Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit, së bashku me shoqërinë civile Lezhë-Kurbin-Rrëshen, do të organizojnë sot në orën 19:00 një marshim homazh për të voglën Joanda Avdia, e cila humbi jetën në bregdet për shkak të papërgjegjshmërisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja u godit për vdekje nga gomonia, teksa po lahej në det.
E mitura me origjinë nga Tropoja, jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi nga policia.
Njoftimi
QË TË MOS NDODHË MË!
Të dashur miq,
Sonte në orën 19:00 Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit, bashkë me shoqërinë civile Lezhë-Kurbin-Rrëshen, organizojnë një marshim homazh për vajzën e vogël Joanda Avdia që dje gjeti vdekjen në bregdet për shkak të papërgjegjshmërisë.
Ju ftojmë të gjithëve, sidomos pushuesit që ndodhen në Shëngjin që në orën e caktuar të gjendemi te oborri i Kishës së Shëngjinit e prej aty të nisemi në heshtje drejt bregdetit me lule e qirinj në duar.
Kjo është një lutje, një dëshirë dhe një protestë që gjëra të tilla, frut i papërgjegjshmërisë, të mos ndodhin më kurrë e që të gjithëve t’u ofrohet siguri.
JU PRESIM!
Merrni një lule të freskët ose një qiri me vete!