Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse vërtetohet se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë spiun, do të jetë diçka mjaft dramatike. Kryeministri Edi Rama ka komentuar dokumentin në Autoritetin e Dosjeve duke thënë se do të ishte dramatike nëse vërtetohej se spiuni i identifikuar si I.M., është Ilir Meta. Ndër të tjera thotë se nuk e bëri ai Metën President, por e mori me postin me votat e tij.
“Iniciativa nuk është ndërmarrë për asnjë parti politike dhe për asnjë kryetar partie, është një iniciativë e ndërmarrë si rezultat i një boshllëku në ligj që nuk lejon që Autoriteti i Dosjeve që nuk lejon të hetojë ata që kanë kaluar filtrin e Komisionit Bezhani.
Kjo është kërkesa e Autoritetit të Dosjeve e bazuar te një shkak shumë konkret, shumë dramatik që bashkon inicialet I.M., me Ilir Metën në hipotezë. Është një hipotezë e mundshme dhe dramatike. Unë nuk e kam bërë President, por e kanë bërë votat e veta”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sikundër kishte paralajmëruar, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve. Kallëzimi i tij vjen pas akuzave se një politikan i lartë me iniciale I.M., ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, për të cilin mazhoranca thotë se është Ilir Meta.
Kryetari i PL akuzon kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Autoritetit të Dosjeve se kanë falsifikuar dosjen në fjalë, teksa mohon që të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.