Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”
MBLEDHJA E BYROSË POLITIKE NË PALLATIN E BRIGADAVE
16 dhjetor 1981
Ora 16:00 deri në 18:00
Për këtë mbledhje nuk është mbajtur procesverbal dhe nuk është gjendur në arkiv asnjë dokument zyrtar. Është me vend të theksohet se ky veprim është bërë me qëllim që të mos lihet një dokument zyrtar me shkrim. Zhvillimi i mbledhjes përshkruhet me përafërsi nga të dhënat e grumbulluara në formë konfidenciale. Ato janë bërë me sinqeritet dhe janë shkruar me saktësi e përgjegjësi për të dokumentuar dhe plotësuar këtë mangësi.
Një pjesë prej ish-anëtarëve të Byrosë Politike jetojnë akoma dhe mund të bëjnë saktësimet dhe plotësimet e nevojshme në rast se ata do të dëshirojnë të kontribuojnë për të mësuar më shumë dhe për të zbardhur më tej zhvillimin e kësaj mbledhjeje misterioze.
Mbledhjen e ka hapur Enver Hoxha, i cili ka theksuar:
– Kemi lajmëruar të gjithë shokët e Byrosë Politike, me përjashtim të Mehmet Shehut, apo jo, Ramiz?
– Po, shoku Enver.
– Menduam t‘ju vëmë në dijeni për një ngjarje të rëndë, për një komplot armiqësor që është përgatitur ndaj partisë. Partia ka zbuluar dhe vërtetuar se Mehmet Shehu është armik e tradhtar. Ai ka kryer veprimtari të rëndë kundër Partisë. Prandaj nuk e kemi lajmëruar të vijë në këtë mbledhje. Mehmeti është tradhtar dhe agjent i kapitalizmit, imperializmit dhe revizionizmit modern jugosllav dhe sovjetik. Kemi dokumente dhe prova. Shokët e Byrosë do të marrin dijeni…
… Nesër do të bëjmë mbledhjen e Byrosë Politike. Atje do t’i japim edhe një herë mundësinë Mehmetit që të flasë hapur para Partisë. Ai duhet të kuptojë përgjegjësinë e tij të rëndë. Mehmeti është e domosdoshme që të reflektojë. Këtë duhet ta bëjë nesër. Në rast se nuk do të ketë kurajën që të flasë dhe të tregojë sinqerisht të vërtetën, do të ndëshkojë vetveten. Nesër të reflektojë, ndryshe do të jetë vonë. Partia nuk do ta tolerojë më këtë armik…
Pas fjalës së Enverit kanë diskutuar me të njëjtin patos e solidaritet të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, kanë kritikuar me rreptësi dhe kanë kërkuar të merren masat e rënda deri edhe penale. Kjo ka qenë karakteristikë e mbledhjeve të forumeve të partisë. Dihej se Enveri ishte personi i vetëm që vendoste dhe impononte vullnetin e tij të hekurt me forcën e një ligji. Bindja, mbështetja pa rezerva, si edhe frika ndaj Enver Hoxhës njihej mirë edhe nga familjarët e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të afërmit e tjerë të tyre.
Mendimet e deklaruara, qëndrimet zyrtare e personale dhe urdhrat e Enver Hoxhës kanë qenë më të pushtetshëm se një ligj për të gjithë anëtarët e udhëheqjes dhe drejtuesit e tjerë të lartë partiakë e shtetërorë. Në prani, por edhe në mungesë të Enverit, asnjëri nga Byroja Politike nuk guxonte të debatonte ose të jepte ndonjë mendim sadopak të ndryshëm. Bindja ka qenë e padiskutueshme. Të gjithë flisnin duke shprehur solidarizim, mbështetje të pakufizuar dhe të zotuar për të vënë në zbatim porositë e vendimet me të gjitha mundësitë që kishin.
Bindja ka qenë e ndërgjegjshme për shkak të formimit, kulturës politike të vendosur dhe raporteve të njohura në marrëdhëniet midis udhëheqjes, si në ato zyrtare, ashtu edhe në ato personale e familjare. Bindja kishte në përmbajtjen e saj edhe frikën e brendshme në ndërgjegjen e secilit anëtar të Byrosë Politike dhe të cilitdo që kishte të bënte me forcën dhe pushtetin e pakufizuar të udhëheqësit kryesor. Të gjithë e dinin dhe e pranonin bindjen dhe mbështetjen pa rezerva.
Secili e kishte të qartë se kërkohej dhe ishte e domosdoshme që të bindej pa kushte dhe pa rezerva. Praktika tregon se vetëm kështu do të mund të bëhej karrierë, të mbahej rangu në hierarkinë e partisë-shtet apo vendi i punës, të ruhej niveli i jetesës dhe i kushteve prej kujtdo që kishte arritur të kishte një rol në parti, një pozicion drejtues apo një vend të zakonshëm nëpunësie. Të gjithë kërkohej të shprehnin mirënjohjen, mbështetjen dhe përkushtimin në zbatimin e porosive të Enver Hoxhës dhe të vendimeve të Partisë.
Secili kërkohej të ishte i lumtur me udhëheqësin dhe me shoqërinë socialiste që vepronte sipas mësimeve të tij. Secili kërkohej të dënonte imperializmin dhe revizionizmin modern, të vlerësonte si shpëtimtar udhëheqësin Enver Hoxha dhe Partinë e Punës etj., etj. Ndryshe do t‘i nënshtrohej hakmarrjes dhe dënimit të rreptë e të pamëshirshëm, deri edhe penalisht.
Faza e tretë: Gjyqi politik për dënimin e Mehmet Shehut, që pasoi me vdekjen e tij.
Byroja Politike e kryesuar nga Enver Hoxha ishte faktikisht Gjykata Supreme. /shqiptarja.com