Zëvendës konsulli i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Omar Medina, i është përgjigjur një pyetje që ka mjaft interes për qytetarët shqiptarë, nëse Trump do ti japë fund lotarisë. “Lotaria Amerikane është vendosur nga Kongresi, dhe mund të shfuqizohet vetëm nga një akt i Kongresit. Programi është aktiv tani, për çdo informacion mund ti referoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, por për momentin programi është aktiv, dhe ligji nuk ka ndryshuar”, ka thënë ai, gjatë një interviste që ka dhënë në studion e “Rreze Dielli” .
Ai ka shuar kureshtjen edhe në lidhje me “mitin” që korçarët janë më të favorizuarit nga Lotaria Amerikane. Zyrtari ka deklaruar se gjithçka bazohet tek teknologjia, dhe se nuk ka asnjë preferencë ndaj një zone të caktuar. E thënë shkurt, kompjuterat kontrollojnë se kush përzgjidhet, se asnjë nuk mundet që të bëjë ndërhyrje në këtë proces.
“E kam dëgjuar këtë histori. Mënyra se si përzgjidhen fituesit, është që qendra konsullore në Kentucky ka një sistem kompjuterik që përzgjedh në mënyrë rastësore fituesit. Pra gjithçka bazohet tek teknologjia, dhe nuk ka asnjë preferencë ndaj një zone të caktuar. Kompjuterat kontrollojnë se kush përzgjidhet, asnjë prej nesh nuk bën asnjë ndërhyrje tek ky proces, dhe nuk besoj që të jetë dikush nga Korça që manipulon kompjuterat. Është gjithçka automatike në Kentucky”.