Nga: Adrian Civici
Që të bëhesh “person i suksesshëm”, vecanërisht “sipërrmarës i suksesshëm”, është e nevojshme të njihet dhe mësohet nga eksperiencat, vështirësitë dhe sukseset e atyre që njihen e vlerësohen si sipërrmarësit më të suksesshëm në botë.
Këshillat dhe sugjerimet e tyre, që burojnë nga rruga e gjatë drejt suksesit, janë të vlefshme për këdo që i hyn rrugës së biznesit ose ka ambicie të bëhet një biznesmen sa më i suksesshëm.
Sipërmarrësit më të famshëm dhe më të pasur kanë qenë gjithmonë një burim frymëzimi, si për ata që aspirojnë të bëhen sipërmarrës të suksessëm, ashtu edhe për ata që janë kuriozë të zbulojnë arsyet e pasurisë së këtyre njerëzve që kanë ndërtuar suksesin e tyre duke filluar, shpesh, “nga poshtë.
Shumë nga këshillat e tyre, në dukje të thjeshta, të përgjithshme e shpesh naive, në fakt janë celësi i suksesit të tyre, janë produkt i eksperiencës së gjatë, shpesh mjaft të trazuar të rrugëtimit të tyre në botën e biznesit. Të jesh një sipërmarrës i suksesshëm sot, nuk është thjesht cështje fati apo rrethanash favorizuese, por mbi të gjitha, kjo kërkon një numër të pafund aftësish, strategji biznesi, marketing modern, njohje të thelluar të teknologjive moderne, shumë këmbëngulje e besim, si dhe nuk duhet të kesh frikë të bësh gabime dhe as ti pranosh ato! Këto këshilla nga sipërmarrësit e suksesshëm mund të ndihmojnë shumë nga sipërrmarësit e rinj në udhëtimin e vështirë drejt suksesit.
Synoni të bëni një punë që ju pëlqen
Steve Jobs, sipërmarrës nga më të suksesshmit në botë, i përshkruar shpesh si një vizionar dhe një figurë kryesore në sektorin e elektronikës, bashkëthemelues, drejtor menaxhues dhe kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë shumëkombëshe amerikane Apple Inc., evidenton si “këshillë për sipërmarrësit e rinj”, se e vetmja mënyrë për të qenë të kënaqur në jetë është të bëjmë diçka që na pëlqen.
Zhvillimi i një biznesi kërkon shumë më tepër punë nga sa mendoni, biznesi juaj bëhet jeta juaj. Nuk do të keni ditë apo javë pushimesh, mendja dhe vëmendja do jetë gjithmonë “në vend”. Konfuci thoshte: “Zgjidhni punën që doni dhe nuk do të punoni kurrë, as edhe për një ditë në jetën tuaj“. Nuk ka frazë më të përshtatshme për një sipërmarrës aspirant!
Jeta dhe biznesi janë një sfidë e pandarë
Richard Branson, krijuesi dhe menaxheri i markës Virgin (sipërrmarrës britanik, i njohur vecanërisht për suksesin që arriti me markën e tij Virgin Group, e cila grupon një numër të madh aktivitetesh që kanë të bëjnë me kompani aviacioni, rrjete shpërndarje, etj., argumenton se motivimi i tij më i madh është të vazhdojë të sfidojë veten. Ai e menaxhon jetën e tij sikur të ishte një kurs i gjatë universitar, ku çdo ditë mëson gjëra të reja. “Ju mund të bëni të njëjtën gjë. Mësoni nga gabimet tuaja”.
Sipërmarrësit e suksesshëm kanë një vizion të përbashkët. Ata, jo vetëm që mësojnë nga gabimet e tyre, por i trajtojnë gabimet e tyre si mësuesit e tyre më të mirë. Sa herë që bëni një gabim dhe mësoni prej tij, aq më shumë i afroheni suksesit!
Pranoni kritikat
Bill Gates deklaron shpesh se klientët e tij më të pakënaqur janë burimi i tij i madh i të mësuarit. Lërini klientët tuaj të pakënaqur t’ju mësojnë se çfarë po bëni gabim, dëgjimi i tyre vetëm do të përmirësohet! Si në jetë ashtu edhe në biznes! Nëse nuk ju japin asnjë lloj reagimi, pyesni se çfarë kanë nevojë dhe dëgjoni me kujdes përgjigjet e tyre! Mësimi nga gabimet dhe reagimi i shpejtë ndaj tyre, është shpesh më i vlefshëm se sa dehja nga sukseset. Kritikat duhen parë e perceptuar si një ndihmë e jashtëzakonshme në rrugën tuaj drejt suksesit.
Veproni – mos u ankoni
Ne jetojmë në botën e ideve, forca lëvizëse dhe motivuese e të cilave është e jashtëzakonshme. Të gjithë kanë ide, shpesh shumë të mira, largpamëse e të vlefshme, por vetëm pak sipërrmarës, sidomos ata të rrinj në moshë apo në biznes, i zhvillojnë si duhet ato. Cdo pengesë apo paqartësi, sado e vogël qoftë ajo, shpesh përkthehet në një justifikim për të ndaluar aktivitetin, për ta justifikuar veten se “nuk ke fat”, apo se “ky biznes nuk po të ecën”, apo, në sens të kundërt, edhe për të mos u larguar nga një aktivitet i filluar me bujë e me shumë shpresa, me mendimin se “nuk mund tja lejosh vetes dështimin”!
Walt Disney, krijuesi i të famshmes Walt Disney Company, pohonte shpesh se sekreti i vërtetë i suksesit është “ndaloni së foluri dhe filloni të bëni”. Sa njerëz keni dëgjuar të kenë pasur idenë e shekullit, por edhe justifikime nga më të ndryshmet për të mos e bërë konkretisht këtë gjë?
Rrethojeni veten me njerëzit e duhur
Reid Hoffman, një nga themeluesit e LinkedIn (rrjet social profesional online i krijuar në vitin 2002 në Mountain View, Kaliforni) thotë se mënyra më e shpejtë për të ndryshuar veten për t’u bërë personi që duam të jemi është të rrethohesh me njerëz që tashmë janë të tillë. Rreth vetes, në ekipin tënd, duhet të zgjedhësh gjithmonë njerëz të aftë, profesionistë të vërtetë, të përgjegjshëm dhe etikë. Zgjedhja dhe kompletimi i ekipit me të cilët do të punosh për të vënë në jetë idetë e tua, është nga momentet më thelbësore në ecurinë dhe suksesin e cdo lloj sipërrmarjeje.
Ndërtoni një ekip të qëndrueshëm e cilësor rreth jush
Askush nuk ka sukses në biznes i vetëm, dhe kushdo që e bën atë humbet aftësinë për të krijuar një ekip që mund ta çojë biznesin në një nivel tjetër. Ju nuk mund t’i bëni të gjitha vetë, keni nevojë për shumë aftësi. Gjeni një ekip që kompenson mangësitë tuaja, specialistë të mirë nga çdo sektor. Nuk do të keni kufij, do të shpejtoni kohën dhe do të merrni një rezultat më të mirë! Mos kini komplekse dhe xhelozi profesionale në raport me stafin tuaj të afërt. Nëse jeni në gjendje të kuptoni apo evidentoni pikat tuaja të dobëta, ose mangësitë kryesore, përpiquni të gjeni bashkëpunëtorë që ju a kompesojnë këto të meta.
Merrni përsipër rrezikun dhe besoni në veten tuaj
Ne nuk mund t’i dimë rezultatet e punës sonë derisa të fillojmë ta bëjmë atë. Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, thotë se nuk është penduar apo i vjen keq për dështimet e tij, por nuk do të ishte i suksesshëm nëse nuk do ishte i guximshëm dhe nëse nuk do besonte te idetë dhe aftësitë e tij.
Një frazë e njohur nga Henry Ford, industrialisti i famshwm amerikan, themeluesi dhe konstruktori i makinave FORD është : “Pavarësisht nëse mendoni se mundeni ose nuk mundeni të bëni dicka, gjithsesi ju keni gjithnjë të drejtë“. Besimi se mund ta bëni do t’ju lejojë të kapërceni pengesat që përndryshe do t’i gjenit të pakapërcyeshme! Në të kundërt, nëse tashmë jeni të bindur se po dështoni, çdo pengesë më e vogël do të konfirmojë besimin tuaj dhe do t’ju shtyjë të ndaloni.
Zgjidheni dhe mbroheni vizionin tuaj
David Karp, themeluesi i platformës Tumblr në vitin 2007, që me kalimin e viteve u bë një konkurrent potencial i rrjeteve sociale Facebook dhe Twiter, por që në vitin 2011 u ble për 1.1 miliard usd nga Yahoo, që e ruajti Karp si CEO e kompanisë, argumenton se një sipërmarrës është dikush që ka një vizion shumë të qartë të projektit të tij, në të gjitha fazat e tij, nga mënyra se si duhet të jetë nesër deri në atë se si do të jetë në 10 vitet në vazhdim dhe e mban të qartë këtë vizion për jetë. Ajo cka ne bëjmë është rezultat i këtij vizioni! Pa një vizion të qartë dhe të konsoliduar, është e vështirë të bëhesh sipërrmarës i suksesshëm dhe të kesh një biznes në ekspansion të vazhdueshëm.
Njihni qëllimet tuaja dhe planifikoni kohën
Ryan Allis, bashkëthemelues i kompanisë së famshme të softëare-ve iContact, ka vënë në dukje se “të kesh qëllimin tënd të madh në mendje çdo ditë, garanton që të punosh shumë për ta arritur atë”. Në të njëjtën kohë, duke pasur një planifikim të detajuar të detyrave të nevojshme për ta arritur atë, ju lejon t’i arrini ato në mënyrën më të mirë të mundshme duke kufizuar humbjen e kohës dhe parave. Shprehja dhe sjellja e tipit “duke parë e duke bërë” apo “në varësi më rrethanat do marr vendimet e duhura”, nuk ndihmon aspak në raport me një planifikim eficent në raport me qëllimin tënd final. “Respektojini qëllimet dhe objektivat tuaja dhe mos i ndryshoni ato vazhdimisht përballë pengesave apo situatave të pafavorshme”.
Njihni tregun ku synoni të përfshiheni
Themeluesi i Zappos, shitjeve masive online, Tony Hsieh, ka një këshillë shumë domethënëse : “Mos luani një lojë që nuk e njihni, edhe nëse shihni shumë njerëz që bëjnë shumë para me të“. Duhet të dish se çfarë duan njerëzit dhe cila është frika e tyre, të njohësh konkurrentët, pikat e forta dhe të dobëta të tyre, kohët, lajmet, të shkuarën, çfarë do të vijë në të ardhmen, zhvillimet e mundshme teknike e teknollogjike…, etj.
Njohja e tregut në të cilin mendoni ta përqëndroni biznesin tuaj, është çelësi i suksesit. Përpara se të filloni “aventurën” në një biznes të caktuar, studioni me imtësi e thellësi gjithë elementët më të rëndësishëm të funksionimit të atij tregu, aktorët kryesorë që janë prezent atje, sukseset dhe dështimet e bizneseve të tjera të përfshira në këtë treg.
Përdorni siç duhet teknologjinë – mos bini “viktimë” e saj
Bizneset kanë nevojë për mjete komunikimi e marketingu në zhvillim si dhe media sociale për t’i dhënë avantazh në raport me konkurrentëve të tyre. Teknologjia, në kuadrin e gjithë zhvillimeve të revolucionit 4.0., na lejon, vec të tjerave, që të qëndrojmë vazhdimisht në kontakt dhe ta bëjmë jetën e biznesin sa më të lehtë e të këndshme. Megjithatë, shmangni mbështetjen për gjithçka dhe në mënyrë të verbër tek teknologjia, se ajo mund të shnërrohet në një diktat për vendimet tuaja.
Ndërgjegjësim i lartë Financiar
Qëndrimi i vetëdijshëm në raport me gjëndjen dhe mundësitë tuaja financiare është i domosdoshëm. Njihni sa më mirë financat tuaja personale dhe ato të biznesit. Thellohuni në rregullat e analizës, auditimit dhe drejtimit financiar të biznesit tuaj.
Kjo është një domosdoshmëri absolute për cdo biznesmen që pretendon sukses. Financat e këqija ju fundosin në një kohë të shkurtër dhe shpesh në mënyrë të pariparueshme. Prandaj, është e rëndësishme të dini gjithshka për financat tuaja, për llogjikën financiare. Është një nga rregullat kryesore të arta për suksesin e biznesit.
5 Karakteristikat e përbashkëta të sipërmarrësve më të famshëm dhe të suksesshëm në botë
Kur krahasohen sipërmarrësit më të suksesshëm dhe më të pasur në botë, është e mundur të evidentohen disa cilësi dhe karakteristika që duket se janë më të zakonshme në mesin e këtyre njerëzve, sesa publikut të gjerë të sipërrmrësve e biznesmenëve – cilësi që padyshim i kanë ndihmuar ata të arrijnë në krye.
Më pashtë po japim 5 tiparet më të rëndësishme të personalitetit të përbashkëta nga sipërmarrësit më të mirë në botë. Ata mund të hedhin pak dritë mbi atë që duhet për të ndërtuar një biznes të suksesshëm vetë.
Këmbëngulja
Disa sipërmarrësve të suksesshëm u është dashur të merren me të paktën një biznes të dështuar në emrin e tyre për shkak të një ideje me cilësi të ulët ose planifikimit të gabuar. Të tjerët kanë ardhur nga varfëria, por kanë qenë në gjendje të kapërcejnë këtë pengesë madhore në rrugën e tyre për t’u bërë një histori suksesi sipërmarrje, duke fituar miliona e miliarda dollarë, euro, paund, etj.
Sipërrmarësi më i pasur në Gjermani, Karl Albrecht, themeluesi dhe Ceo i rrjetit të supermerkatove hard-discount ALDI, me vlerë mbi 23 miliardë dollarë, ishte djali i një minatori dhe një bukëpjekësi. Themeluesi i IKEA-s, Ingvar Kamprad, me vite të tëra shkoi derë më derë me një biçikletë duke u shitur shkrepëse fqinjëve në fshatin e tij të vogël përpara se të vazhdonte me peshkimin, stilolapsat dhe lapsat, shitjen e mobiljeve, etj.
Kreativiteti
Kreativiteti mundëson ide dhe inovacion. Idetë dhe inovacioni shpesh çojnë në para dhe sukses. Sergey Brin dhe Larry Page themeluan Google në përpjekjen e tyre kolosale për të zotëruar motorrin e kërkimit në internet. Steve Jobs dhe Apple revolucionarizuan industrinë e pajisjeve me iPod, MacBook dhe iPhone. Në shumë raste, një ide e vetme krijuese mund ta bëjë krijuesin e saj sipërrmarës të famshëm dhe të pasur.
Pranimi dhe përballja me rrezikun
Pa rrezik, nuk mund të ketë kurrë suksese dhe shpërblime të mëdha. Disa nga sipërrmarësit e famshëm më të njohur ndërmorën rreziqe të mëdha përpara se të arrinin sukses. Bill Gates u largua nga Harvard për të krijuar Microsoft-in dhe shumë të tjerë kanë shkëmbyer jetën e tyre të qetë e të lumtur për të rrezikuar gjithçka mbi idetë e tyre.
Ndoshta askush nuk është më i përballur me rreziqet se sa George Soros. Gjatë gjithë jetës së tij, financieri nga më të suksesshëm në botë, ka rrezikuar shpesh miliarda dollarë në bursa e investime financiare në emër të realizimit të objektivave të tij, duke fituar miliarda në transaksionet e tij më fitimprurëse.
Talent i shumëfishtë
Disa nga njerëzit më të pasur në botë kanë fituar kapitalin për të financuar idenë e tyre të biznesit duke përdorur aftësitë e tyre në një fushë krejtësisht të ndarë nga përpjekjet e tyre sipërmarrëse, ose duke përdorur talentin e tyre të biznesit për të përfituar nga mundësitë për të krijuar pasuri që në moshë të re. Kirk Kerkorian, president i fondit të investimeve Tracinda, fitoi 100 milionë dollarët e tij të parë – para që i kishte përdorur për të financuar zhvillimin e Las Vegas Strip dhe MGM Studios – duke blerë dhe shitur aeroplanë dhe karburant avioni.
Jeffrey Bezos ishte një shkencëtar kompjuterash në Wall Street përpara se të niste një udhëtim nëpër Amerikë i cili frymëzoi planin e biznesit të Amazon.com. E përbashkëta e tyre është se këta biznesmënë super të suksesshëm kanë përdorur ekspertizën e tyre në një fushë duke u bërë pionerë në një fushë apo aktivitet tjetër, më fitimprurëse.
Vizionarë
Sipërmarrësit vizionarë janë të njohur për aftësitë e tyre strategjike dhe aftësinë e tyre për t’i parë gjërat me një perspektivë afatgjatë. Duke qenë në gjendje të identifikojë dhe të përfitojë nga një kërkesë për një produkt ose shërbim specifik, “vizionari” drejton dallgët financiare drejt suksesit.
Për shembull, në vitet 1970, Jorge Lemann dhe bashkëpunëtorët e tij themeluan Banco Garantia, një firmë bankare investimesh. Në vend që të ishte i kënaqur me firmën e tij të suksesshme bankare të investimeve dhe sukseset e saj “të qëndrueshme” që i garantonin një jetë komode, ai e hodhi vështrimin akoma më tej, identifikoi potencialin e madh në industrinë e pijeve alkoholike, një potencial, që në sytë e mjaft biznesmenëve të tjerë “nuk shihej”. Si rezultat, me një vendim-marrje të shpejtë, bleu një fabrikë birre braziliane që tani është pjesë e InBev, një nga grupet më të mëdha në botë të prodhimit dhe shpërndarjes së birrës, si dhe kontrolloi shumicën e aksioneve në këtë fabrikë jashtëzakonisht fitimprurëse. Tani ai është personi i tretë më i pasur në Brazil dhe nga sipërrmarët më të pasur në botë.