me radhë, një shumicë e popullsisë greke (77 për qind e banorëve në vitin 1960) dhe një pakicë e popullsisë turke (18 për qind) kishin bashkëjetuar në këtë ishull për shekuj, ndonjëherë në mënyrë paqësore por më shpesh me konflikte.
Deri në fundin e shekullit XIX, ishulli ishte dominuar nga Perandoria Osmane. Më pas në fillim të shekullit XX, u bë pjesë e Perandorisë Britanike. Kur fitoi më në fund pavarësinë në vitin 1960, pas një periudhe përplasjesh të armatosura, një seri traktatesh ndërkombëtare synuan që të nxisin bashkëjetesën midis dy komuniteteve brenda një shteti unitar që mbulonte të gjithë territorin.
Komunitetit qipriot turk iu dhanë të drejta dhe garanci të shumta të sigurisë. Për shembull, iu garantua 30 për qind e vendeve në Parlament dhe poste të ndryshme publike, përfshirë pozicionet e larta. Greqia, Britania dhe Turqia morën rolin e “vendeve garante”, ku secilit
iu njoh e drejta e ndërhyrjes ushtarake në rast se shkeleshin kushtet e bashkëjetesës paqësore.
Megjithatë bashkëjetesa midis dy komuniteteve ishte që në fillim e dështuar. Për disa dekada, lëvizjet nacionaliste ishin shumë të forta nga të dyja palët dhe të përkrahura përkatësisht nga qeveritë e Greqisë dhe Turqisë.
Qipriotët grekë ndoqën politikën e enosis (bashkimit), pra ribashkimit me Greqinë të të gjitha territoreve me shumicë greke, ndërsa në kundërpërgjigje qipriotët turq ndoqën politikën e taksim (ndarjes), pra krijimit të një shtetit të pavarur qipriot turk në këtë ishull.
Presidenti i parë i republikës së Qipros, Kryepeshkopi Ortodoks Makarios III, që qëndroi në pushtet nga shpallja e pavarësisë në vitin 1960 deri në pushtimin turk të vitit 1974, nuk mundi (dhe kryesisht nuk donte pasi ishte një mbështetës i lashtë i enosis, bashkimin me Greqinë) që të zbuste dhunën ndëretnike, e cila nisi disa vjet pas pavarësisë dhe që solli qindra të vdekur nga të dyja palët.
Në atë kohë, pakica turke qipriote përjetoi pjesën më të madhe të diskriminimit dhe dhunës. Qindra fshatra të banuara nga qipriotët turq u shkatërruan, dhe dhjetëra mijëra njerëz u detyruan të jetonin në enklava të izoluar në kushte shumë të vështira.
Ndërkohë, qipriotët turq u dëbuan edhe nga postet e ndryshme në administratës, dhe Makarios i privoi ata nga një pjesë e të drejtave të garantuara nga traktatet e vitit 1960 (versioni grek është se qipriotët turq u tërhoqën vullnetarisht nga postet publike), duke
arritur deri në ndarjen më dysh të Nikozias, kryeqytetit të vendit.
Turqia kërcënoi vazhdimisht se do të ndërhynte ushtarakisht në mbrojtje të qipriotëve turq, por në çdo rast u ndalua nga vendet e NATO-s (pjesë e të cilave janë Turqia dhe Greqia) dhe në veçanti nga Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk dëshironin një luftë midis aleatëve në Mesdheun Lindor.
Gjërat ndryshuan kur në korrikun e vitit 1974, pushtetin në Greqi e mori një juntë ushtarakësh (e ashtuquajtura “Diktatura e Kolonelëve”), që organizoi një grusht shteti në Qipro, me ndihmën e grupeve lokale nacionaliste për të rrëzuar Makariosin dhe për ta zëvendësuar atë me nacionalistë më të vendosur me qëllimin e ardhshëm të realizimit të bashkimit të ishullit me Greqinë.
Në atë moment Turqia ndërhyri ushtarakisht. Brenda pak ditësh ajo dërgoi 30.000 ushtarë në ishull dhe e pushtoi të gjithë pjesën veri-lindore, apo rreth 36 për qind të territorit të përgjithshëm. Rreth 180.000 grekë qipriotë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre për të lëvizur në jug.
Ndërkohë, rreth 50.000 qipriotë turq që jetonin në jug të ishullit u zhvendosën në veri. Kësisoj, ishulli u nda në 2 pjesë:një zonë e gjatë tampon e menaxhuar ende nga OKB, vazhdon të ekzistojë përgjatë kufirit midis veriut dhe jugut. Kryeqyteti, Nikosia (Lefkosa për Turqit), është aktualisht kryeqyteti i vetëm evropian përgjatë të cilit kalon një kufi i militarizuar.
Në ishull ka edhe 2 territore të mëdha, Akrotiri dhe Dhekelia, ku gjenden bazat ushtarake britanike dhe që kanë statusin e territorit sovran të Mbretërisë së Bashkuar, të ruajtura pas Traktatit të Pavarësisë të vitit 1960. Disa vjet pas pushtimit, në vitin 1983, Qiproja Veriore e shpalli në mënyrë të njëanshme veten të pavarur, duke shpallur Republikën Turke të Qipros Veriore, por sovraniteti i saj u njoh vetëm nga Turqia.
Kjo gjendje është shumë e pafavorshme për turqit qipriotë, që jetojnë në një territor që
nuk njihet nga shumica e botës, dhe që vuajnë pasojat e një embargoje ekonomike të përhershme:të gjitha lidhjet ajrore dhe shkëmbimet tregtare mund të kalojnë ekskluzivisht përmes Turqisë, nga e cila varet thuajse e gjithë ekonomia e Qipros Veriore.
Gjithashtu, për shkak të izolimit, pas gati pesëdhjetë viteve të ndarjes, pjesa veriore e ishullit është dukshëm më e varfër dhe më e prapambetur se jugu, i cili gëzon tregti të lirë dhe që në vitin 2004 hyri në Bashkimin Evropian.
Burimi: https://www.ilpost.it/2021/04/29/cipro-nord-sud-negoziati
Përshtatur nga Tirana Today