PROF. GJERGJI THEODHOSI
Ndër specialitetet më të veçanta, janë këto që lidhen me riprodhimin, me zhvillimin e aparatit gjinor femëror, me fiziologjinë dhe patologjinë e këtyre organeve, si dhe me problemet që mund të krijohen dhe zbulohen në ecurinë e zhvillimit të shtatzënisë, si për ato me aspekt normal, edhe për shfaqjet patologjike.
Të dhënat mbi fiziologjinë e gruas dhe për më tepër veçoritë e feminitetit, zhvillimit të organeve gjenitale femërore dhe të dhënat mbi shtatzëninë dhe lindjen, kanë shqetësuar mendjet e mjekëve që në kohët më të lashta, dhe ky informacion është shumuar dhe specifikuar nga dekada në dekadë, duke u bërë gjithmonë e më i kompletuar dhe më i mundshëm për përmirësimin e funksioneve të tij.
Të dhëna fillestare, pra, jo të plotësuara, sillen nga dijetarët e lashtësisë si ata egjiptianë, nga Aristoteli, Hipokrati dhe Galeni, dhe nga dijetarë të shumtë që kanë plotësuar gradualisht njohuritë për fiziologjitë dhe patologjitë eventuale të organeve gjenitale femërore, duke studiuar ato vetë, por edhe për disa probleme në studime krahasuese me disa qenie të tjera të gjalla, pra, studime krahasuese.
Edhe në studimet klinike për feminitetin, si dhe mundësitë e eksplorimit të fiziologjisë dhe patologjive të tij, mundësitë e eksplorimit, në mundësi laboratorike, si për problemet hormonale, ashte edhe për inflamacionet e për më tepër për zbulimin në kohë, sa më herët të patologjive malinje të organeve gjenitale femërore, mundësitë njohëse të tyre kanë përparuar me shpejtësi marramendëse.
Së pari mund të diskutojmë periudhën e kohës së vlerësuar të nevojshme për një përgatitje normale të pasuniversitarëve. Fillimisht, disa vite përpara, një stazh prej 2 vitesh, konsiderohej i mjaftueshëm që obstetër-gjinekologu të punonte i/e pavarur, përveç interventeve që kërkojnë nja ekip mjekësh.
Duke qenë se informacioni për metoda të reja pune shtohet pa ndalim, ashtu si dhe përsosja e pajisjeve, ishte vazhdimisht në ecuri, u vlerësua ndryshimi i kohës dhe i metodologjisë se përgatitjes së mjekëve.
Duke vlerësuar përvojën e vendit tonë, por edhe në krahasim me vendet e Evropës si dhe të tjerë si SHBA ose vendeve më të përparuara, rezulton se përgatitje efektive për specialistin në obstetrikë-gjinekologji, do të kërkonte, me bindje një periudhë kohe, rreth 4-5-vjeçare, duke pasur parasysh disa cikle.
Dy vitet e para të specializimit do të nevojiteshin kryesisht për të njohur veçoritë e shtatzënisë dhe veçoritë e aktivitetit të lindjes, duke ecur për një lindje të shëndetshme, pa pasoja për nënën dhe me lindjen e një fëmije të shëndetshëm. Do të studiohen veçoritë e lindjes brenda kritereve normale, si dhe indikacionet që të detyrojnë të kryhet një lindje në rruge operative. Me ndërhyrje cezariane, si dhe variante të veçanta të këtyre ndërhyrjeve, do të jetë e nevojshme që specializantët të njohin për 6-12 muaj veçoritë e ekzaminimeve ekografike, për obstetrikë gjinekologjinë, si edhe drejtimet kryesore të ekografisë së organeve abdominale përveç sferës gjenitale në përgjithësi.
Gjatë vitit të 3-të e të 4-t të përgatitjes, specializanti do të jetë më shumë i angazhuar me trajtimet e caktuara, me ekzaminimet laboratorike për sëmundjet gjinekologjike, si dhe në kirurgjinë e orientuar për problemet gjinekologjike, si ato restauruese në anomalitë e vendosjes së organeve, gjenitale si dhe në ndërhyrjen për sëmundjet që përfaqësojnë masa uteriane ose vezoriale me indikacion për ndërhyrje.
Përgatitja për laparoskopi, hysteroskopi, është shumë e rëndësishme që studimet pasuniversitare për një periudhe 6-mujore të njihen me aspektin teorik dhe praktik të histeroskopisë diagnostike dhe operative. Kjo metodë në gjinekologji realizohet në sake operacioni dhe ke mundësi shumë të gjera për diagnozën e hershme të rasteve më të vështira të problemeve në aparatin gjenital të gruas. Duke qenë një interevent në vetvete, si rregull kërkon vetëm 2–3 ditë hospitalizimi dhe kjo është epërsi e kësaj metode mjekimi.
Niveli i domosdoshëm i përgatitjes kërkon që vetë specializanti të ketë kryer si drejtues, primar i ndërhyrjes, së paku 5 (pesë), hysterektomi, të cilat do t’i kujdesë për gjithë kohën deri në daljen e grave të operuara prej tij nga klinika, si dhe të rikontrollojë punën e vet edhe pas daljes nga spitali.
Specializanti duhet të bëhet i njohur me patologjitë e qafës së mitrës, me shkallëzimin e zhvillimit të këtyre patologjive, dhe mënyrat e ndërhyrjeve në rruge vaginale, kur ka indikacion për këto ndërhyrje.
Kam mendimin se obstetër-gjinekologu duhet të përgatitet të njohë klinikën dhe ekografinë e patologjive të gjirit, si baninje edhe malinje, si dhe të njohë hollësisht diagnostikën dhe trajtimin e patologjive malinje të organeve gjenitale femërore. Mendoj se në vitin e fundit të specializimit, mjeku në përgatitje, të qëndrojë në ambientet e trajtimit të patologjive malinje të organeve gjenitale femërore, dhe të marrë pjesë në interventet për trajtimin e tyre.
Gjithashtu, gjinekologu në formim të njihet me terapinë e rekomanduar për patologjitë malinje të organeve gjenitale femërore, në bashkëpunim me specialistet e kësaj fushe. Për të tillë trajtim ai do të këshillohet dhe të bashkëpunojë edhe me specialistët e mirëfilltë të kimio e radioterapisë.
Lidhur me drejtimin e përgatitjes pasuniversitare në obstetrikë-gjinekologji, këshillohet edhe një mbikëqyrje dhe ndihmë e vazhdueshme, nga personeli i kualifikuar e me përvojë. Sot që kemi gëzimin e arritjes se çeljes se negociatave me Bashkimin Europian, ne jemi të detyruar të përsosim metodat tona edhe duke u bazuar në këto rekomandime dhe norma. Ndër këto orientime mund të përmendim edhe:
Në vendet me mënyra më të përsosura të kësaj përgatitjeje, mund të përmendim qëndrimin ndaj profesoratit. Profesori në perëndim, në Britani, në Francë, në Itali e në vende të tjera, nuk përfundon vitet e punës si një mësimdhënës i zakonshëm. Ai qëndron në detyrë, duke u vlerësuar në fondin e domosdoshëm të kuadrit që aktivizohet e drejton mësimdhënien, sidomos për specializantët. Ai ka një ambient pune të vetën, me literaturë të domosdoshme mjekësore dhe material për mësimdhënien e specializantëve.
Profesori, ndonëse ka kryer vitet e mësimdhënës aktive, punon për specializimin e kuadrove të rinj, dhe kontrollon ecurinë e përgatitjes së tyre, deri në marrëdhënie me kuadro të veçantë nga Europa etj. Dhe nuk largohet veçse kur ai e konsideron se i ka kryer tërësisht objektivat, duke e deklaruar vetë këtë.
E njëjta mënyre zbatohet edhe në universitetet ku profesorati me origjine shqiptare është i angazhuar. Ish-pedagogu im, prof. Pëllumb Bitri, që punoi në një universitet në Spanjë, qëndroi në detyrë edhe shumë vite pas llogaritjes së kohës formale të pensionit, dhe vazhdonte të ndihmonte mjekët në përgatitje edhe shumë vite të tjerë. Ai vendosi të largohej vetëm kur mendoi ai vete se i ka plotësuar objektivat që i konsideroi të zbatuara për t’u realizuar, duke gëzuar kështu mirësjelljen dhe respektin e stafit të universitetit. Këto janë disa shënime, që mund të plotësojnë disa njohuri për mësimdhënien dhe orientimin për formimin sa më të kompletuar dhe sa më cilësor të specializimit pasuniversitar.