Avokati i ukrainasit ka folur për mediat pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit, pasi la në burg rusët e ukrainasin e arrestuar për spiunazh. Avokati i shtetasit ukrainas i kapur në uzinën e Gramshit dhe i dyshuar për spiunazh, ka mohuar bashkëpunimin e klientit të tij me shërbimet inteligjente ruse.
Avokati Saimir Visha tha se ka kërkuar pavlefshmërinë e deklarimeve të tij gjatë marrjes në pyetje, pasi është pyetur në gjuhën ruse, kur gjuha e tij amtare është ukrainase.
“I është mohuar gjuha. Nuk mundet të pyetet ai në gjuhën ruse kur gjuha e tij zyrtare është ukrainase. Personi që është shtetasi huaj pyetet në gjuhën amtare.
Kërkuam pavlefshmërinë e deklarimit të tij. Dy të tjerët kanë kërkuar avokatë të zgjedhur, gjykata i ka caktuar kryesisht. Në lidhje me akuzat, ju e dëgjuat dhe vetë që nga ana e policisë dështoi.
Ishte regjistruar për 5 vepra, aktualisht janë 2 vepra. Nuk është armë kimike. Nuk ka fakt penal kur fotot janë bërë në një objekt që nuk ka asnjë sinjalistikë. Në mënyrë kategorike klienti im nuk ka pasur të bëjë me shërbimet ruse”, deklaroi Visha.
Dëshmitë e tre të huajve që akuzohen për spiunazh, nuk bëhen publike për mediat pasi konsiderohen sekret hetimor. Ata kanë mohuar të kenë ardhur në Shqipëri me mision spiunimi. Të tre u vunë në pranga mbrëmjen e 20 gushtit, teksa tentuan të hynin në ish-uzinën e armëve në Gramsh.