Violinistja Abigeila Voshtina ka marrë postin e drejtoreshës së re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), për 4 vitet e ardhshme. Kryeministri Edi Rama hodhi firmën përfundimtare, duke e zgjedhur violinisten në krye të institucionit të rëndësishëm të kulturës. Ajo zëvendëson në këtë post Zana Çelën, e cila e mbajti këtë detyrë që nga gushti i 2016, teksa nuk arriti që të merrte një mandat të dytë.
Pas gjashtë vitesh në detyrën e drejtoreshës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela nuk u rizgjodh për një mandat tjetër drejtues, ndonëse konkurroi sërish duke paraqitur një platformë para komisionit të ngritur nga Ministria e Kulturës. E kontaktuar për një reagim nga “BalkanWeb”, Zana Çela tha se nuk ka marrë ende dokumentin e lirimit nga detyra.
“Në bazë të procedurave administrative, dokumenti quhet i marrë në administrim kur shkresa, vendimi vjen me protokoll. Ky quhet dokumenti zyrtar që më jep të drejtën finale të informimit dhe zbatimit të vendimit. Me ta pasur këtë dokument, do të shprehem plotësisht”.
Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një vendim më 22 qershor, ku liron nga detyra Zana Çelën dhe emëron në detyrë Abigeila Voshtinën. VKM në fjalë, ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.